ANALIZË

Kujdestaria, një angazhim simbolik apo një obligim kritik dhe domethënës?

Figura e një edukatori kujdestar dikur ishte ajo figurë që përpiqej ta përmbushte me përpikmëri obligimin dhe misionin e tij, porta e së cilit natyrshëm ngelej përherë e çelur… ishte një model. Po në kohët e sotme si shihet kujdestaria?

Zërat e të rinjve u dëgjuan që prej së largu, ca tinguj melodiozë që ndërthureshin me paraqitje të finesshme duke reflektuar shpirtra të çiltër dhe jetësorë. Nga një heshtje e cunguar atmosfera mori një pamje reaktive, një zhurmësi aspak shqetësuese, përkundrazi, frymëzuese dhe atraktive. 

Dikush ulej në heshtjen e vet për t’u ambientuar me ditën e re; dikush gufonte shpirtërisht për të ndarë me tjetrin emocionet dhe mbresat e një dite më parë; dikush zbrazte peshën magjike të një çante modeste duke stivuar me rregullsi mjetet e nevojshme dhe duke joshur trurin në spiralet e dijes; dikush shfrytëzonte heshturazi minutat e florinjta për të ripërtërirë dhe rifreskuar zellshëm njohuritë e çastit; dikush kish ndërruar shikimin përtej xhamave si për të forcuar lidhjen e natyrshme me botën e jashtme. 

 … 

S’kaloi shumë kohë dhe nga jashtë u dëgjuan hapat e sigurtë dhe të zakonshëm të njeriut të dijes dhe të kulturës, e që për ne përbënte edhe “sovranin e kohës”. Një trup i drejtë dhe i gjatë, hijerëndë dhe trupmbushur, një paraqitje serioze dhe dinjitoze, një veshje e mirëmenduar me kombinime të sigurta ngjyrash, një paraqitje fisnike në fytyrën e tij djaloshare, e cila shprehte përherë një pjekuri dhe maturi si shumë të hershme… E gjitha kjo s’kishe si mos të të bënte për vete! 


Hyrja e zotërisë edukator në klasë ishte domethënëse dhe inkurajuese, pasi vetë natyra e tij ishte e atillë. Një shikim i përzgjedhur shoqëruar nga një buzëqeshje shpresëdhënëse dhe jetike përcillej menjëherë te secili prej nesh. Angazhimi ynë i parë ishte respekti ndaj tij, secili në delikatesën karakterizuese ndjehej mjaft mirë në praninë e tij. Ishin momente qetësie dhe reflektimi minutat që kalonim së bashku…


Na njihte shumë mirë e kuptonte çdo mimikë tonën, me delikatesën që e karakterizonte na rrëmbente mendjen dhe zemrën, pasi ne ishim të tij, jo thjesht si nxënës, por edhe më shumë se kaq, na dëgjonte me kureshtje, aq sa herë-herë viheshim edhe në pozitë të vështirë, teksa mendonim se ç’mund të kishim kaq gjë të rëndësishme që t’i jepnim një edukatori kaq të ngritur. 


S’e kuptonim në fillim si mundej një edukator i tillë të ishte kaq i vëmendshëm ndaj fjalëve tona fëmijërore? Si mundej një njeri i arsimuar të mos hezitonte në bashkëbisedime të sinqerta me ne? Si mundej një mësimdhënës të gjente kohë për secilin prej nesh? Si mundej të reflektonte dhe të depërtonte aq bukur dhe me delikatesë në botën e secilit prej nesh? 


