Intervistë

Misioni jetësor i mësueses Miradije Berisha: Ruajtja dhe përsosja e gjuhës shqipe në Diasporë

Miradije Berisha, mësuese e shqipes në Vjenë, e sheh mësimdhënien si mision jetësor për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës. Në Austri, shqipja mësohet me mbështetjen shtetërore, por sfidat mbeten. Por sipas saj, aksesimi online i teksteve të Albas ndihmon në forcimin e identitetit gjuhësor të fëmijëve.

Miradije Berisha, mësuese e gjuhës shqipe në Vjenë dhe nënkryetare e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës, e sheh profesionin e saj jo vetëm si një punë, por si një mision jetësor. Për të, mësimdhënia shkon përtej dhënies së njohurive gjuhësore; ajo është një udhërrëfyese për brezat e rinj, duke i ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e gjuhës amtare dhe trashëgimisë kulturore. Një aspekt unik i mësimit të shqipes në Austri është se ky proces mbështetet dhe financohet nga shteti, duke u zhvilluar në ambientet e shkollave publike, një model që mungon në shumicën e vendeve të tjera evropiane. Megjithatë, sfidat mbeten, veçanërisht për të siguruar që fëmijët e lindur dhe rritur në diasporë të mos humbasin lidhjen me shqipen. Në këtë drejtim, Berisha vlerëson iniciativat që ndihmojnë në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës amtare, siç është ofrimi i teksteve për diasporën edhe në format online nga Shtëpia Botuese Albas. Ky hap u mundëson fëmijëve të kenë akses më të lehtë në materiale mësimore, duke kontribuar në forcimin e identitetit të tyre gjuhësor dhe kulturor.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 



Zonja Berisha, ju jeni nënkryetare e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës dhe prej më shumë se dy dekadash mësimdhënëse e gjuhës shqipe në Austri. Çfarë ka qenë shtysa kryesore që ju ka motivuar të ndiqni këtë rrugë dhe ta shihni këtë profesion si një mision të shenjtë?


Dashuria për gjuhën shqipe dhe për mësimdhënien ka qenë dhe mbetet shtysa kryesore që më ka motivuar të ndjek këtë rrugë. Si mësuese prej më shumë se dy dekadash në Austri, kam pasur mundësinë jo vetëm të mësoj nxënësit mbi gjuhën dhe kulturën tonë, por edhe të ndihmoj në ruajtjen e identitetit të tyre shqiptar. Ky profesion për mua është një mision i shenjtë, sepse gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një pjesë e shpirtit dhe historisë sonë kombëtare. Të mësosh fëmijët shqiptarë të rritur jashtë vendlindjes që ta ruajnë gjuhën amtare është një punë me përgjegjësi e madhe, por ndërkohë edhe një kënaqësi e veçantë. Çdo përparim i nxënësve të mi më jep forcë dhe më motivon të vazhdoj edhe më tutje me vullnet e përkushtim. Mësimdhënia më ka dhënë mundësinë të jem jo vetëm mësuese, por edhe udhërrëfyese për brezat e rinj, duke i ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë së tyre kulturore. Për këtë arsye, e shoh këtë profesion jo vetëm si punë, por si një thirrje dhe një mision jetësor.



Të ruash dhe të përcjellësh gjuhën dhe kulturën shqiptare ndër brezat e rinj në mërgatë është një sfidë e madhe. Çfarë ndryshimesh keni vërejtur ndër vite në interesimin e prindërve dhe fëmijëve për të mësuar shqipen?


Ruajtja dhe përcjellja e gjuhës dhe kulturës shqiptare te brezat e rinj në diasporë ka qenë gjithmonë një sfidë, por vitet e fundit kam vërejtur një ndryshim pozitiv në këtë drejtim. Një nga ndryshimet më të mëdha që kam vërejtur është rritja e numrit të nxënësve që ndjekin mësimet e gjuhës shqipe. Kjo është një tregues i qartë se ndërgjegjësimi familjar për rëndësinë e gjuhës amtare është shtuar. Gjithashtu, vëmë re një interesim më të madh nga prindërit. Ata jo vetëm që i inkurajojnë fëmijët të ndjekin mësimet, por edhe bashkëpunojnë ngushtë me mësuesit në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative. Pjesëmarrja e tyre në këto aktivitete ka ndikuar pozitivisht në motivimin e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe dhe për t’u ndjerë krenarë për identitetin e tyre. Megjithatë, sfida mbetet e vazhdueshme, pasi fëmijët e lindur jashtë atdheut kanë më pak ekspozim ndaj gjuhës shqipe në jetën e përditshme. Për këtë arsye, bashkëpunimi i vazhdueshëm mes shkollës, prindërve dhe komunitetit është thelbësor për të siguruar që gjuha dhe kultura shqiptare të ruhen.

