INKURAJIM

Për ju maturantë!

Ju përgëzojmë maturantë që bashkëpunuat me përkushtim e sakrificë me arsimtarët, librin, njëri-tjetrin për t’u ngjitur në shkallët e dijes! Mësuat që nuk duhet vetëm të ëndërroni për suksesin por të punoni për ta arritur si dhe të luftoni për të mposhtur padijen dhe jo për të mposhtur një provim!

Të shkruash për ju nuk është e lehtë, pasi mbani në shpirtin tuaj pafundësi ndjenjash, dëshirash e ëndrrash, të cilat ju shoqërojnë në çdo hap që hidhni.


Koha kalon e ne ecim krahë saj në përpjekje për ta shfrytëzuar dhe për të marrë më të mirën. Gjithçka: çaste, persona, vende, kujtime kanë peshën e tyre në jetë sa herë kthejmë kokën pas. 


Në mendjen e secilit nga ju është ndjenja që provuat kur filluat klasën e dhjetë, me të tjerë mësues  e shoqëri të re me të cilët do të vazhdonit rrugën e dijes, do të ndanit kënaqësitë e shqetësimet, do të shkëmbenit përvoja...!


Në tre vjet, në rrugëtimin tuaj si gjimnazistë, morët njohuri të reja dhe thelluat njohuritë e mëparshme; njohët shoqëri të re, ndërsa një pjesë e juaja e mbajti dhe forcoi shoqërinë e fëmijërisë e adoleshencës. Së bashku kemi kaluar nëpër shtigje e kapërcyer vështirësi.


Ju jeni e ardhmja që do të ndriçojë nga brendësia e shpirtit dhe mendjes tuaj. Bashkë me kohën do të ecni dhe ju drejt shtigjeve të reja, në rrugë të pashkelura ku do të lini gjurmët tuaja.


Gjatë këtyre viteve ecët në urat e dijes që ndërtuan mësuesit, duke pranuar ftesën e vlerësuar ndihmën për t’ju lehtësuar kalimin si dhe u inkurajuat të krijoni e ndërtoni urat tuaja të dijes! Tre vjet ishim përkrah jush duke na mbushur zemrën me mirësinë, bukurinë, çiltërsinë, ëndrrat, shpresat, guximin, besimin tuaj.


Në këto tre vjet, nuk ishim vetëm mësues, por dhe nxënës duke marrë nektar nga shpirti e mendja juaj! Jeni ju që na jepni kënaqësinë e profesionit dhe shtytjen përpara duke na dhënë nderin të shndërrohemi në mësues heronj, pasi për brezin e ri, të ardhmen e vendit, vetësakrifikohemi me dëshirë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur marrim vlerësim nga ju për misionin e kryer në rrugëtimin e dijes në këto ditë të vështira që kaluam të gjithë!


Ju përgëzojmë maturantë (dhe jo vetëm) që bashkëpunuat me përkushtim e sakrificë me arsimtarët, librin, njëri-tjetrin duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që ishin vënë në dispozicion për t’u ngjitur në shkallët e dijes! 


Bashkë me ju punuam për të rritur nivelin e të nxënit, duke drejtuar sytë e mendjes për të kuptuar mendimin si dhe për të dëgjuar me kujdes idetë tuaja, duke bërë gërshetimin e mësimit pedagogjik me atë social-edukativ. 


U inkurajuam  të zotërojmë intuitën e njohjes së psikologjisë së moshës për lartësimin e dinjitetit, gjë që ndihmoi edhe në formimin e personalitetit tuaj. 


Mësuat që nuk duhet vetëm të ëndërroni për suksesin por të punoni për ta arritur si dhe të luftoni  për të mposhtur padijen dhe jo për të mposhtur një provim!


Po bindeni që për të mbijetuar në shkretëtirën e injorancës duhet të pini etshëm në burimin e pashtershëm të dijes!


Një këngë malli e respekti me refren maturantësh e ka gati zemra tani që do largoheni nga ne e do na shoqërojë për t’u rifreskuar vit pas viti, brez pas brezi. 


Lot nostalgjie në qerpikë që prekin telat e dashurisë njerëzore të bashkuara me urimet për secilin nga ju. Emocionet përjetohen në shpirt dhe nuk mund të harrohen lehtë. 



Nga Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin” Skenderbeu” Krumë / Has



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

15,055 Lexime
4 vjet më parë