Çdo ditë ai vinte ndryshe për ne, vinte i ndryshueshëm për ne, vinte i lexueshëm dhe i lexuar, i kuptueshëm dhe i kuptuar, i arsyetueshëm dhe i arsyetuar, i gjallë dhe jetëdhënës, fjalëpak, por peshërëndë, tejet komod dhe i sigurtë në atë çfarë fliste, sepse fjala e tij ishte e mirëpeshuar, mendimi i tij ishte objektiv, vizionar dhe aspirues… 


Lexonte shumë dhe si i tillë dinte mjaft mirë të na lexonte edhe mendjet tona, një vullnet i skalitur me dëshirë dhe pasion që këmbëngulte në vullnetin e secilit prej nesh të hapte dritare të reja për vizione të reja, pasi aspirata e tij ishim ne, qëllimi i tij qëndronte në ndërgjegjësimin tonë për atë për të cilën edhe ndodheshim në institucionin arsimor. 


Çdo ditë na sillte një rrëfim të ri, ku në fokus ishim ne, mendjet tona të vogla që kërkonim një të ardhme të lumtur.  


Na rrëfente se 

  • si silleshim të respektueshëm ndaj më të mëdhenjve, 
  • si të tregoheshim të vëmendshëm ndaj fjalëve të mësimdhënësit, 
  • si të tregoheshim të kujdesshëm në bashkëbisedimet miqësore dhe shoqërore, 
  • si të përqendroheshim me përkushtim në nxënien e njohurive, 
  • si të impenjoheshim në procesin edukativ, 
  • si të punonim dhe të mësonim për ngritjen e nivelit edukativ dhe kulturor, 
  • si ta shfrytëzonim kohën brenda klasës dhe jashtë shkollës,
  • si të reflektonim në ambientet familjare dhe shoqërore… 

Na rrëfente ai se …

  • si të bëheshim si uji i rrjedhshëm kur të bëhej fjalë për bujari dhe ndihmesë, 
  • si të bëheshim si dielli kur të vinte puna të tregoheshim të dhembshur dhe të mëshirshëm, 
  • si të bëheshim si nata kur të vinte puna të mbulonim gabimet e të tjerëve, 
  • si të bëheshim si të ngrirë në raste revoltimi, 
  • si të bëheshim si dheu në rastet kur të tregonim modesti dhe çiltërsi, 
  • si të bëheshim si deti në tolerancë… 

Na këshillonte ai që ose të shfaqeshim siç ishim ose të bëheshim siç dukeshim… 

E tillë ishte figura e një edukatori kujdestar që përpiqej ta përmbushte me përpikmëri obligimin dhe misionin e tij, porta e së cilit natyrshëm ngelej përherë e çelur… pasi edhe ne kishim etje për të tillë modele kujdestarie… 



Po në kohët e sotme si shihet kujdestaria? 


Të rinjtë në realitetin e sotëm i karakterizon një hiperaktivitet i dukshëm, por i shoqëruar edhe me një gjaknxehtësi, si një zotim me veten për krijimin e një vetësigurie dhe vetëbesimi të reflektueshëm te tjetri. Ekziston një lloj irritimi i çastit për të mos pranuar mendimin ndryshe, pasi ideja e “unit” qëndron më sublime për natyrën e tij. 


Prania e edukatorit në klasë jo vetëm në pikënisjen e ditës, por edhe në sekuenca të ndryshme deri në përfundim mbetet një domosdoshmëri për vetë faktin se: 