 


Por realisht dimë se në Vjenë, ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës, mësimi i gjuhës shqipe është i mbështetur nga shteti dhe zhvillohet në ambientet e shkollave publike. Sa ka ndikuar ky fakt në pjesëmarrjen e nxënësve dhe si e kanë pritur prindërit shqiptarë këtë mundësi? 


Mësimi i gjuhës shqipe në Austri organizohet, financohet dhe kontrollohet nga organet   kompetente të arsimit të landeve përkatësisht Drejtoritë e arsimit të Landeve. Mësimi në gjuhën amtare nuk është mësim obligativ, por është mësim i dëshirueshëm dhe ky mësim ofrohet si ofertë. Në mësimin pasdite – prindi duhet ta plotësojë formularin që e ka përgatitë Ministria e arsimit të Austrisë në dy gjuhë. Këtë formular prindi e pranon nga drejtoria e shkollës, dhe nëse dëshiron që fëmija i tij të marrë pjesë në mësimin e gjuhës shqipe e plotëson dhe e dërgon prapë në drejtori. Nxënësi i cili regjistrohet është i obliguar që rregullisht të vijoj mësimin e gjuhës amtare në orarin e caktuar. Në Austri për të formuar një grup të mësimit në gjuhën amtare, duhen që të paraqiten minimum 12 nxënës dhe maksimum 24 nxënës. Grupi mund të formohet edhe me nxënës me grupmoshë heterogjene, apo kolektive (nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën). Edhe pse Ministria e Arsimit te Austrisë na e mundëson që mësimi të mbahet në shkollat publike si pjesë e rregullt e procesit mësimor duke e menaxhuar dhe financuar, interesimi i prindërve prapë lë shumë për të dëshiruar, duke pasur parasysh numrin e  madh të fëmijëve shqiptarë në Austri, që ndjekin mësimet në shkollat e detyruara shtetërore të vendit.



Nga ana tjetër, për fëmijët që frekuentojnë klasat e gjuhës shqipe, a keni vënë re tek ata ndonjë sfidë apo barrierë që hasin në përvetësimin e shqipes? Si mund të ndihmohen ata që të mos humbasin lidhjen me gjuhën e tyre amtare?


Po, ka disa barriera që ndikojnë në përvetësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e diasporës. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë, distancën e shkollës ku organizohet mësimi i shqipes, e cila shpesh është larg vendbanimit të fëmijëve; përshtatjen e orarit të mësimit të shqipes me mësimin e rregullt në shkollën që ndjekin; angazhimet e gjata të prindërve në punë, që shpesh ua vështirësojnë mundësinë për t’i çuar fëmijët në këto shkolla.

Në disa raste, edhe mungesa e vullnetit nga prindërit për të përfshirë fëmijët në mësimin e shqipes. Sa i përket mënyrave se si mund të ndihmohen këta fëmijë që të mos humbasin lidhjen me gjuhën shqipe, një nga iniciativat më të mira është ajo që po bën shtypshkronja Albas, duke ofruar tekstet e diasporës edhe në format online. Kjo u jep mundësinë fëmijëve të mësojnë shqipen në çdo kohë dhe nga shtëpia, pavarësisht pengesave të tjera që mund të hasin.



Me qenë se ju e prekët pak, me lejoni t’ju pyes, si e vlerësoni ndikimin e paketës "Gjuha dhe kultura shqiptare" në procesin e mësimdhënies? A ka ndihmuar në rritjen e cilësisë së mësimit të shqipes në diasporë?


