Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit

Procesi i kualifikimit të mësuesve për vitin 2025 përfshin dosjen profesionale, orën mësimore të hapur dhe projektin kurrikular. Kandidatët për "Mësues specialist" dhe "Mësues mjeshtër" vlerësohen përmes zhvillimit të një projekti kurrikular. Më poshtë, Fiqiri Çifliku sjell shpjegimet konkrete për çdo rast.

Nga Fiqiri Çifliku


Procesit të kualifikimit, u nënshtrohen detyrimisht të gjithë mësuesit në sistem, që kanë diplomë në fushën e mësuesisë, si dhe kandidatët që japin lëndët e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimi fizik të cilët, deri më 31 dhjetor 2024 plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: 


3 vjet punë si mësues; 8 vjet punë si mësues, nga të cilat 5 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues i kualifikuar”; 15 vjet punë si mësues nga të cilat 7 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues specialist”;


Mësuesi pranohet në kualifikim nëse çdo vit ka  marrë 10 kredite, ka vlerësimin e performancës nga drejtori i shkollës për kategorinë mësues i kualifikuar dhe specialist “Mirë” ose “Shumë mirë” dhe për mësuesin mjeshtër “Shumë mirë”. 


Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit. Për raste të veçanta është kompetencë e ZVAP-së të vendosë në cilën lëndë do të kualifikohet mësuesi. 


Gjatë aplikimit online, kandidati ngarkon dokumentet (dosjes së zhvillimit profesional) e mëposhtme:


a) Diplomë: që lidhet me profilin përkatës. 

b) Certifikatat me kreditet përkatëse të vlefshme.

c) Dëshmi të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka), 

ç) Vlerësimi i fundit i drejtorit të shkollës.


Vlerësimi i kandidatëve të kategorisë “Mësues i kualifikuar” kryhet nëpërmjet:

  • dosjes së zhvillimit profesional të mësuesve; 
  • zhvillimit të orës mësimore të hapur; dhe 
  • zhvillimit të testit të informatizuar, sipas lëndëve/profileve dhe niveleve përkatëse.


Për kandidatët e kategorisë “Mësues specialist”, vlerësimit kryhet nëpërmjet:

  • dosjes së zhvillimit profesional të mësuesve; 
  • zhvillimit të orës mësimore të hapur; dhe
  • zhvillimit të projektit kurrikular në lëndën/profilin dhe nivelin përkatës.


Për kandidatët e kategorisë “Mësues mjeshtër” vlerësimi kryhet nëpërmjet:

  • dosjes së zhvillimit profesional të mësuesve; dhe
  • zhvillimit të projektit kurrikular në lëndën/profilin dhe nivelin përkatës.


Zhvillimi i orës mësimore të hapur të kandidatëve të kategorisë “Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist” organizohet në shkollën përkatëse të kandidatit me një klasë të caktuar sipas kalendarit të miratuar në ZVAP. Ora mësimore e hapur zhvillohet nga kandidati në prani të drejtorit, koordinator të sigurimit të cilësisë, drejtuesit dhe anëtarëve të ekipit lëndorë dhe vlerësohet sipas niveleve të vlerësimit, sipas shtojcës nr. 1 dhe nr. 2 të udhëzimit. Treguesit e cilësisë për vlerësimin e orës mësimore janë: Planifikimi, mjedisi i të nxënit, metodat, vlerësimi dhe arritjet e nxënësve, si dhe përdorimi i mjeteve didaktike.


Zhvillimi i projektit kurrikular për kandidatët e kategorisë së “specialist” dhe “mjeshtër” organizohet në shkollën përkatëse të kandidatit me një klasë të caktuar.


Projekti kurrikular zhvillohet nga kandidati mësues në prani të mësuesit koordinator të sigurimit të cilësisë, drejtuesit dhe anëtarëve të ekipit lëndorë si dhe drejtuesit të shkollës sipas kalendarit të miratuar nga ZVAP. Projekti kurrikular vlerësohet sipas niveleve të vlerësimit, bazuar në shtojcën nr. 3 dhe 4, të udhëzimit dhe bazohet në: Aftësitë kërkimore/hulumtuese, demonstrimin, analizën dhe interpretimi i të dhënave, zgjedhjen dhe teknikat që zbaton, aftësitë e prezantimit, si dhe rezultatet e projektit.

Pra mësuesit duhet të fokusohen tek: krijimtaria, risia, profesionalizmi, gjithëpërfshirja dhe efektiviteti i orës mësimore të hapur dhe projektit kurrikular për vlerësim maksimal dhe duhet të ketë parasysh:

a) të përgatisë paraprakisht planifikimin e orës mësimore të hapur ose të projektit kurrikular dhe t’ua vërë në dispozicion pjesëmarrësve;

b) të vërë në dijeni, drejtorinë e institucionit arsimor për klasën me të cilën do të zhvillojë orën mësimore të hapur ose projektin kurrikular;

c) të përgatisë paraprakisht mjedisin e klasës ku do të zhvillohet ora mësimore e hapur ose projekti kurrikular;

ç) të diskutojë me pjesëmarrësit mbi cilësinë dhe efektivitetin e realizimit së orës mësimore të hapur ose të projektit kurrikular.


Testi i vlerësimit të kualifikimit  ka tri nivele vështirësie: niveli 1 (i lehtë), niveli 2 (mesatar), niveli 3 ( i vështirë) dhe përbëhet nga dy pjesë:  Pjesa e parë: zbatimin e programeve, planifikimin e lëndës, mjedisin e të nxënit, metodologjitë efektive të mësimdhënie-nxënies, vlerësimin dhe arritjet e nxënësve, aspekte të etikës, sjelljes dhe komunikimit të mësuesit, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë: përmbajtja shkencore të lëndës në situata praktike nga jeta reale.


Teza e testimit të informatizuar përmban pyetje me alternativa, që vlerësohen me 100 pikë, dhe konvertohen në 40 pikë, nga 20 për secilën pjesë. Duhet që kandidati të marrë 24 pikë, për t’u konsiderohet kalues.


Ora mësimore e hapur ose projekti kurrikular për procesin e kualifikimit ndërtohet sipas planifikimit ditor, duke përfshirë risi metodologjike për realizimin e rezultateve të të nxënit, si dhe risi në veprimtaritë e të nxënit. 


Drejtori i institucionit arsimor siguron mjedisin, mjete didaktike apo mjete (nëse ka në dispozicion) në funksion të kërkesave që parashtron kandidati për realizimin e orës mësimore të hapur ose të projektit kurrikular.


Ora mësimore e hapur ose projekti kurrikular konsiderohet i kaluar me sukses kur kandidati fiton të paktën 60 për qind të pikëve të secilit komponent ndërkohë vlerësimi përfundimtar për të gjithë kandidatët bëhet me sistemin e 100 pikëve.


  1. Vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues i kualifikuar” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të testit të informatizuar.
  2. Vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues specialist” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të projektit kurrikular.
  3. Vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues mjeshtër” është 30 pikë të dosjes dhe 70 pikë të projektit kurrikular.


Vlerësimi ka pesë shkallë: A, B, C, D, E, si më parë dhe u korrespondojnë përkatësisht vlerësimeve me fjalët: “Shkëlqyeshëm”; “Shumë mirë”, ‘’Mirë”, “Mjaftueshëm” dhe “Dobët”. Nëse vlerësimi përfundimtar është “E”, “Dobët”, kandidati nuk e fiton shkallën e kualifikimit, dhe hyn në sesionit pasardhës.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,890 Lexime
1 ditë më parë