
“Të jesh mësues është një art më vete" – Intervistë me Qëndresa Sopin, mësuesen e suksesshme të artit figurativ në Kosovë
Në këtë intervistë për 7 marsit, Qëndresa Sopi, mësuese e artit figurativ në shkollën "Shkëndija" në Prishtinë, ndan pasionin e saj për mësimdhënien dhe artin. Ajo flet për ndikimin e mësuesve në rrugëtimin e saj, sfidat dhe gëzimin e profesionit, si dhe rëndësinë e vlerësimit të mësuesve në shoqëri.
Sot më 7 Marsit, Ditën e Mësuesit, kemi kënaqësinë të flasim me Qëndresa Sopin, një mësuese e përkushtuar e artit figurativ në shkollën “Shkëndija” në Prishtinë. Me një përvojë të pasur në mësimdhënie që nga viti 2011, ajo ka krijuar një ambient frymëzues për nxënësit e saj, duke i nxitur të eksplorojnë dhe të zhvillojnë talentin artistik. Në këtë intervistë, ajo ndan përvojën e saj si edukatore, sfidat dhe gëzimin e të qenit mësuese, si dhe rëndësinë e kësaj dite të veçantë për të dhe kolegët e saj.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Çfarë kuptimi ka për ju Dita e Mësuesit dhe si e përjetoni këtë festë?
Dita e mësuesit është dita ku kujtojmë sakrificën e prindërve tanë që u udhëtuan me orë tëra për t’u shkolluar, që një pjesë e tyre janë bërë mësimdhënës vetëm e vetëm që gjeneratave të reja t’ ju japin mësim e të shkollohen që populli ynë të jetë i arsimuar. Mësimdhënësit edhe sot e asnjëherë nuk dorëzohen por punojnë për vogëlushët e tyre me plot entuziazëm, andaj mendoj që për ditën e mësuesit duhet t’u themi të gjithë mësimdhënësve “Faleminderit!”.
Kujtoni sot ndonjë mësues që ka pasur një ndikim të madh te ju? Si ka ndikuar ai/sajo në rrugëtimin tuaj profesional?
Po e kujtoj me shumë respekt profesorin tim të pikturës akademik Rexhep Ferrin, tani i ndjerë, që aq shumë më vlerësonte dhe më motivonte për t'u zhvilluar si artiste në botën e arteve pamore.
Si mendoni se ka ndryshuar roli i mësuesit ndër vite? A vlerësohet sa duhet sot puna e mësuesve?
Po ka ndryshuar roli i mësimdhënësit, sepse tani është mësimi më inovativ, nxënësit janë në qendër, mund ta shprehin lirshëm kreativitetin e tyre në shumë mënyra të ndryshme etj. Kurse sa vlerësohemi ne mësimdhënës për punën që bëjmë, unë konsideroj që nuk vlerësohemi sa duhet, sepse në Kosovë sapo mëson sa paguhen mësimdhënësit, aty e kupton sa vlerësohemi nga shteti. Por edhe nga shoqëria nuk është vlerësimi në nivelin që do të dëshiroja.
Cili është mesazhi juaj për kolegët tuaj dhe për nxënësit në këtë ditë të veçantë?
Urime 7 marsin të gjithë mësimdhënësve shqiptar, punoni me dashuri e dinjitet për nxënësit tanë, sepse ata janë ardhmëria e kombit tonë.
A ka ndonjë traditë të veçantë në shkollën tuaj për festimin e 7 Marsit? A ka ndonjë moment që ju ka prekur më shumë nga një festë e kaluar?
Po e kemi traditë që çdo vit të organizojmë ne fusha e arteve performanca të ndryshme në lëndën e muzikës, ekspozita arti me punime që i kushtohen dashurisë për mësuesin, pastaj organizohen në kuadër të temës “7 Marsi orë letrare” etj.
Ndërkohë për të kaluar tani më në brendësi të rrugëtimit tuaj në fushën e arsimit, si e zbuluat pasionin tuaj për artin dhe çfarë ju shtyu ta lidhni atë me mësimdhënien?

Qysh fëmijë kam qenë në fushën e artit në përgjithësi e talentuar, por më vonë e doja shumë pikturën dhe vizatimin. Pikturoja me orë të tëra. Kisha një pasion të jashtëzakonshëm për artin, dhe po ky pasion më ka udhëhequr si studente në Fakultetin e Artit në degën e pikturës dhe natyrshëm u lidh me mësimdhënien, sepse atë që e studiova me vullnet të madh pse mos të ja mësoja (ligjëroja) nxënësve të mi të dashur.
Çfarë ju frymëzon më shumë në punën tuaj me nxënësit?
Interesimi i nxënësve dhe dashuria e madhe që kanë për lëndën e artit figurativ.
Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballeni si mësuese e artit figurativ?
Sfidat më të mëdha janë mungesa e kabineteve të artit por edhe kur në ndonjë klasë disa nxënës nuk janë të disiplinuar dhe nuk i marrin mjetet apo teknikat që na duhet gjatë orës mësimore.
Si i ndihmoni nxënësit të kapërcejnë pasiguritë dhe të shprehin veten përmes artit?
Duke ju dhënë vullnet, kurajë duke i mbështetur fuqishëm që të vazhdojnë rrugën dhe jo të dorëzohen lehtë; duke ju krijuar atmosferën e mirë për t'u shprehur lirshëm në punimet e artit sepse në fund të ditës, të gjithë fëmijët, siç ka thënë edhe Picasso, janë artistë, por kur të rriten do e zgjedhin vet nëse duan të vazhdojnë artin apo të zgjedhin një profesion tjetër.
A mund të ndani një nga projektet më të veçanta që keni realizuar me nxënësit?
Po patjetër për nderë të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në kuadër të temës "Dhjetë vite dritë dhe liri", Komuna e Prishtinës organizoi ekspozitën ku morën pjesë të gjitha shkollat e kryeqytetit dhe aty kemi zënë vendin e parë duke u përzgjedhur si punimi më i bukur, piktura e nxënëses sime.
A keni ndonjë moment të paharrueshëm me nxënësit tuaj që ka lënë gjurmë te ju?
Po kam shumë momente por më emocionueset janë kur nxënësit e mi shpërblehen në gara, kompeticione të ndryshme apo ekspozita, sepse punojmë shumë bashkërisht dhe fitorja e tyre i motivon shumë që të punojnë edhe më shumë.
Pra, si i keni ndjerë pikërisht këto momente kur shihni që nxënësit tuaj arrijnë suksese përmes artit?
Kur nxënësit e mi arrijnë suksese përmes artit ndihem e përmbushur, aty them “Ja dola!”.
Çfarë planesh keni për të ardhmen në lidhje me mësimdhënien dhe artin? Përshembull a keni ndonjë projekt të madh që dëshironi të realizoni me nxënësit tuaj në vitet e ardhshme?
Po ne çdo vit bëjmë planet e aktiviteteve apo ekspozitave që synojmë të realizojmë gjatë gjithë vitit shkollor dhe zakonisht projektet më të mëdha janë ato që u kushtohen datave të rëndësishme historike.
Çfarë këshille do t'u jepnit mësuesve të rinj që sapo nisin këtë rrugëtim, si ju?

Mësuesve të rinj do u thosha që “Punoni për nxënësit me dinjitet, dashuri dhe përkushtim të madh sepse ata në të ardhmen do ta pasqyrojnë atë çfarë ne ju mësuam....”.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Letër falenderuese mësuesit
Albana Hasku, mësuesja e Diasporës, një shembull frymëzimi në Ditën e Mësuesit për misionin e dijes pa kufij