Paketa “Gjuha dhe kultura shqiptare” ka pasur një ndikim pozitiv në procesin e mësimdhënies, duke ndihmuar në strukturimin dhe pasurimin e programeve mësimore dhe duke marre  parasysh realitetin gjuhësor dhe kulturor  të fëmijëve, që jetojnë në mjedise të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Ajo është e përshtatshme dhe e kapshme për nxënësit e moshës përkatëse, duke ofruar materiale dhe ushtrime praktike si: nga dialogë të thjeshtë e lojëra gjuhësore, shkrim krijues, analizë teksti, përshkrim pikture etj, në  mënyrë që çdo nxënës të përfitojë në përputhje me  nivelin e aftësive gjuhësore. Po ashtu tematika të larmishme te teksteve te përzgjedhura që përfshijnë ngjarje e figura historike shqiptare, tradita e trashëgimi kulturore,familjen, shkollën të cilat i ndihmojnë fëmijët të njohin dhe vlerësojnë rrënjët e tyre. Megjithatë, kjo paketë ka shtuar edhe përgjegjësitë e mësuesit, pasi kërkon një angazhim më të madh për përshtatjen e materialeve sipas nevojave dhe niveleve të ndryshme të nxënësve. që çdo nxënës të përfitojë sa më shumë nga mësimi. Gjithsesi, ndikimi i kësaj pakete në rritjen e cilësisë së mësimit të shqipes në diasporë është i dukshëm, pasi ka ofruar një bazë të unifikuar dhe të standardizuar, duke e bërë mësimin më të strukturuar dhe më tërheqës për nxënësit. 



Përveç gjuhës, sa e rëndësishme është për ju që nxënësit të njohin edhe historinë dhe kulturën shqiptare? Çfarë metodash përdorni për t’i afruar fëmijët me identitetin e tyre kombëtar?


Përveç gjuhës, njohja e historisë dhe kulturës shqiptare është thelbësore për ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjuha shërben si një urë lidhëse, por historia dhe kultura u japin fëmijëve ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për origjinën e tyre. Për t’i afruar fëmijët me identitetin e tyre kombëtar, përdor një sërë metodash dhe aktivitetesh të larmishme, që e bëjnë procesin mësimor më tërheqës dhe interaktiv. Një rol të veçantë luajnë festat dhe aktivitetet kulturore, ku nxënësit marrin pjesë në kremtime të rëndësishme, si Dita e Pavarësisë, Dita e Flamurit, Dita e Mësuesit, Dita e Fëmijëve dhe Dita e Librit. 

Po ashtu, bashkëpunimi me shkolla në vendin amë dhe me kolegë nga shkollat shqipe në diasporë qe ndihmon në forcimin e lidhjeve me kulturën dhe traditat tona. Gjatë këtyre aktiviteteve, fëmijët ndihen të lumtur dhe kanë mundësinë të shprehin aftësitë e fituara nga mësimet e tyre. Ata prezantojnë projekte, shkruajnë ese, recitojnë poezi, interpretojnë pjesë teatrale, këndojnë dhe kërcejnë valle tradicionale, duke përjetuar nga afër kulturën shqiptare. Një tjetër metodë shumë e rëndësishme janë projektet brenda klasës, të cilat jo vetëm që i ndihmojnë nxënësit të mësojnë më shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe i inkurajojnë të hulumtojnë dhe të prezantojnë informacionet e tyre para klasës. Kjo qasje u jep mundësinë secilit nxënës të angazhohet dhe të krijojë një lidhje më të fortë me vendin amë. Duke mësuar për historinë dhe kulturën tonë, jo vetëm që ruajmë trashëgiminë kombëtare, por edhe ndihmojmë fëmijët të ndërtojnë një lidhje të qëndrueshme me rrënjët e tyre.


Një mision vërtetë i bukur për ju për sa rrëfeni, por cila ka qene motoja që ju ka udhëhequr në këtë rrugëtim të gjatë? Nëse mund të na e përmblidhni me pak fjalë...


Motoja që më ka udhëhequr në këtë rrugëtim të gjatë ka qenë: “Gjuha është shpirti i një kombi – sa më shumë ta ruajmë dhe ta përcjellim, aq më e fortë do të jetë trashëgimia jonë.” Kjo moto më ka motivuar gjithmonë që të punoj me përkushtim për të mësuar dhe inspiruar brezat e rinj, duke e parë gjuhën shqipe jo vetëm si një mjet komunikimi, por si një pjesë të identitetit dhe kulturës sonë, që duhet ruajtur dhe kultivuar me dashuri.



A ka ndonjë histori të veçantë apo ndonjë moment frymëzues nga puna juaj që do të dëshironit ta ndanit me ne?


