Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku, ndan disa sugjerime për përmbajtjen e Kornizës Kurrikulare në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e përshtatjes me zhvillimet sociale, digjitale, ekonomike dhe demokratike. Ai diskuton sfidat që duhet të tejkalohen për të siguruar suksesin e reformës.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert në fushën e arsimit
Korniza Kurrikulare është një dokument thelbësor për Arsimin Parauniversitar në Shqipëri.
Ajo përcakton standardet dhe udhëzimet për zhvillimin e kurrikulave, si dhe synon të përmirësojë cilësinë e arsimit duke siguruar që nxënësit të fitojnë njohuri dhe kompetenca të nevojshme për të qenë konkurrues në nivel ndërkombëtar. Së fundmi janë njoftuar ndryshimet kryesore të Kornizës së re Kurrikulare, e cila do të pasohet me hartimin e teksteve të reja shkollore në vitin 2025.
Sigurisht që kjo reformë synon të përmirësojë cilësinë e arsimit duke përfshirë kompetenca kyçe si komunikimi, të menduarit kritik, dhe kompetencat digjitale.
Por a kanë menduar hartuesit që korniza e re të jetë sa më elastike, për të lejuar mundësinë e përshtatjes me zhvillimet e shpejta që po ndodhin! Të mos përballemi përsëri me një situatë ku zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, si dhe pamundësia e prindërve, e mësuesve por edhe e shtetit, nuk mundën të pengonin daljen jashtë kohe të kurrikulës aktuale, jashtë çdo parashikimi!
Fakti që kurrikula ekzistuese mundi t’i rezistonte kohës vetëm për dhjetë vite, si dhe rezultatet krahasuese të Shqipërisë krahasuar me vendet e OECD e tregojnë qartë këtë gjë.
Nuk e di se çfarë kanë menduar ekspertët për ndryshimet që po përgatiten. Cilët janë ekspertët e përfshirë dhe mbi bazën e cilit raport po punojnë?
A e cenon ky fakt realizimin e synimeve të strategjisë aktuale 2021-2026?
Këtyre pyetjeve, apo dhe të tjera që mund të lindin, ndoshta nuk do t’u jap askush përgjigje, por është shumë e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje kërkesave të gjeneratës së sotme dhe asaj që presim.
A do të jemi në gjendje të parashikojmë saktë, apo përsëri do të dështojmë? E përsëri do të fillojmë pas pak vitesh të flasim për kurrikula të reja se nuk na doli gjë me këtë që kishim.
Janë disa tema që nuk dalin asnjëherë nga moda, ato thjesht ndryshojmë. Sot e shoh të nevojshme të listojë disa nga lëndët që nxënësit duhet t’i mësojnë patjetër në shkollë.
Sigurisht që mund të ketë edhe të tjera gjëra, në varësi të zhvillimit ekonomik, social apo demokratik, por tetë nga fushat që duhet të jenë patjetër pjesë e kurrikulës sonë kombëtare janë:
1. Inteligjenca artificiale
Është mundësia ta kapim kohën, tani dhe në mënyrën e duhur ose do të rrisim një brez të lënë pas. Sigurisht shumëkush sot e sheh si problem, por Inteligjenca Artificiale sot po bëhet gjithnjë e më e përhapur dhe sigurisht ne nuk mund të mbesim jashtë e të mbyllim sytë. Bota do vijojë të lëvizë dhe ne duhet të ndjekim ritmin më të mirë.
2. Mbrojtja e mjedisit
Akullnajat e Arktikut pritet të shkrijnë deri në vitin 2050, por duke i edukuar nxënësit për një jetë të qëndrueshme, ne mund të bëjmë diçka në lidhje me këtë dhe jo vetëm.
3. Shëndeti mendor
Duhet të punojmë shumë për të reduktuar stigmën e shëndetit mendor. Kjo bëhet më mirë duke e filluar punën që në moshë të vogël. Ndërgjegjësimi është hapi i parë.
4. Mirëqenia emocionale
Është vendimtare jo vetëm në jetë, por edhe në karrierën që e pret fëmijën në të ardhmen. Duke siguruar mirëqenie emocionale, mundësojmë një komunikim më të mirë, e sigurisht eliminojmë shumë nga problematikat që shqetësojnë shoqërinë e sotme.
