Nuk dua ta mbaj më sekret: Unë kam përjetuar bullizëm!
“Mos harro, unë kam përjetuar bullizëm si ti!”...ju sjellim historitë e dy të rinjve që mund t’ju bëjnë të reflektoni. Mos e harroni, bullizmi mund të parandalohet! Leximi i këtij shkrimi është një hap më shumë drejt parandalimit të bullizmit. Sa më mirë ta njohim bullizmin, aq më mirë e ndalim atë.
Të informohesh se çfarë është bullizmi, të bën ty të kuptosh se si ndihet ai në moshën tënde që ka qenë viktimë e bullizmit.
Ky shkrim është për ty, për familjen tënde, për shokët dhe shoqet e tua, të lagjes dhe të klasës. Ti mund të zgjedhësh që këtë shkrim ta lexosh vet ose me ndihmën e një të rrituri. Në fakt, unë do të kisha një sugjerim miqësor. Lexoje bashkë me prindërit dhe motrat ose vëllezërit. Lexoje bashkë me mësuesen dhe shokët në klasë. Ndërsa e lexon, mund t’ju lindin shumë pyetje dhe mund të keni nevojë t’i ndani mendimet dhe emocionet me të tjerët. Ti ndoshta mund të kesh parë një rast të bullizmit dhe nuk i ke treguar askujt. Ky mund të ishte një moment shumë i mirë për ta bërë. Ose ndoshta dikush të ka ngacmuar dhe të ka bërë të ndihesh keq, por ti ke menduar se ajo ka qenë thjesht një lojë. Në fakt nuk është kështu. Bullizmi është dhunë dhe jo lojë. Ose ndoshta ti ke ndihmuar dikë që ka qenë viktimë e bullizmit. Leximi i këtij shkrimi do të të ndihmojë të kuptosh se sa e rëndësishme ka qenë ndihma jote për shokun ose shoqen! Mbani mend! Bullizmi mund të parandalohet! Leximi i këtij shkrimi është një hap më shumë drejt parandalimit të bullizmit. Sa më mirë ta njohim bullizmin, aq më mirë e ndalim atë. “Mos harro, unë kam përjetuar bullizëm si ti!”.
Çdo njeri në botë, pa dallim moshe, gjinie, feje është bullizuar të paktën një herë të vetme, në format nga më të ndryshme. Bullizmi përjetohet nga një fyerje, komente negative, dhunë fizike, psikologjike, demotivim etj.
I tillë është dhe rasti i Enisit, emri i të cilit nuk është i vërtetë, por për arsye që mos e dëmtojmë më shumë kam vendosur të ngelet anonim. Tashmë student ekonomie në universitetin e Korçës ka vendosur të rrëfejë përjetimin e tij mbi bullizmin për ne.
“Kam përjetuar bullizëm në shkollë, nw rrethin shoqëror, duke ecur në rrugë, kudo...Më kanë ofenduar, duke bërë debate dhe në forma të tjera. Jam paragjykuar sepse shpeshherë nuk qëndroja me ata persona që më paragjykojnë, nuk u bëja shoqëri. Në ato moment duhet të isha i vetëdijshëm për atë që po ndodhte rreth meje. Kam reflektuar dhe kam thënë që unë duhet të vazhdoj ta bëj atë që dua, sepse asnjëri nuk dëshiron që ti të arrish më të mirën. Ata që bullizojnë e bëjnë sepse nuk arrijnë të kuptojnë, dhimbjen që po i lenë viktimës”, shprehet ai.
“Ka qenë një periudhë tepër negative te unë. Por më i keq ka qenë fakti, që edhe pse kam qenë unë personi i cili po bullizohej, nuk më përkrahte askush. Nuk më përkrahte askush, nuk më jepte askush kurajë për të ecur para. Por arrita të reflektoja në kohë, para se bullizmi të linte copëza plage që nuk do më lejonin të ecja para. Kam reflektuar duke u mbështetur mbi të vetmen fjalë, unë do ja dal”, rrëfen ai ndër të tjera Enis për ne.
Në fund, ai ka ndarë diçka mbi përjetimin e tij, por më tepër për bulliizmin.
“Duhet të kuptosh bullizmin, edhe pse nuk e ke përjetuar. Nëse ti e kupton atë, dhe vendosesh në të njëjtën situatë me personin e bullizuar dhe vendos të flasësh, vetëm atëherë ne mund ta parandalojmë atë. Dhe kur ta arrijmë të parandalojmë fenomenin e Bullizmit, ne mund të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin”, tregonte mes kujtimesh të dhimbshme Enisi. “Mos harro, unë kam përjetuar bullizëm si ti!”
Jo më kot, kam vendosur të bëj ketë shkrim. Sepse, ka dhe shumë persona, si ti, si të gjithë ne që kemi përjetuar bullizëm.
Një tjetër rast bullizmi është dhe i ai Klarës.
Historia e saj ka filluar që në moshë të hershme. Po, po aty ku të gjithë ne nuk e kemi idenë se çfarë do të thotë bullizmin por e marrim gjithmonë si një lojë.
