OPINION

Koha postmoderne dhe roli social i mësuesit

“Mësuesia është një nga ato profesione të vecanta, që nuk të jep rezultat të përditshëm, nëse nuk mendon fundin e punës që kur e nis atë”. Sociologu i njohur, Gëzim Tushi, këtë herë sjell një opinion sa i takon profesionit të mësuesit në shoqëri.

Në shoqërinë shqiptare në pamje të parë të duket se ka një ndryshim konceptimi midis vlerësimit të rolit publik të mësuesit, i cili për fat të mirë gjithnjë ka qënë i vlerësuar nga shoqëria shqiptare në çdo kohë, nga pozita që ai zë për shkak të “misionit personal”. Duke rivlerësuar rolin e mësuesit në shoqëri ne i bëjmë shërbim të veçantë forcimit të punës së shkollës, rrjedhimisht i shërbejmë shoqërisë tonë. Por për fat të keq për rolin e mësuesit si intelektual, për vështirësitë e tij të natyrshme dhe artificiale flasim pak dhe rrallë bëhemi aleatë të tij, mbështetës në punën fisnike që ai realizon. Që të jemi të sinqertë deri në fund me veten dhe mësuesit tanë, duhet të pohojmë ca të vërteta për të ndryshuar situatën dhe rritur vlerën dhe autoritetin moral dhe profesional të mësuesit në shkollë dhe jashtë saj. Mentaliteti social nënvleftësues për punën  e mësuesit dhe rolin e tij intelektual, shpesh nuk na ka lënë që mësuesinë dhe mësuesin t’i shikojmë me një “optikë” të re sociale, përtej shikimit rutinor të zanatçiut, të mësimdhënësit dhe edukatorit të thjeshtë. 

Duke e parë në këtë optikë sempliste, figura dhe roli i mëusesit mund të duken si një nga profesionet më tradicionale, me natyrë konservetore, në kuptimin që ky profesion i “mësimdhënies” nuk pëson shumë ndryshime nga detyrimet që vijnë nga evolucioni i shkollës. Një pjesë e madhe e paragjykimeve sociale dhe profesionale që bien padrejtësisht mbi figurën madhore e komplekse të mësuesit, është e lidhur me idenë e gabuar se shkolla është institucion konservativ që ndryshon pak në kohë dhe puna brenda saj nuk ka vështirësi të mëdha. 

Këtë memdjelehtësi sociale e kanë ata që nuk i kanë provuar vështirësitë e këtij profesioni.Shikimi i mësuesit me difidencë, vlerësimi i kufizuar i meritave të tij sociale dhe profesionale duket se është një mentalitet që po kapërxehet në shoqërinë shqiptare në kohën moderne.

Roli i mësuesit në shkollën shqiptare, cilësore dhe të demokratizuar, është bërë shumë i vështirë dhe tejet i komplikuar. Mësuesi tani është në një teren të ri social ekonomik, në kushte sociale dhe kulturore që ndryshojnë me shpejtësi marramendëse. Në shoqërinë shqiptare ka ndryshhuar koha, shkolla dhe nxënësi. Kjo do të thotë se këto ndryshime, duhet patjetër të reflektohen në punën, profesionin dhe personalitetin e mësuesit modern. 

Mësuesia është një nga ato profesione të vecanta, që nuk të jep rezultat të përditshëm, në se nuk mendon fundin e punës që kur e nis atë. “Fillo duke menduar fundin”, është një nga paradigmat e konceptimit modern të jetës profesionale, që është i domosdoshëm për të gjithë vecanërisht për mësuesin. Është me kosto sociale dhe personale përmbushja e misionit të mësuesit në shkollë.

Kur mësuesi ka ideal profesional të kristalizuar, kur ai është i lidhur fort me misionin dhe profesionin e tij, atëherë ai është fare i qartë për hapat që mund të hedhë dhe që ato të jenë në “drejtimin e duhur”. Puna e mësuesit nuk është e lehtë. Ai konsiderohet si një nga profesionet e vështira që jo vetëm ka kosto dhe që të imponon privacione personale, që lidhen me natyrën e vetë profesionit. Natyrisht ajo pjesë e mësuesëve që destinacionin profesional e kanë bërë pjesë të pandarë të misionit të tyre në jetë, kanë qënë të sukseshëm dhe kanë lënë gjurmë të thella në shkollë, por dhe përtej saj, në jetën sociale.

