OPINION

Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi

Është domosdoshmëri jetike që më parë na duhen qytetarë të edukuar, e pastaj njerëz të arsimuar. Një i mençur pa edukatë është nje mençuri e shkuar dëm.

E vërtetë shumë që: "Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi". I mençur Frojdi kur çirrej me kohë për këtë. Është domosdoshmëri jetike që më parë na duhen qytetarë të edukuar, e pastaj njerëz të arsimuar. Ndiehet qartazi sot se niveli i arsimimit të popullsisë është rritur. Me ose pa objektivitet, njerëzit që sot zotërojnë më shumë se një diplomë universiteti, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë.


Janë të shumtë sot prindërit që investohen maksimalisht për arsimimin e fëmijëve të tyre, duke menduar se arsimimi sigurisht do të ndërtojë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. E në fakt, mirë e kanë. Më mirë një i arsimuar se sa një i paditur. Por prindërit harrojnë se një individ më parë duhet të jetë qytetar i edukuar e pastaj krahas kësaj një qytetar i shkolluar.


Shumë prindër sot rendin drejt përditshmerisë, ose për mbijetese, ose drejt luksit që ofron koha dhe nuk gjejnë dot asnjë hapësirë që të mund ta shfrytëzojnë për edukimin e fëmijëve të tyre. Ka nga ato që nuk gjejnë dot kohë për t'u marrë me fëmijët e tyre. 


Por ka edhe nga ato prindër, të cilët falë mundësisë materiale që kanë si dhe pamundësisë kohore, edukimin dhe të mësuarin e fëmijëve ua besojnë një mësuesi të mirëzgjedhur e mirëpaguar. Por këta prindër harrojnë se mësuesi është "prindi i dytë" se prindi i parë për fëmijën e tyre janë vetë ata.


Nuk jam kundër të paturit ndihmës për një arsimim më cilësor për fëmijën. Ndihma e një mësuesi sot është një plus i madh për mirëarsimimin e fëmijës. Por deri ketu ama se për edukimin, frymëmarrja duhet të nisë nga familja, nga prindi. Edukimi nis e vazhdon në familje, e ai vetëm pasurohet me modelet e mësuesisë që kemi fatin, apo që zgjedhim të kemi pranë për fëmijën tonë.


Sot ndihet dukshëm se kemi plot e dendur njerëz të arsimuar, por janë të paktë, për mos thënë të rrallë njerëzit e edukuar. Ndoshta nga etja e madhe për dije padashje kemi harruar si shoqëri të merremi me edukimin tonë. Sot kemi te shtuar dhunshëm e në mënyrë drastike modele vesesh negative pranë nesh. Vërtetë shoqërisë i duhen njerëz të arsimuar, e madje, i duhen shumë, por më parë i duhen qytetarë të edukuar, e për këtë duhet punuar fort në familje.


Një i mençur pa edukatë është nje mençuri e shkuar dëm. Është si një ndërtesë e restauruar bukur nga jashtë, por mbështetur cingëlisht në themele të dobëta, të cilat bëjnë që shembja e bukurisë së veshjes së saj, të jetë shkatërrimtare për të gjithë ndërtesën.


Mendoj se duhet reflektuar sa më shpejt, e të merremi më shumë në familje me edukimin e fëmijëve tanë, pasardhës të qytetarisë dhe intelektualitetit tonë. E në fund dua ta mbyll me këtë thënie të mençur të cilën nuk lodhem së përmenduri çdo çast fëmijëve të mi.


Vërtet njerëz të arsimuar, por më parë qytetarë të edukuar!



(Albana Tare; Portali Shkollor)

13,552 Lexime
5 vjet më parë