Reflektim

Një sjellje qytetare në shkollë e drejtorit ndaj mësuesit, përcjell reflektim pozitiv te nxënësit

A nuk është e admirueshme që një drejtues të ketë një komunikim të mirë...të bashkëpunojë e të mbështesë kolegët, dhe e gjithë atmosfera e ngrohtë të reflektojë e të dyfishojë përkushtimin, dashurinë te nxënësit, për të përmirësuar më shumë rezultatet e tyre!

Në  karrierën time në fushën e arsimit kam pasur rastin të punoj me disa modele drejtuesish. Kam konstatuar që stili dhe mënyra e menaxhimit nuk ngjasojnë mes tyre... 


Nga një anë ka drejtues të prirur për të ndihmuar duke të të mbështetur në anën profesionale e emocionale dhe drejtues që jo vetëm nuk mbështesin por zhvatin ç’të munden në institucionin arsimor, pastaj të "zhvatin" edhe Ty si mësues...


Pse ... a nuk e meritojnë mësuesit dinjitetin hyjnor, misionarë që nuk rreshtin kurrë së dhëni gjithçka!?


Mësuesit ndajnë momente të veçanta me nxënësit e tyre.

Nga lapsi i munguar, që nxënësi mund ta ketë harruar nxitimthi në shtëpi, te një lot i rrëshqitur sepse prindi nga nxitimi i ka thënë një fjalë që e ka rënduar, e deri te një biskotë kur ai/ajo ka uri gjatë qëndrimit në shkollë. 


Pse kaq pak bën mësuesi, kaq pak vlen figura e mësuesit!  


Në fakt nuk janë vetëm prindërit që janë të pakënaqur me ne, pasi shqetësime dhe mos vlerësim kemi edhe nga titullarët e IA. 

Ata që janë aty çdo ditë, ata që shohin dhe prekin gjithçka dhe pastaj për një situatë fare të pakonsiderueshme të kundërvihen si "bisha". 


Mendoj që drejtuesi i institucionit (IA) duhet të jetë duke “vrapuar” në kërkim të më së mirës për veten, stafin, nxënësit dhe prindërit...pra ai duhet të jetë i pari për të dhënë shembullin.


Një drejtues IA duhet të motivojë, të përfshihet, të orientojë dhe të bashkëpunojë për të krijuar modelin e një stafi të unifikuar, që të reflektojë admirim tek nxënësit dhe në komunitet, jo të tundet në karrigen e zyrës dhe për çdo pyetje që i bën lidhur me situata apo informacione të institucionit, të ngrejë supet dhe të mos heq telefonin nga dora, ndërkohë që ti pret një përgjigje dhe një ftesë për bashkëbisedim.


Njoh shumë drejtor që dikur kanë qenë mësues dhe sot administrojnë shkolla duke ngritur institucionet e tyre arsimore. Ata nuk flenë, ata vrapojnë drejt më të resë, drejt ndryshimit, drejt projekteve, ata bashkëpunojnë, ata vlerësojnë kolegët, ata komplimentojnë dhe duartrokasin sukseset e bashkudhëtarëve të tyre. 


Drejtorët që bërtasin korridoreve, që nuk buzëqeshin asnjëherë, që nuk punojnë për t’i dhënë mbështetje emrit të shkollës, po merren me sanitaret, rojet. Pra në vend të shtojnë kontingjentin e nxënësve, të hartojnë modele dhe të zbatojnë programe për rritjen e rezultateve dhe cilësisë së mësimdhënies dhe modelin e sjelljes qytetare të nxënësve e humbin kohën duke u kapur me situata të papërfillshme.


Për mua drejtori është një mësues që qëndron në krye të stafit, i përzgjedhur për disa vlera që e bëjnë të dallueshëm nga të tjerët, të tilla si aftësia organizuese, motivuese, bashkëpunuese dhe frymëzuese.


Të qenurit drejtues nuk i jep të drejtën të shtyp kolegët apo të bërtas duke ngritur zërin, si për të thënë që ai është drejtori dhe mësuesit të jenë në rreshtore...


Një drejtor e di mirë që, secili prej nesh për të marr diplomën ka ndenjur net pa gjumë, orë duke udhëtuar, unë personalisht kam konsumuar edhe kursimet e prindërve të mi duke u hequr familjareve ndoshta edhe një vakt të ditës... vite duke ëndërruar dhe punuar për titullin që mbaj sot. E mandej, e nisëm rrugëtimin si mësues në një fshat a në ndonjë vend ku na është dashur të përshkruanim rrugë të largët me këmbë ose ndoshta disa kanë pasur fatin që të punësohen që në fillim në mes të qytetit...

Për misionin tonë, ditët edhe vitet nuk kanë qen të lehta, ka pasur ditë me diell që  ishin gri dhe ditë të ftohta që ishin edhe më të ftohta nga mungesa e ngrohjes, energjisë, por dhe nga mungesa e mos vlerësimit të lodhjes.

Secili prej nesh e ka bërë  rrugën dhe emrin e vet duke ecur i vetëm që prej vitit të parë edhe pse sot ndoshta ka më shumë se një dekadë mbi supe... 

Jam e bindur që këtë rrugë e kemi bërë të gjithë, dikush më i lehtësuar, dikush me i sforcuar ...



Ka drejtor që e harrojnë se nga cila rrugë kanë ardhur para se të ulen në karrige. Duhet t’ia kujtojmë se dikur kanë qenë mësues dhe te mos shohin postin për t’u hakmarrë apo për të bërë kolegët të ndihen të pakënaqur duke shkuar në punë gjithë stres dhe padëshirë... Karriget e posteve ku ulen shpesh i bëjnë ata arrogant, grindavec, shpërfillës dhe të paedukatë...


Shqetësimi im do të doja të vinte si reflektim ndaj figurës së drejtuesit dhe korrigjimin e  veprimeve të tij si "drejtues", të fituara si pasojë e dëlirit të shfrenuar të karriges dhe jo për ta masakruar me kritika, për t’i ç’vlerësuar titullin dhe përgjegjësin që mbart.


A nuk është e admirueshme që një drejtues të ketë një komunikim të mirë...të bashkëpunojë e të mbështesë kolegët, dhe e gjithë atmosfera  e ngrohtë të reflektojë e të dyfishojë përkushtimin, dashurinë te nxënësit, për të përmirësuar më shumë rezultatet e tyre!  



Nga Alkida Mehmeti, mësuese e lëndës Histori-Gjeografi-Qytetari, shkolla “Llazar Dashi”, Fier



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,997 Lexime
3 vjet më parë