 Gjatë viteve të gjata të mësimdhënies, kam pasur shumë momente të veçanta dhe frymëzuese, por ajo që më bën më të lumtur është kur ish-nxënësit e mi kthehen për të më takuar dhe më falënderojnë për punën dhe përkushtimin tim ndaj tyre. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur shoh se ata, pavarësisht rrugëtimit të tyre në jetë, e mbajnë ende gjuhën shqipe si një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Ka pasur raste kur nxënës që dikur ishin të pasigurt në të folurën dhe të shkruarën e shqipes, sot e flasin me krenari dhe madje jua mësojnë edhe fëmijëve të tyre. Një moment që më ka prekur veçanërisht ishte kur një ish-nxënës, tashmë prind, solli fëmijën e tij në klasën time dhe më tha: “Unë kam mësuar shqipen falë jush dhe dua që edhe fëmija im të mësojë nga një mësuese që e bën këtë punë me kaq dashuri.” Këto janë çastet që më bëjnë të kuptoj se puna e një mësueseje nuk mbaron kurrë – ajo jeton në brezat që vijnë.


Po nga ana tjetër cilat mendoni se janë sfidat më të mëdha që mësuesit e shqipes në diasporë përballen sot? Çfarë duhet bërë më shumë për t’i mbështetur ata?


Mësimdhënia e gjuhës shqipe në diasporë është një mision i rëndësishëm, por njëkohësisht edhe një sfidë e madhe, si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit. Duke qenë larg atdheut, ruajtja dhe transmetimi i shqipes bëhet më i vështirë për shkak të ndikimit të gjuhës dhe kulturës së vendit pritës, si dhe mungesës së ekspozimit të mjaftueshëm ndaj shqipes në jetën e përditshme të fëmijëve. Një nga sfidat kryesore është motivimi i nxënësve, të cilët shpesh e kanë shqipen si gjuhë dytësore dhe e përdorin pak jashtë mjedisit shkollor. Po aq i rëndësishëm është edhe angazhimi i prindërve, të cilët luajnë një rol kyç në ruajtjen e gjuhës brenda familjes. Kur prindërit nuk e flasin ose nuk e promovojnë shqipen në shtëpi, fëmijët e kanë më të vështirë ta përvetësojnë dhe ta përdorin atë me rrjedhshmëri.

Për të mbështetur mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, është e domosdoshme një bashkëpunim më i ngushtë midis prindërve, institucioneve arsimore dhe vendeve amë. Shqipëria dhe Kosova mund të luajnë një rol kyç duke organizuar trajnime profesionale për mësuesit dhe duke mbështetur shkollat shqipe me burime të reja mësimore.

Gjithashtu, krijimi i më shumë hapësirave kulturore dhe aktiviteteve jashtëshkollore do të ndihmonte fëmijët të praktikojnë shqipen në mënyrë natyrale dhe argëtuese. Festivalet, garat letrare, konkurset e recitimit, aktivitetet artistike, mbrëmjet kulturore dhe vizitat në vendlindje janë disa nga mënyrat që mund ta bëjnë mësimin e shqipes më tërheqës dhe më të qëndrueshëm për brezat e rinj në diasporë.

Në fund të fundit, suksesi në këtë mision varet nga bashkëpunimi i fortë mes mësuesve, prindërve dhe institucioneve, sepse ruajtja e gjuhës shqipe është përgjegjësi e përbashkët dhe një amanet që duhet përcjellë me përkushtim tek brezat e ardhshëm.



Cili do të ishte mesazhi juaj për prindërit shqiptarë në diasporë që ndoshta hezitojnë t’i çojnë fëmijët në kurset e gjuhës shqipe?


 Mesazhi dhe thirrja ime për prindërit shqiptarë në diasporë është i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm: “Ju lutem prindër të nderuar, mos ua mohoni fëmijëve tuaj të drejtën për të mësuar gjuhën shqipe, pasi shteti pritës jua dhuron këtë mundësi pa shpenzim”. Mendoni, një ditë, edhe ata do të bëhen prindër dhe do të dëshirojnë t’ju përcjellin gjuhën dhe trashëgiminë fëmijëve të tyre. Nëse sot nuk e ruajmë dhe nuk e punojmë për gjuhën tonë, nesër ajo mund të humbasë. Prandaj, bëjeni shqipen pjesë të përditshmërisë familjare, mbështetini në mësimin e saj dhe kujtojini se të folurit dhe të shkruarit në gjuhën amtare është një pasuri që nuk ka çmim.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,244 Lexime
5 ditë më parë