Intervistë

Albana Hasku, mësuesja e Diasporës, një shembull frymëzimi në Ditën e Mësuesit për misionin e dijes pa kufij

Albana Hasku, mësuese e gjuhës shqipe në Bari, ndan historinë e saj frymëzuese mbi sfidat dhe përkushtimin për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë. Nga klasat e Durrësit te emigrimi, ajo flet për rëndësinë e shkollave shqipe jashtë atdheut dhe përfshirjen e prindërve në këtë mision.

Mësimdhënia nuk njeh kufij. Ajo është një mision që lind nga pasioni dhe mbetet i gjallë pavarësisht sfidave. Albana Hasku, mësuese e gjuhës shqipe në Bari, është një nga ata njerëz që e ka mbartur këtë pasion me vete, nga klasat e Durrësit deri në një realitet të ri emigrimi. Në këtë intervistë, ajo ndan përvojën e saj të jashtëzakonshme si mësuese në diasporë, sfidat e ruajtjes së gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe përkushtimin për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare.

Në këtë 7 Mars, një dite simbol për mësuesit shqiptarë, Albana Hasku ka një mesazh të fuqishëm për të gjithë ata që e shohin arsimin si një mision dhe për institucionet që mund të bëjnë më shumë për shkollat shqipe jashtë atdheut.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 



Mësuese Albana, kështu preferoj t’ju drejtohem që nga momenti kur u takuam përballë në zyrat e Albas studio :). Ju keni një histori frymëzuese si mësuese që ka emigruar dhe ka përjetuar shumë sfida. Si ishte për ju rrugëtimi nga klasat e Durrësit në një realitet të ri në Itali? 


Emigrimi është i dhimbshëm, largohesh nga vendi yt, duke lënë pas gjithçka, familje, studime, punën, tokën tënde. Përpara të pret një rrugë e vështirë dhe e panjohur. Përvoja e të qenit mësuese, tashmë e kish mbuluar nostalgjia dhe malli. Sa hap e mbyll sytë ndryshoi gjithçka, jeta merr drejtim tjetër, ku duhet të përballesh me vështirësi ekonomike - shoqërore të një familje të re.



Çfarë e mbajti të gjallë pasionin tuaj për mësimdhënien edhe pse jeta ju vuri përballë sfidave të tjera? 


Profesioni i mësuesit është i bukur, sa dhe i vështirë, por kur e bën me pasion, vështirësitë nuk ndjehen. Profesionin duhet t'a duash, sepse vetëm dashuria e mban gjallë kur jeta merr drejtim tjetër. 



Si e nisët përfshirjen tuaj në mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Bari? Çfarë ju motivoi të angazhoheni vullnetarisht në këtë mision?  


Mësimin e gjuhës shqipe, fillimisht e kam nisur me fëmijët e mi. Ata rriteshin dhe unë me një abetare të vjetër nisa t'u mësoj gjuhën shqipe, pra isha Nëna dhe mësuesja e tyre e gjuhës Amë. Krijimi i shoqatës LE AQUILE DI SETA, ku unë u bëra pjesë e saj, kishte një objektiv kryesor :Hapjen e shkollës shqipe, e cila mungonte në Bari. Magjepsesh, tek sheh këto nëna, gra dhe vajza që nuk ndalen nga vështirësitë, por të vendosura të realizojnë qëllimin e tyre, mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve, të ardhmes, për të trashëguar atë që është më e çmuar për kombin tonë. Në këtë çast merr parasysh çdo gjë, ndërgjegjësohesh, kupton kohën që duhet, përgatitjet, programin, përkushtimin etj. Pra duket sikur po mbjell një pemë e mezi pret shohësh filizat e rinj, pastaj të çelë e lulëzojë.



Sa e rëndësishme është për ju ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare te brezat e rinj që lindin dhe rriten jashtë vendit? 


Thesari më i çmuar i Kombit tonë është gjuha shqipe dhe trashëgimi i saj tek brezat e rinj është e rëndësishëm dhe e domosdoshme. Për fëmijët që lindin e rriten jashtë, sigurisht bëhet gjuhë e dytë, por mbetet gjithmonë gjuha e prindërve, e vetmja mënyrë komunikimi me gjyshërit, të afërmit, toka e të parëve, ku për ta do të jetë gjithmonë një derë e hapur, një fjalë e ngrohtë, një përkëdhelje e lehtë, zemër nëne, dashuri atërore. 



Si e organizoni procesin mësimor për fëmijët shqiptarë në Bari dhe çfarë materialesh didaktike përdorni? Çfarë ndikimi ka paketa “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” në këtë proces?

