Fundvit...
“Të mbash ndezur dritën e shpirtit dhe të ushqesh zemrën me virtyte të larta nuk është edhe aq e lehtë në ditët e sotme. Varfërinë materiale e shëron disi, po atë shpirtërore vështirë...”- shkrim reflektues nga Sidorela Berishaj, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën "25 Maji" Tuz, Mali i Zi.
Të mbash ndezur dritën e shpirtit dhe të ushqesh zemrën me virtyte të larta nuk është edhe aq e lehtë në ditët e sotme. Varfërinë materiale e shëron disi, po atë shpirtërore vështirë...
Lartësimi shpirtëror duhet të jetë qëllimi kryesor i jetës dhe sidomos i këtyre ditëve sepse trupi pa shpirtin nuk ka fare vlerë. Por ndodhë shpeshherë që realiteti në konfrontim me ëndrrat e çorientojnë ndërgjegjen njerëzore. Njeriu i ditëve tona është i prirur që shpesh me dashtë atë që se ka, por duhet të ndalet e të reflektojë se është me rendësi të vlerësosh atë që jeta të ofron.
Ajo që pasqyrohet nga atmosfera e festave të fundvitit vjen aq këndshëm saqë zgjon magjishëm brenda nesh vezullimin e dritës që secili e ka në thellësi të shpirtit, thjeshtë duhen receptorët kryesorë ta ngacmojnë që ajo të ndizet në momente të caktuara. Kemi nevojë për ndriçimin e saj sepse energjia që përçohet mund të ndriçojë edhe shpirtin më të errët. E pamundur të mos kaplohesh nga kujtimet e fëmijërisë sa herë që afrohen festat e muajit dhjetor. Magjia e tyre zgjon nostalgjinë dhe na kthen në gjurmët e pashlyeshme të cilat kanë ngelur diku në labirintet e mendjes. Sado që vitet kalojnë një copëz fëmijërie mbetet përherë brenda nesh. “Festa të bardha” urohej me shpirt dikur… që më kthen shumë vite pas në kohë, urim i bukur që sot, rrallë herë e dëgjon.
E kishin fjalën për bardhësinë e borës apo bardhësinë e shpirtit apo të dyja se bashku?!
Sa ndryshe ishte fryma festive atëherë? Festonim dhe gëzonim pa praninë e kamuflimit të mediave sociale, festonin për qejfin tonë dhe jo për ti bindur të tjerët që jemi të lumtur, festonin, sepse mezi prisnim çastin ku e gjithë familja bashkohej duke i dhuruar dashuri të pakushtëzuar njëri-tjetrit. Festohej me zemër plot sepse shpirti kishte me vlerë se sa gjërat materiale. Çaste ku mjetet elektronike nuk ishin fare pjesë e rëndësishme e jetës sonë, por kishin bisedat e gjata, e të pafundme deri në orët e para të mëngjesit me të dashurit tanë. Merrnim dhurata simbolike, por me vlerë të madhe për ne, u gëzoheshin gjërave të vogla se shpirtin e kishim plot.
Çfarë na duhej më shumë?! Gëzimi dhe hareja lexohej qartë në sytë tanë të cilët shkëlqenin më shumë se dekorimet e festave. Ndoshta nuk na plotësohej qejfi për çdo gjë, por na mbushej koha me prezencën e prindërve dhe shoqërisë që në asnjë moment nuk e ndjenim vetën të vetmuar. Ishim brez i lumtur edhe pa foto të bukura në rrjete sociale. Sepse bukurinë e kishim brenda nesh që reflektohej pastaj edhe në fytyrat tona.
Po sot vallë e ndjehet njëlloj ajo kënaqësia dhe entuziazmi i festave? Po te brezat e rinj? Çfarë u mungon sot fëmijëve që nuk i gëzon dot as me të gjitha dhuratat e botës?
