QENDRA E TRAJNIMEVE ALBAS

Mësuesit: trajnimet, ndihmë e madhe për ne

“Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës” dhe “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”, dy module trajnimi me interes për mësuesit e Tiranës. Qendra e Trajnimeve Albas përmbyll një tjetër sukses.

Trajnimi i mësuesve në shkallë vendi fokusohet më së shumti në zbatimin e kurrikulës, metodologjinë e mësimdhënies, vlerësimin e nxënësit, portofolin e nxënësve etj., dhe në këtë kuadër ato janë shumë të vlefshme për punën e përditshme të mësuesit. Këta të fundit i kanë përkrahur shumë dhe vazhdimisht kërkojnë që të kryejnë trajnime cilësore dhe të vlefshme për punën e tyre duke pasur impakt të drejtpërdrejtë te nxënësi. 


Qendra e Trajnimeve Albas ka luajtur rolin e saj tepër të rëndësishëm në këtë drejtim. Pas përfundimit të trajnimeve në Shkodër, Kukës, Berat, Elbasan, Durrës, një interes të madh për t’iu bashkuar trajnimeve të qendrës Albas kanë treguar për të dytën herë edhe mësuesit e arsimit parauniversitar të Tiranës. Në fillim të muajit maj në Qendrën e Trajnimeve Albas (autostrada Tiranë-Durrës, km 4), nga trajneret Denata Toçe dhe Natasha Poroçani u zhvilluan përkatësisht modulet “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës” dhe “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”, ku mësuesit janë regjistruar paraprakisht sipas rregullave të përcaktuara nga MAS. Secili modul përmban 1 kredit.

Mësuesit u ndjen të përfshirë gjatë orëve të leksioneve duke u bërë pjesë e diskutimeve përsa i takon eksperiencës së tyre dhe implementimin e kurrikulave te reja. Sipas tyre informacioni i marrë nuk është vetëm një kredit i shtuar në dosjen e tyre por edhe një lehtësim për punën që do të bëjnë me nxënësit. Mësuesit janë shprehur se trajnimet për ta janë një eksperiencë shumë e mirë, ku nëpërmjet tyre ata diskutojnë pyetje e paqartësi të ndryshme rreth kurrikulës. 


Enisa Kananaj, mësuese e gjuhëve të huaja në shkollën private “Aristoteli”, gjatë një interviste të shkurtër është shprehur pozitive për pjesmarrjen e saj në trajnimin me temë “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”, zhvilluar nga Qendra Albas. 


“Ndihem e kënaqur që munda të isha pjesë e këtij trajnimi tepër të vlefshëm për punën time. Ndjej gjithashtu siguri se do të jetë frytdhënës për mua teksa do të jem përpara nxënësve të mi”, është shprehur mësuese Enisa. 

Bashkëveprimi në punët me grup gjatë trajnimit dhe praktikimi në hartimin e situatave konkrete të të nxënit është një nga fazat më të preferuara nga mësuesit. Në intervistat e tyre gjatë trajnimeve ata kanë pohuar se janë ndjerë shumë mirë që u është dhënë mundësia të dëgjojnë eksperiencat e mësuesve të tjerë, apo të kolegëve të tyre. Këto trajnime duke se aq sa i ndajnë aq edhe i bashkojnë pikëvështrimet e ndryshme dhe mënyrat e ndryshme të të menduarit. 


Suela Petoshi, mësuese ndihmëse në shkollën “Fiqëri Kurti” në Kavajë, Qarku Tiranë, pas trajnimit është shprehur se moduli “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës” i është dukur shumë i përshtatshëm për punën që ajo bënë, si në teori ashtu edhe në praktikë. Të gjitha rastet që psikologia ka përshkruar gjatë këtij trajnimi në Tiranë i kanë vlejtur mësuese Suelës si një eksperiencë e domosdoshme. Ajo kujdeset veçanërisht për një nxënës i cili është diagnostikuar me autizëm. 


“Përqëndrimi në sjellje, se si unë duhet të veproj, se si duhet të sillem, si duhet të ndërhyjë kur fëmija im (nxënësi) bëhet agresiv, më ka ndihmuar shumë për ta bërë punën time më mirë”, tha mësuese Suela. Edhe pse rezultativ ajo dëshiron sërish që të marrë pjesë në trajnime të tilla për t’u përfshirë edhe më shumë në botën e këtyre fëmijëve në mënyrë që ata të marrin mbështetje cilësore. “Për mua ka qenë shumë rezultativ ai trajnim, por do të doja të zhvilloheshin edhe të tjerë në kuadër të po kësaj tematike. Mua, por besoj edhe mësuesve të tjerë që punojnë me nxënës me nevoja të veçanta, do t’u vinin shumë në ndihmë”. 


Ilirjana Hasanaj, mësuese ndihmëse në shkollën “Hasan Tahsin” në Tiranë është shprehur po ashtu e intersuar për përfshirje të vazhdueshme në të tilla trajnime. “Pjesëmarrja ime në trajnimin me temë ‘Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës’, përforcoi njohuritë dhe eksperiencën time për punën që bej me tre nxënës autik. Ishte gjithashtu edhe një lloj miratimi i asaj çka unë bëj. Jam e interesuar sërish të marr pjesë në trajnime të tilla. Ndjej të nevojshme ndarjen e vazhdueshme të eksperiencës me mësuesit e tjerë përveçse me trajneren”, është shprehur mësuese Ilirjana.  

Nëpërmjet modulit “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”, mësuesit u njohën me çështje të tilla si: mësimdhënia dhe të nxënit bazuar në kompetenca, konceptimi i orës mësimore bazuar në kompetenca, reflektimi i metodave të mësimdhënies - nxënies ndaj programeve të hartuar mbi kompetencat e synuara nga nxënësit, kuptimi mbi situatën e të nxënit, mënyrat e përpilimit dhe paraqitjes së tyre në lëndë të ndryshme si dhe roli i mësuesit për arritjen e rezultateve të të nxënit, të synuara në kompetenca, në lëndë të ndryshme. 


Ndërsa nëpërmjet modulit “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës” mësuesit u njohën me kuptimin mbi përfshirjen e fëmijëve me AK, këndvështrimin historik, kërkesat ligjore dhe integrimi si një domosdoshmëri e sistemit të edukimit dhe fëmijëve në vështirësi për t’ia dalë mban; Fëmijët me aftësi të kufizuar: llojet, vlerësimi, trajtimi, aktorët pjesëmarrës në vlerësim dhe trajtim, sfidat dhe dilemat në përfshirje; Vlerësimi i nevojave të fëmijëve me AK dhe ardhja në ndihmë e këtyre nevojave me programe te dedikuara. Programet e Edukimit Individual (PEI) dhe zhvillimi i objektivave brenda klasës. Por edhe teknikat dhe shkathtësitë e mësueseve në realizimin e objektivave.


Në fund të trajnimit çdo mësues pjesmarrës u pajis me nga një çertifikatë. Ndërkohë Qendra e Trajnimeve Albas ka zhvilluar më pas edhe trajnime në qytetin e Fierit dhe të Vlorës. 

Qëndra e Trajnimeve Albas kujdeset të plotësojë të gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimit në mjedise të përshtatshme dhe të paisur me të gjitha mjetet e nevojshme për trajnim.


(Portali Shkollor) 

7,108 Lexime
6 vjet më parë