“Kur kam qenë e vogël, ngaqë kam qenë një person i ndrojtur, njerëzit talleshin me mua. Isha gjithmonë ai fëmija i ri, isha një vajzë që nuk i flisja askujt sepse isha shumë e ndrojtur. Jo vetëm e ndrojtur, por isha edhe në botën time. Ka pasur raste që edhe mbyllesha në shtëpi dhe qaja dhe të them të drejtën nuk e di si e kalova, por kam përshtypjen se këto gjërat që njerëzit talleshin dhe m’i vinin në dukje, vendosa të mos i merrja si gjëra fatale, por t’i merrja me humor. Kur dikush më tallte për diçka, unë tallesha vetë dhe automatikisht ai person nuk kishte më forcë mbi këtë gjë. Kjo më ka mësuar që të mos jem shumë e mbikënaqur me veten, dhe të kem një sjellje të denjë më personat e tjerë”, shprehet Klara.
Ndryshe nga Enisi, Klara e ka pasur të vështirë përballjen me bullizmin, për shkak të vështirësisë për t’u përshtatur në një ambient të ri. Ajo rrëfen mes lotësh, duke e fajësuar ende veten se mos ka qenë pikërisht vetë ajo shkaku i bullizmit që ka jetuar. “Mbase duhet të isha më sociale”, shprehet Klara. "Unë nuk kam qenë një vajzë me shpirtin luftarak, deri në një moshë kur kuptova se unë po humbisja identitetin, duke jetuar çdo ditë e bullizuar".
Gjatë bisedës, Klara u ndal te problemet me vetëbesimin dhe përjetimin e keq të gjërave.
“Para një viti, kam pasur shumë probleme me vetëbesimin dhe çdo gjë që mund të thoshte ndokush, e përjetoja si gjënë më të tmerrshme në botë. Çdo gjë e përjetoja, e mendoja, qaja. Universiteti me ndryshoi jetën. Kam gjetur veten, jam ekselente në mësime, sepse në gjimnaz as zyshat nuk më kanë vlerësuar, kam përjetuar bullizëm dhe nga ato. Tani, që duket sikur plagët kanë filluar të mbyllen, sërish përjetimi me i vogël më rikthen përjetimet e bullizmit”, rrëfen ndër të tjera Klara.
“Mendoj që njerëzit prekin aty ku mendojnë se kanë akses dhe unë e kam pasur këtë shqetësim, sepse kam pasur një karakter të dobët sepse ja lejoja vetes të ndikohesha nga këto gjëra,” u shpreh Klara.
Personat që bullojnë mendojnë se duke i viktimizuar të tjerët ndiejnë kënaqësi dhe përmbushje. Por nuk mund të ndihesh asnjëherë i lumtur kur të tjerët vuajnë prej teje. Para se të viktimizojnë bashkëmoshatarët tanë duhet të mbështetemi në parimin: ''Sillu me të tjerët ashtu siç do te doje të silleshin ata me ty!''. Si do të ndiheshim ne po të ishim në vendin e tyre? Sjellja është reciproke. Nëse sillemi mirë me të tjerët dhe ata do të na trajtojnë me të njëjtën monedhë, duke na falur dashuri e duke na respektuar. Nëse i tallim dhe ushtrojmë dhunë mbi të tjerët ata do të na respektojnë vetëm për shkak të frikës ose shumë shpejt do të mbetemi vetëm, të mënjanuar nga të tjerët. Një rol të rëndësishëm në këtë fenomen luajnë edhe shkollat të cilat duhet të nxisin frymën e bashkimit e të barazisë ndërmjet nxënësve e të largojnë atë të përçarjes e të epërsisë. Jemi qenie të gjalla e si të tillë asnjeri prej nesh nuk është i përkryer. Gjithsecili ka veset e veta, problemet e mangësitë e veta, sikurse ka edhe virtytet e tij që e dallojnë nga njerëzit e tjerë. Por në fund të gjithë jemi qytetar të kësaj bote të madhe. Megjithëse në drejtime të ndryshme të gjithë përshkojmë të njëjtën rrugë të quajtur jetë. Ta shijojmë fëmijërinë tonë, ta shijojmë periudhën e bukur të adoleshencës. Çfarë do të mbjellim do të korrim. Nëse falim urrejtje do të marrim urrejtje e nëse falim dashuri do të marrim dashuri. Ta largojmë bullizmin, këtë fenomen që po shkatërron fëmijërinë e të pafajshme, ta largojmë bullizmin që po shkatërron jetët tona, ta largojmë bullizmin që lëndon, ta largojmë bullizmin që vret. Ne e kemi në dore botën tonë, ne e kemi në dorë jetën tonë. Le të krijojmë një botë më të dashur, me më pak dhunë, me më shumë përqafime, të falim e të marrim dashuri, të japim e të marrim ndihmë. Vetëm në këtë mënyrë do të ndihemi të gjithë të lumtur. Jam përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi të pasqyroj gjendjen aktuale të vetëm dy prej të bullizuarve, por argumentet mund t’i bindin ata që bullizojnë për ta ndryshuar sjelljen e tyre. Shpresoj që ky shkrim të jetë një reflektim për të gjithë ne dhe mesazhi që kam dashur të përcjell të përçohet tek të gjithë lexuesit.
Përgatiti: Marina Kërçeli
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
12 mësuesit më të suksesshëm në historinë e mësimdhënies