Shpeshherë ia bëj vetes këtë pyetje retorike...Mos vallë mendojmë se fëmijëve ua mbushim mosprezencën tonë me dhurata të kushtuara? Duke harruar që gjëja më me vlerë për ta jemi, ne. Duke mos e kuptuar se koha fluturon dhe fëmijëria kalon shumë shpejt, pastaj gjurmët që ngelin në mendjen e tyre të çojnë në kujtime të boshatisura. Sepse në fund të fundit jemi qenie sociale, duam kujdes të veçantë, duam kohë, dashuri, përkushtim sepse këto janë dhuratat më të bukura për njerëzit e zemrës. Por rrjedha e kohës ka ndryshuar shumë gjëra tashmë. Dhe ne si ikin dot. Apo më mirë të themi se e kemi ndryshuar ne rrjedhën e kohës sepse kështu na pëlqen dhe na përshtatet. Sot jemi të mbytur në luks, por se kemi luksin të jetojmë qetësinë e mëparshme që mjaftoheshim me pak, por lumturoheshim më shumë, ishim ne ata që u jepnim gjallëri festave dhe jo festat gjallëri neve. Sot dinamizmi festiv është kthyer në qetësi që shpeshherë edhe të mbyt. Në një botë të rrethuar me plot me njerëz, por ndjehesh i vetmuar. Ironike, por është realitet i ditëve tona. Një trup mund të rrijë vetëm, por një shpirt jo se pastaj nuk ekziston. Si me magji ikin shpejt muajt, javët, ditët dhe ja jemi pikërisht para fundit të vitit. Jashtë çdo gjë ka marrë një pamje mahnitëse...
Dekorimet e festave i kanë dhënë një bukuri tjetër qytetit, rrugëve, shtëpive, çdo gjë vezullon bukur nën mantelin e netëve të gjata e të errësuara të dimrit...
Gjithçka duket për mrekulli nga ana sipërfaqësore, shkëlqen qyteti, shtëpitë, njerëzit madje edhe lagjet më te varfra... Po vallë dritat e shpirtit a i kemi ndezur?! Ato duhen të shndrisin gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për festa...
Ah, sa bukur është të ndjehesh i plotësuar dhe me zemër plot dashuri për fundvit! Të reflektosh pozitivisht nuk është e lehtë sepse duhet ta ndjesh që ta bësh dhe pastaj ajo energji përcillet edhe tek të tjerët. Të marrim shembull nga dritat që vezullojnë dhe e përçojnë energjinë pa u kursyer që ndriçojnë edhe rrugët me të errëta. Të ngrohim shpirtin siç ngrohim duart afër zjarrit në këto ditë të ftohta dhjetori. Të rrezatojmë mirësi, sepse kjo u mungon më shumë njerëzve. Bëje një shpirt te lumtur për këto festa.
Nuk mjaftojnë dritat e ndezura të qytetit që të shikojmë njerëz të lumtur, një shpirt është i gëzuar kur nuk i mungon dashuria.
Çdokush ka nevojë për dhurata këtë fundvit dhe jo vetëm fëmijët... Jep edhe ti nga pjesa jote! Mos u bëj egoist, dhuratat më të bukura dhe më të kushtuara janë falas, nuk i blen dot, ato vetëm mund t'i dhurosh...sepse virtytet e mira e bëjnë shpirtin të dali nga vendi ku është i strukur.
Njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për paqe, dashuri, respekt, kohë dhe mirësjellje...
Sa më shumë që rritesh në moshë aq më shume rritesh në gjëra te vogla të cilat të jemi të vetëdijshëm se pikërisht ato gjëra të vogla na e bëjnë jetën dhe zemrën e madhe.
Mos harro stolise zemrën me dekorin më të bukur, ndizi dritat e shpirtit dhe shkëlqe në këtë fundvit!
Nga Sidorela Berishaj, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën e mesme "25 Maji" Tuz, Mali i Zi
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderuese mësuesit
Mësuesit që nxënësit vlerësojnë më shumë
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...