Tashmë në shkollën tonë janë krijuar klasat kolektive. Mësimi zhvillohet një herë në javë për dy orë, me koleget përgatitemi gjatë javës për secilën klasë në lëndët: Gjuha shqipe, Histori dhe Gjeografi të Shqipërisë dhe Kultura Shqiptare. Ndër materialet didaktike kryesore, në kemi tashmë në dorë që nga tetori i 2022 librin "Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare, Niveli I” dhe këtë vit kemi nisur për klasën e IV Niveli II. Kjo paketë ka ndikimin kryesor në procesin e mësimdhënies. Ky libër është dhuratë për të gjithë nxënësit në shkollat shqipe në Diasporë. Në të nxënësit gjejnë dhe marrin njohuri të Gjuhës shqipe dhe Kultura Shqiptare, gramatika, ushtrime gjuhësore, poezi, lexime, rubrika të ndryshme të përshtatshme për mësimdhënien bashkëkohore. Libri padyshim është një ndihmë e madhe për mësuesin, por për procesin mësimor, ne përgatisim materiale të tjera didaktike, si: harta gjeografike, libra dygjuhësh me legjenda e tregime. Krijojmë laboratorë me projekte të ndryshme mësimore-edukative.


Si e shihni përfshirjen e prindërve shqiptarë në këtë proces? A e ndiejnë ata rëndësinë e gjuhës amtare për fëmijët e tyre? 


Çelësi i suksesit të mësuesit është prindi. Në shkollën tonë, përfshirja e prindit në procesin mësimor është themelore. Tek ne është krijuar një grup koordinimi me prindërit, të cilët ndihmojnë mësueset në organizimin e ditës, vijueshmërinë e nxënësve, pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar dhe kulturor. Rëndësia e gjuhës amtare tek prindërit për fëmijët e tyre, është baza e krijimit të shkollës sonë. Ata ushqejnë te fëmijët, dashurinë për gjuhën shqipe dhe atdhedashurinë për tokën shqiptare.



Cilat janë momentet më të bukura që keni përjetuar si mësuese e shqipes në diasporë? Ka ndonjë histori të veçantë që ju emocionon më shumë? 


Momentet më të bukura si mësuese në Diasporë janë të shumtë. Kur sheh nxënësit të flasin në gjuhën shqipe, ndjen emocione të forta, gëzimi të pushton pa masë, duket sikur mbledh frytet e punës. Një histori e veçantë dhe e bukur? Padyshim....... Kemi krijuar teatrin tonë dhe nëntorin e kaluar vumë në skenë pjesën teatrale "ROZAFATI" të Mitrush Kuteli. Interpretimi i aktorëve (nxënësit), në legjendën e murimit, bëri të ftuarit të përloten, nxënësit shfaqën emocion dhe talent. E gjitha kjo pas një pune të madhe. Një projekt tjetër këtë vit është krijimi i një televizioni të improvizuar të quajtur "SHQIP TV BARI" Çfarë është? Nxënësit tanë, vihen në rolin e gazetarit dhe reporter të vegjël. Sjellin lajme dhe njoftime nga Shkolla jonë dhe shoqata, nëpërmjet intervistave. Tek ne rriten aktorë e gazetarë të ardhshëm.

Po nga ana tjetër, cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni ju dhe kolegët tuaj në shkollën “Le Aquile di Seta”? 

Sfidat janë sigurisht, por do përmendja në radhë të parë, çuarjen përpara të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Duke qenë se komuniteti shqiptar është i madh, numri i nxënësve është i vogël. Pra ndërgjegjësimi i familjeve shqiptare për të edukuar te fëmijët domosdoshmërinë e gjuhës shqipe. 



A keni ndonjë mesazh për institucionet shqiptare, si brenda dhe jashtë vendit, për të përmirësuar organizimin dhe mbështetjen e shkollave shqipe në diasporë? 


Një mesazh? Sigurisht, vetëm më shumë vëmendje, sepse ekzistojmë, jemi një realitet që punojmë në mënyrë vullnetare. Përpiqemi që të realizojmë diçka të bukur, ndaj kthejeni kokën pak nga ne.



7 Marsi në Shqipëri është një ditë e shënuar për mësuesit shqiptarë. Çfarë do të thotë kjo ditë për ju, duke qenë një mësuese që ka dhënë dhe vazhdon të japë kaq shumë për gjuhën shqipe, edhe larg atdheut? 


Ditën e Mësuesit ka disa vite që e festoj edhe këtu në Itali, sigurisht ajo që më jep kënaqësi është urimi i nxënësve, urim që e përcjellin me zemër, siç marrin mësim nga ne mësueset, me Dashuri. Kur urimi vjen në gjuhën shqipe, kënaqësia është e madhe. Kjo ditë për mua ka një domethënie dhe vazhdon të jetojë tek unë me emocion, siç shkruante Kadare tek Mësueset e Fshatit.... Ato të urta gjer në dhembje, të thjeshta gjer në madhështi..... 



Nëse do të kishit një mesazh për të gjithë mësuesit shqiptarë, kudo ku ndodhen, cili do të ishte ai? 


Nuk ka më bukur, se t'u mësosh fëmijëve gjuhën e Mëmës, por do ishte më bukur tua linim atyre, të pasur, të pastër, pa fjalë të huaja, si kristal.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

410 Lexime
2 ditë më parë