  1. Nisur nga figura e mësimdhënësit si një edukator me seriozitetin që e karakterizon vendos një rregull dhe disiplinë duke krijuar një atmosferë komunikimi, ku secili e ndjen veten ekzistent. Të gjithë janë bashkëpunues dhe mendimet kthjellohen duke ofruar zgjidhje të shpejta. 
  2. Nisur nga karakteri, mësimdhënësi reflekton vlerat njerëzore dhe imazhin e njeriut të kulturuar që përcjell një model të qartë dhe konkret. Nxënësi arrin të kuptojë qartë modelin e një sjelljeje të duhur dhe mënyrat e reagimit ndaj më të madhit apo qoftë edhe ndaj shokut të tij të klasës. 
  3. Nisur nga aftësia e tij komunikuese raportet mësues – nxënës janë më efikase, ku çdo natyrë e nxënësve gjen pasqyrim për reagime në kohën dhe vendin e duhur. Natyrat e nxënësve janë të ndryshme, por gjuha e komunikimit përbën emëruesin e përbashkët të secilit. Mësimdhënësi tregohet bashkëpunues ku nëpërmjet shpërndarjes së detyrave afirmon aftësitë personale dhe menaxhuese të secilit prej nxënësve. 
  4. Nisur nga temperamenti, emocioni që ngjall krijon te nxënësi ndjesinë e pranimit dhe të mirëkuptimit. Natyrshëm që s’mund të kemi të njëjtin nivel për secilin nxënës, por e sigurtë është se secili prej tyre është një vlerë më vete që kërkon të kuptohet për t’u vënë në shërbim të shoqërisë.  
  5. Nisur nga formimi dhe intelektualiteti krijon atmosferën e gëzueshme dhe harmonike duke përdorur edhe batutat e çastit duke nxjerrë në pah edhe identitetin e vetë nxënësit. Një e qeshur e kontrolluar në klasë ngroh shpirtrat dhe zemrat dhe njeriu arrin të çelet edhe më shumë duke shfaqur edhe pozicione të shumëpritura prej tij. 
  6. Një mungesë e theksuar e edukatorit kujdestar në klasën e tij sjell padyshim një ftohtësi në raportet nxënës – mësues duke krijuar edhe hapësira për veprime aspak të këndshme, joetike, Nxënësi e ndjen veten të vetmuar dhe të pasigurtë duke pranuar që edhe “e gabuara” e tij përbën një “të vërtetë” për shkak të mungesës së orientimit. Nxënësi flet me zë të lartë, komunikon ashpërsisht, reagon me gjaknxehtësi, sjell keqkuptime deri në krijimin e një atmosfere të ashpër dhe aspak dinjitoze. 


Nga ana tjetër, si pasojë e kësaj atmosfere “nxënësi i mirë” humbet kontrollin duke pësuar një rënie në nivel, krijon boshllëqe, nganjëherë të parikoperueshme, duke u mbështjellë nga një indiferentizëm dhe kokëfortësi deri në një pikë që ngulmon edhe në të gabuarën. Kjo situatë sjell më pas edhe reflektime që nuk i përkasin natyrës së vërtetë të nxënësit. 


S’është e thënë se komunikimi me nxënësit duhet të ngelet vetëm në ambientin e shkollës, pasi jemi mëse të sigurtë se një njohje e mirëfilltë e kësaj natyre mund të arrihet shumë më tepër jashtë kufijve që përcakton institucioni arsimor. Për rrjedhojë, çdo lloj angazhimi jashtëshkollor do mundësonte ura lidhëse mjaft efikase jo vetëm në raportet nxënës – mësues, por edhe shumë më gjerë se kaq. Familja dhe familjarizimi brenda atmosferës në shkollë vjen dhe zgjerohet në një familje më të madhe duke u familjarizuar edhe me shumë komponentë të tjerë të këtij bashkëpunimi. Fëmija socializohet, nis të njohë tjetrin në kushte dhe rrethana krejtësisht të ndryshme nga ato të zakonshmet, analizon ambiente të ndryshme duke zgjeruar edhe vizionin e tij në mënyrën e funksionimit të strukturave të jetës. 


Ndërtimi i një produkti cilësor kërkon një mundim që s’mund të ngelet vetëm individual, por një bashkëveprim efikas edhe me komponentë të tjerë, qoftë me kolegë të punës, qoftë me anëtarë të drejtorisë, qoftë me grupe të tjera pune përtej atmosferës së klasës… Kështu nga një individ i shëndetshëm dhe i sigurtë krijojmë një grupim shoqëror që sjell rezultate dhe projekte që ndërtojnë një shoqëri të tërë edukative, kulturore dhe mbi të gjitha njerëzore dhe inspiruese për vlerat demokratike. 


A jemi gati të ndërtojmë vlerat demokratike?!... 

 

 Nga Evans Drishti, mësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës



 

Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,996 Lexime
3 vjet më parë