OPINION

Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!

Prindërimi le gjurmë të pakorrigjueshme te fëmijët. Një prind shembullor dhe i përkushtuar, është jo vetëm fat dhe model për fëmijën, por edhe motiv dhe inspirim për të ndërtuar mbarë edhe ai nesër, familjen e tij të ardhshme!

Prindërimi, profesioni më i vështirë, të cilin kurrë nuk e kemi shansin të na e mësojë ndonjë lektor, e as ndonjë profesionist i mirë! Ai mësohet përgjatë jetës, rrugës drejt të prindëruarit, duke parë modele, duke përzgjedhur ndër to, por në fund, sigurisht, duke u vetëushtruar! Është si puna e notit, të cilin, po nuk u fute në ujë, kurrë se e ke për ta mësuar E këtë punë, gjatë e me kohë, e kanë bërë brezat me radhë. Por sot, të prindërosh është sfidë e vërtetë! Jo vetëm se ka vështirësitë e veta të marrëdhënies, por edhe sepse realiteti i sotëm, ku na bie shansi të prindërojmë, është i tillë, sfidues! Është realitet i pasur me plot problematika, të cilat gjatë përpjekjeve tona strapacuese për t'i zgjidhur, vështirësojnë pikërisht atë marrëdhënien fëmijë - prind, pra vështirësojnë prindërimin.


Po cilat janë arsyet që e bëjnë sot prindërimin kaq të vështirë, e për më tepër se aq, sfidues?!


TEKNOLOGJIA DHE PËRPARIMI I SAJ

Është pikërisht zhvillimi i teknologjisë sot, që nuk e lë prindin të prindërojë njerëzishëm. Ajo jo vetëm që u merr kohë, si fëmijëve, po ashtu edhe prindërve, por është edhe shumë "kokëfortë" e "xheloze ", duke bëre çmos që të pengojë prindin të kalojë kohë fizike me fëmijën e tij. Madje, aq këmbëngulëse është teknologjia e sotme, sa vështirë të gjejë kohë i gjori prind për fëmijën kur në dorë ka në çdo çast, atë, celularin! E më keq akoma, kur vetë prindi që në vogëli i jep celularin në dorë fëmijës, gjoja për ta qetësuar, duke i shkaktuar kështu dëmin më të madh, jo vetëm fëmijës por edhe prindërimit të tij.


KOHËZGJATJA NË PUNË

Modernizimi e të jetuarit në komoditetin e sotëm të fëmijëve tanë ka koston e vet. Prindërit e sotëm nuk i sigurojnë dot të mirat materiale bashkëkohore vetëm me një orar 8-orësh pune. U duhet patjetër një kohëzgjatje e pamasë pune, sepse sot, në kohët moderne, asnjë prind nuk ia "lejon vetes" që fëmija i tij të rritet në kushte minimaliste të të jetuarit. E pikërisht, për të plotësuar këto kushte për fëmijën e tij, prindi, pa u menduar shumë, pa dashje e pamençurisht...i bie “në qafë" prindërimit!


NËNVLERËSIMI I KOMUNIKIMIT PRINDËROR

Sot ka prindër, të cilët mjaftohen me të parët e fëmijëve në komoditet, bollëk e mirësi dhe mendojnë se detyra e tyre si prind, tanimë është mëse e kryer. Ato harrojnë se për tjetër gjë ka nevojë fëmija i tyre! Tjetër gjë i duhet atij që të rritet i shëndetshëm, fizikisht, moralisht, psikologjikisht dhe intelektualist. Këta prindër harrojnë më kryesoren, atë se fëmija ka nevojë për praninë e vërtetë të prindit pranë, e kjo jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht e shpirtërisht. 


TENDENCA E PRINDËRVE TË SOTËM PËR TU INVESTUAR NË KARRIERË

Sot ekziston edhe një model prindi, i cili i humbet, për të mos thënë që i djeg fazat e prindërimit, për shkak të investimit të tij maksimal në karrierën e vet. Pa e kuptuar, disa prindër të suksesshëm përfshihen shumë vrullshëm, duke përjetuar me egzaltim suksesin e investimit të tyre në karrierë dhe duke menduar se ka kohë për prindërim, se fëmija është i vogël e vitet i ka përpara. Madje disa guxojnë e prindërojnë edhe me korrespondencë, duke e lënë edukimin e fëmijëve në dorë të gjyshërve apo të kujdestarëve.



Po në fakt, për çfarë ka nevojë fëmija, që prindërimi të jetë korrekt dhe i duhuri?!


Fëmija nuk ka nevojë për komoditet, për bollëk, për veshje firmato...sa ka nevojë për praninë fizike të prindit pranë, të shoqërizimit me të, të diskutimit, të shkëmbimit të emocioneve, të shkëmbimit të ideve a mendimeve të kundërta. Ai ka nevojë që, qoftë edhe figurativisht të përfshihet në zgjidhje të problematikave ku ai është i pranishëm. Fëmija ka nevojë të ndiejë fytyrën e prindit pranë vetes, të ndiejë frymëmarrjen e tij, mbrojtjen e tij, qortimin dhe përgëzimin e tij me fjalë e me prekje. Thjeshtë ka nevojë për një prindërim të vërtetë e jo me korrespondencë apo me ndërmjetësi! Sot raste të prindërimit, të të tilla modeleve janë të shumta! Madje edhe shumë pranë nesh! Sot prindërit edhe pse investojnë shumë për fëmijët, në modelin që zgjedhin për prindërim gabojnë. Kjo ndoshta mund te jetë arsyeja që ka sjellë problematika që janë të pariparueshme në  të qenit prind e më gjerë pastaj në shoqëri!


Në edukim ka rëndësi të madhe ajo çfarë investohet, por më shumë akoma e rëndësishme është mënyra se si ajo investohet. Gjithmonë "mënyra se si", bën diferencën në çdo gjë....e për më tepër në edukim!


Duhet bërë kujdes prindër...që megjithë kontradiktën që ekziston midis prindërimit model të zgjedhur nga ne dhe kushteve të implementimit të tij në realitetin e sotëm me vështirësi të mëdha të zhvillimit, të jemi sa më fleksibël, sa më përshtatës, por më shumë sa më të përgjegjshëm për ndikimin tonë në edukimin e brezave, që ato edhe pse në kushte "më të vështira" se ne, të jenë më të mirë edukuar e më të suksesshëm. 


Prindërimi le gjurmë të pakorrigjueshme te fëmijët, prandaj duhet të mos harrojmë se: NJË PRIND SHEMBULLOR DHE I PËRKUSHTUAR, ËSHTË JO VETËM FAT DHE MODEL PËR FËMIJËN, POR EDHE MOTIV DHE INSPIRIM PËR TË NDËRTUAR MBARË EDHE AI NESËR, FAMILJEN E TIJ TË ARDHËSHME!


                                                                                                               Opinion nga Albana Tare 



(Portali Shkollor) 

10,830 Lexime
5 vjet më parë