1 QERSHORI

Mësoje fëmijën tënd...

Me rastin e festës së 1 Qershorit, Fatma Rrapo ka zgjedhur të shkruajë disa rreshta për të gjitha nënat, të cilat falin gjithë dashurinë e pafundme për të vegjlit e tyre dhe ndikojnë veçanërisht në rritjen dhe edukimin e tyre. Këto mësime janë të vlefshme për gjithë misionin që ato kanë në këtë botë.

Tregoi fëmijës tënd se këmbët e tij të vogla fillimisht shkelin tek gjurmët e tua, do të ndjekin hapat e tua e do të jenë nën hijen tënde, do të jen nën kujdesin tënd. Do të jenë vetëm sytë e tu pasqyra e parë e tij, duart e tua ngritja në këmbë në shumë herë rënie. 

Nënë, tregoji  fëmijës tënd se fillimisht ai mori ushqim nga trupi yt, gjiri yt dhe goja jote! 

Kur të rritet mësoje të dojë arsyen që i detyrohet jetës së falur, ta respektojë familjen dhe të jetë krenarë për të. 

Tregoi se babi nuk ishte pranë fizikisht gjithë kohën, por ai është fal tij dhe se ai është forca, sakrifica, vullneti ndaj të cilit nuk mjafton një një jetë  falënderuese dhe shpërblyese.

Tregoi gjithmonë mundin e madh tëndin për ta rritur dhe mësoje të punojë me ndershmëri gjithë jetën. 

Mësoje se familja nuk ka çmim në monedhë, por ka vlerë të lart shpirtërore e ndjenja e dashurisë i përket çdo rrahje zemre. Prej aty fillon kuptimi e nga aty nuk shkëputen kurrë rrënjët e thella të pemës familjare!

Mësoje se fisi është gjaku i njëjtë që rrjedh në venat e tij e gjaku yt nuk bëhet askush dot.

Mësoje të dojë njërzit me shpirt, të jap shpirtin e mirë kudo dhe të flas me shpirt për çdo situatë. Bëje të dhembshur ndaj të pamundurit, bëje human dhe fisnik në vendin dhe tokën e shterur e të varfër. 

Rrite duke i treguar shpesh herë të dojë veten dhe të mos ndihet kurrë i përulur nga zemrat e liga që për fatin e keq shumë na rrethojnë. 

Mësoje se Zoti vendos s’prova për njerëzit e mirë dhe nuk duhet të dorëzohet kurrë nëse jeta tregohet mizore shumë herë. 

Tregoi se kafshëve ju mungon instinkti i të folurit por jo të kuptuarit, ndaj dhe me ta duhet të flas shpesh dhe ti dojë shumë. 

Mësoje fëmijën tënd të jetë i drejtë dhe i mirë në jetën tonë të gjatë!

Mësoje fëmijën tënd se bota është e madhe dhe njerëzit nuk janë njësoj, nuk të shohin si je, nuk të duan njësoj! 

Mësoje të mos bëhet si të tjerët dhe behu shembulli më i mirë për të. 

Mësoje të luftojë për ëndrrat e veta dhe bëhu shpata e tij e hekurt për të mos u thyer kurrë. 

Mësoje fëmijën tënd të mos ndalet së kërkuari mirësi në shpirt e ta shpërndaj atë kudo. 

Mësoje fëmijën tënd të dhurojë, të dojë, të falë, të mbrojë, të ëndërrojë, të realizojë, të shpresojë, të ndërtojë, të luftojë, të dashurojë. Por mësoje që kurrë mos të pres asgjë në shkëmbim!


Nga Fatma Rrapo 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,795 Lexime
4 vjet më parë