Profesioni është një nga “muret e fortë”, tek i cili mbështetet njeriu për të qënë i sukseshëm në jetë. Por me sa duket në shkollat tona ka plot mësues që kanë gjetur mësuesinë si mur të papërshtatshëm për t’u mbështetur dhe për të patur sukses në jetë. Ka plot mësues, që nga që nuk e kanë zgjedhur mirë destinacionin e tyre profesional, edhe pse punojnë dhe lodhen nuk kanë efikasitet profesional. Shpesh qarkullon një mentalitet i gabuar se mësuesia duke qënë një nga profesionet më masive të shoqërisë, është më pak i vlerësuar.

Ndoshta nga që për mësuesinë ka një kontradiktë midis vlerës dhe misionit social të profesionit dhe anonimizimit që vjen nga vlerësimi relativisht i pamjaftueshëm material. Në të vërtetë për këtë pozitë delikate dhe shpesh paradoksale të mësuesit në shoqërinë shqiptare, sipas mendimit tim po aq sa ka përgjegjësi shoqëria dhe shteti, kanë edhe mësuesët, të cilët të pajtuar me këtë “status social” bëjnë pak përpjekje për të afirmuar më dukshëm në shoqëri vlerën dhe misionin personal. Ndoshta ky është shkaku që profesioni i mësuesit në shoqëri shpesh për shkak të masivitetit ndodhet gjithnjë përballë anonimitetit. 

Besoj se në këtë situatë paradoksale të dyfishtë social profesionale ka përgjegjësinë e vet edhe shoqëria por edhe vetë mësuesit si profesionistë. Në këtë kontekst rishikimi i rolit social dhe misionit pedagogjik të mësuesit në shoqëri, është një problem kompleks që nuk lidhet vetëm me personalitetin e tyre të cënuar apo të nënvleftësuar, por dhe me rishikimin dhe rivlerësimin e detyrës dhe misionit personal dhe profesional në shoqërinë shqiptare.Koha kërkon një rishikim të misionit të tyre profesional, social dhe individual. Në këtë kontekst, sado përpjekje dhe mbështetje të japë shoqëria për të përmbushur dhe rishikuar disa modalitete të shpërblimit material të punës së mësuesit, ato nuk do të jenë të mjaftueshme në se nuk shoqërohen me punën personale të cdo mësuesi, që përtej misionit të zakonshëm profesional të sigurojë një mision personal, ose atë që në kohën moderne quhet “kushtetuta profesionale”. Vlera e të cilës është përtej vlerësimit material, sido që të jetë ai.

Në këtë kontekst, në “kushtetutën” profesionale të mësuesit, në rolin dhe misionin e tij social dhe personal, nuk është e sintetizuar vetëm ridimensionimi i vlerës së cënuar të profesionit, por dhe rivlerësimi pozitiv i misionit personal.Në se e para është edhe detyrë e shtetit dhe e shoqërisë për të riparë qëndrimet dhe raportet e tyre me shkollën dhe shoqërinë, e dyta është e lidhur me nevojën e vet mësuesit për ta parë profesionin personal si mision social, si vlerë dhe kuintesencë të papërsëritshme të personalitetit të tij. Për këtë qëllim, profesioni i mësuesit bëhet me vlerë personale dhe shndërrohet në mision social, kur ai krijon atë që quhet “kushtetutë profesionale” në të cilën janë të koncentruara të gjithë parimet kryesore dhe vlerat morale që synon njeriu të plotësojë nëpërmjet profesionit të nderuar të mësuesit.

Vetë profesioni e detyron mësuesin të ketë synime, qëllime dhe objektiva afatgjata për veten dhe profesionin.



Gëzim TUSHI

Sociolog, Mjeshtër i Madh

(Portali Shkollor)

7,079 Lexime
5 vjet më parë