5. Vetëmbrojtja
T’u mësosh nxënësve se si të mbrohen është më mirë sesa të mësojnë ata veten e tyre, apo jo? E sigurisht mbrojta e vetvetes ka disa dimensione.
6. Socializimi
Tingëllon si budallallëk, por mendoj se nxënësit sot nuk janë të inkurajuar mjaftueshëm për t’u socializuar siç duhet. E këtu e kam fjalën për rrjetet sociale, pavarësisht emrit. Janë anatemuar këto kohë duke i parë si shkaktari i fenomeneve negative, por ne duhet të vlerësojmë rrugët si mund ti përdorim në dobi të procesit mësimor-edukativ këto instrumente të fuqishme sociale.
7. Financat personale
Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë edukim në këtë fushë. Paraja nuk duhet të jetë vetëm pjesa materialiste, por duhet të shihet si mbështetëse e shoqërisë. Të edukojmë brezin, si ajo mund të përdoren për mirëqenien emocionale, mbrojtjen e mjedisit, ushqimin e shëndetshëm, socializimin, inteligjencën artificiale, apo për vetëmbrojtjen.
8. Ushqime të shëndetshme
Dieta jonë është baza për një jetë të shëndetshme. Dhe sigurisht shkolla ka rolin e vet në këtë çështje. Ka ardhur koha për t’u përqendruar më pak tek “pisllëqet” sintetike dhe më shumë tek ushqimi i vërtetë.
“E bukur dhe e mirë nuk është ajo që duket, por ajo që është e vërtetë”- Pavarësisht se cili do të jetë dokumenti përfundimtar që do të miratojnë ekspertët e MAS, reforma kurrikulare nuk do të kalojë lisho. Ajo do të përballet me disa sfida të rëndësishme, të cilat do të ndikojnë në zbatimin e saj të suksesshëm.
Disa nga këto sfida janë:
a) Trajnimi i mësuesve:
Mbetët një nga sfidat kryesore për të zbatuar kurrikulën e re. Mësuesit kanë nevojë për trajnim të vazhdueshëm për të kuptuar dhe për të aplikuar metodat e reja të mësimdhënies dhe vlerësimit sipas nevojave individual të vlerësuar në kon tektin e shkollës ku punojnë.
b) Burimet dhe infrastrukturat:
Shumë shkolla përballen me mungesë të burimeve dhe infrastrukturës së nevojshme për të mbështetur kurrikulën e re, përfshirë teknologjinë, internetin, laboratorët dhe materialet didaktike.
c) Rezistenca ndaj ndryshimeve:
Disa mësues dhe institucione mund të jenë pengues ndaj ndryshimeve, duke preferuar metodat tradicionale të mësimdhënies. Kjo mund të ngadalësojë procesin e zbatimit të reformës dhe duhet vlerësuar seriozisht duke bërë përpjekjet maksimale për të amortizuar faktorin pengues.
d) Monitorimi dhe vlerësimi:
Si sfidë më vetë duke parë dhe strukturën aktuale të AKAP dhe institucioneve të varësisë duhet menduar për një rikofigurim të tyre. Nuk është turp apo gabim. Të mendosh se ky proces përfshin monitorimin, inspektimin, mbledhjen e të dhënave dhe analizën e tyre për të bërë përmirësime të vazhdueshme dhe për të eliminuar pengesat.
e) Mbështetja e prindërve dhe komunitetit:
Për të pasur sukses, reforma kurrikulare kërkon mbështetjen e prindërve dhe komunitetit. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të jenë të informuar dhe të përfshirë në proces. Këto sfida kërkojnë një qasje të koordinuar dhe mbështetje të vazhdueshme nga të gjitha palët e interesuara për të siguruar që reforma të ketë sukses dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit në Shqipëri.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rëndësia e arsimit special për fëmijët me aftësi të kufizuara
Mësimdhënia me në qendër nxënësin
Struktura e orës së mësimit dhe rolet e mësuesit e të nxënësit në zhvillimin e mësimit dhe të nxënit