Reflektim

“Simbolika e një dhurate”

Simbolika e një dhurate, nga Evans Drishti, tregon rëndësinë e një mësueseje që organizon shpërndarjen e dhuratave simbolike për nxënësit, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi, harmonie dhe dashurie. Ky akt i thjeshtë e afron klasën dhe nxjerr në pah vlerat e miqësisë dhe solidaritetit.

Nga Evans Drishti 


Disa ditë më parë, mësuesja kishte bërë një bisedë në klasë në lidhje me festimin e festës së fundvitit. Kishte hedhur një mendim, sipas të cilit të hidhej një short për shpërndarje dhuratash fundviti. Do shkruheshin emrat e të gjithë nxënësve të klasës, djem e vajza, secili do tërhiqte një emër, dhe pikërisht cili emër do t’i dilte, atij do t’i bënte një dhuratë.


Ideja në pamje të parë u duk e pranueshme nga të gjithë, por mësuesja vuri re se kjo ide s’kishte një pranim unanim, e megjithatë nuk shfaqi asnjë reagim për momentin. I njihte mjaft mirë nxënësit e saj, djem e vajza, kishte kohë tashmë që ishte me ta, ua njihte shumë mirë temperamentet e tyre, anët e tyre të bukura, të vështira e të trishta, por mbi të gjitha njihte shumë nga afër realitetet sociale nga vinin. Dinte mjaft mirë kushtet ekonomike dhe social-kulturore që kishin secili prej tyre. Ajo bënte shpesh takime me familjarët e tyre, për rrjedhojë i njihte më nga afër dhe i kuptonte në mënyrë të mirëfilltë situatat dhe rrethanat e jetës së tyre.


Kjo kishte një rëndësi të madhe për vetë atë si mësuese, por edhe për mbarëvajtjen e klasës së saj, pasi edhe vetë djemtë dhe vajzat njihnin njëri-tjetrin dhe tregoheshin tejet të ekuilibruar dhe familjarizues, duke u kujdesur të mos krijonin situata lënduese për askënd.


Afruan ditët e fundit të periudhës së fundvitit dhe të gjithë qenë mbërthyer nga shkëndija emocionesh që përshkonin trup e shpirt bashkë. Si adoleshentë që ishin, përjetonin kërshëri të shumta për dhuratat që do sillnin ditën e caktuar, pikërisht ditën e fundit të mbylljes së sezonit shkollor. Secili ish përgatitur të sillte diçka të bukur dhe simbolike, natyrshëm nën përkujdesjen e prindërve.


Jo të gjithë qenë në gjendjen ekonomike të duhur, për të realizuar qoftë edhe një dhuratë simbolike. Ishte pikërisht kjo situatë që mësuesja kishte vënë re që në fillim, hezitimin e disa prej tyre, në pamundësi për t’iu bashkuar kësaj nisme domethënëse dhe plot vlera. Por ashtu siç kish ndodhur edhe në disa raste të tjera, si mësuesja ashtu edhe disa prej djemve dhe vajzave në klasë ishin të sigurt se kjo situatë rikuperohej vetëm në sajë të një vullnetarizmi përbashkues.


Dita erdhi. Nxënësit në gjendje të vështirë ekonomike u përballën me surpriza të këndshme, pasi nuk munguan dhuratat e asaj dite të veçantë edhe për ata vetë. Mësuesja kishte bërë organizimin e duhur dhe profesional, duke bashkërenduar mbështetjen e duhur, duke mos përjashtuar asnjë prej tyre. Dhuratat simbolike mbartin domethënie të ndryshme dhe të larmishme, jo thjesht për ditën e bukur në të cilën shpërndaheshin, por edhe për rolin përbashkues që reflektonin në mendjen dhe shpirtin e secilit prej vajzave dhe djemve të klasës. Secila prej dhuratave dukej sikur kishte një magji dhe paraqitje misterioze, pasi vetë atmosfera që u krijua në klasë ishte plotësisht e atillë. Mësuesja s’ishte mjaftuar vetëm me idenë e një nisme të tillë dhuratash, por kishte sjellë edhe elemente të tjera argëtuese shoqëruara me ca ëmbëlsira plot shije e sharm. Ëmbëlsirat e saj shoqëroheshin edhe me ca thënie domethënëse për paqen, gëzimin e jetës, miqësinë e ngushtë dhe të vërtetë, familjen si bërthamë e shoqërisë, etj.


S’munguan natyrshëm as fotografitë e shumta që u realizuan në kujtim të asaj dite plot mallëngjime dhe familjaritet. Një video mjaft e bukur u përgatit në ato çaste nga dy nxënës, një djalë dhe një vajzë, të cilëve u vinte dora mjaft mirë të bënin video shumë profesionale dhe mbi të gjitha montazhe mjaft interesante.


Sa bukur ishte të shihje nxënësit atë ditë, fytyrat e tyre që shndrisnin nga buzëqeshjet aq fisnike dhe plot dashuri! Të shihje kënaqësitë e tyre dhe rrahjet e forta të zemrave që shoqëroheshin me lëvizjet plot finesë dhe gjallëri. Ata s’ishin thjesht të emocionuar, ishin plot entuziasëm, plot krenari e lumturi. Mbi të gjitha, ndjeheshin tejet krenarë për mësuesen e tyre që gjithnjë u qëndronte pranë dhe sillte gjëra aq me vlerë dhe të pavdekshme për ta.


Të gjithë e dinin se ishin brezi i teknologjisë, por ja që këtë herë qenë hasur me një tjetër realitet që u kishte munguar prej shumë kohësh, argëtimi me njëri-tjetrin me ca lojëra popullore dhe tejet praktike që ua zhvillonin akoma më shumë shkathtësinë dhe intuitën e tyre.


Aty e kuptuan se mund të bënin edhe pa telefonin e tyre, që deri atë moment e kishin pranuar si një mjet të pazëvendësueshëm. Aty e kuptuan se bota dhe shpirti i tyre ishte mbyllur si pa dashur në një kafaz elektronik, që nuk ndjente asnjë mëshirë për ta. Aty e kuptuan se vlenin shumë më tepër nga ç’e pandehnin. Aty e kuptuan se ç’lloj dashurie u kishte dhuruar mësuesja e tyre, e cila u ishte gjendur më pranë se vetë prindërit e tyre.


Aty e kuptuan se sa vlenin kur bashkëpunonin gjithë bashkë, duke shërbyer e kontribuar në emër të mirësisë, në emër të shpirtit të dlirë dhe moshës së bukur që sillte adoleshenca. Kjo ditë u shënjua në memorien e secilit si një diamant që nuk do humbte kurrë vlerën e tij të vërtetë.


Le të mos harrojmë se:

  • një mësues apo mësuese mund të sjellë një mrekulli, qoftë edhe me një gjest apo organizim simbolik dhe plot veçanti,
  • profesionalizmi në mësimdhënie s’ka të bëjë thjesht me orientimet teorike të ofruara në një proces mësimor, përkundrazi ka të bëjë me vënien në lëvizje të mendjes dhe shpirtit të një adoleshenti duke fituar zemrën dhe botën e tij të artë edhe me diçka simbolike,
  • çastet argëtuese që mund dhe duhet të ofrojmë, e gjallërojnë akoma më shumë intuitën dhe shpirtin shpërthyes të fëmijëve, duke e transformuar atë në një mjet të shtrenjtë me vlera jetike,
  • fëmijët presin në çdo moment të bashkëudhëtojmë me shpirtin e tyre të dlirë dhe plot çiltërsi, gjë e cila arrihet duke u ofruar një botë plot hare dhe magji.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

157 Lexime
18 orë më parë