“Çelësi i suksesit të një drejtuesi është puna”
“Çelësi i suksesit që kemi arritur si shkollë është puna në grup si një ekip i vetëm drejtori, këshilli i mësuesve dhe bashkëpunimi i ngushtë me prindërit për të kuptuar të drejtat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj shkollës.”
Portali Shkollor ka zhvilluar një intervistë me drejtoreshën e shkollës “26 Nëntori” Sheri Banushi. Drejtoresha na rrëfen momentet e vështira gjatë punës, marrëdhëniet me mësuesit dhe nxënësit, kur nis dhe kur përfundon dita e një drejtuesi.
Si ishte ai momenti i parë kur ju u emëruat drejtoreshë?
Ishte shumë emocionues, por njëkohësisht dhe një përgjegjësi e madhe si drejtuese e kësaj shkolle.
Cili ishte mendimi i parë në ato momente?
Mendimi i parë ishte që do punoj fort si drejtuese për ta renditur këtë shkollë ndër shkollat më të mira të Arsimit Parauniversitar në Tiranë.
A i trembeshit diçkaje në këtë pozicion punë? Çfarë dhe përse?
Duke u mbështetur në aftësitë e mia menaxheriale dhe komunikuese, pasioni për profesionin, dëshira për të kontribuar nuk më trembnin në këtë pozicion pune.
Si nis dita juaj e punës dhe kur përfundon?
Dita ime nis me paraqitjen në ambientet e shkollës në orën 07:30 me synimin për të motivuar këshillin e mësuesve dhe nxënësit për fillimin me përkushtim të procesit mësimor. Për aktivizimin e nxënësve dhe gjithë përfshirjen e tyre në një proces mësimor cilësor me objektiva dhe synime të qarta. Përfundon me vëzhgimin e arritjeve dhe cilësisë të procesit mësimor gjatë ditës.
Çfarë ka ndryshuar në këtë shkollë nën drejtimin tuaj?
Ndryshimet që kanë ndodhur nën drejtimin tim është rritja e cilësisë në procesin e mësimdhënies, forcimi i disiplinës në punë, aftësimi i nxënësve për të punuar në grup dhe në mënyrë të pavarur, vëzhgimi sistematik i njohurive të nxënësve, bashkëpunimi i ngushtë në grup i këshillit të mësuesve dhe zhvillimi profesional i tyre, komunikimi etik. Rritja e cilësisë së higjienës në shkollë. Rritja e bashkëpunimit të shkollës me familjen.
Sa nxënës ka shkolla?
Ka 529 nxënës në vitin shkollor 2016-2017.
Është e vështirë të punosh, të përcaktosh rregulla dhe t’i zbatosh ato në një ambient ku janë mbledhur nxënës që vijnë nga familje të ndryshme, të edukuar ndryshe... në fund të fundit të gjithë jemi të ndryshëm?
Duke njohur komunitetin heterogjen që kemi dhe vështirësitë që na janë paraqitur organizuam punën sipas një planifikimi të studiuar. Çelësi i suksesit që kemi arritur si shkollë është puna në grup si një ekip i vetëm drejtori, këshilli i mësuesve dhe bashkëpunimi i ngushtë me prindërit për të kuptuar të drejtat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj shkollës për të bërë më të mirën për fëmijët e tyre. Them me shumë kënaqësi se fal punës së vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë sistematik kemi arritur rezultate pozitive në procesin mësimor edukativ.
Çfarë ju ka mbetur në mendje gjatë punës suaj?
Duke menduar gjendjen e fillimit të punës si drejtuese më ka mbetur në mendje ndryshimi rrënjësor në të gjitha aspektet e punës në shkollë.
Cila është motoja juaj në punë?
Rritja e cilësisë së punës, harmonia dhe bashkëpunimi i ngushtë në këshillin e mësuesve, krijimi i një klime pozitive mësues – nxënës.
Cili është çelësi i suksesit të një drejtuesi?
Çelësi i suksesit të një drejtuesi është puna e studiuar mirë dhe sistematike, bashkëpunimi në vazhdimësi, krijimi i një klime pozitive në stafin e mësuesve dhe delegimin e detyrave për secilin prej tyre.
Cili është urimi juaj për mësuesit dhe nxënësit?
Urimi im është: Suksese në misionin tuaj humane mësues/e të dashur. Nxënësve ju uroj lumturi çdo ditë të jetës tuaj, rezultate pozitive dhe sa më shumë dashuri për njeri-tjetrin.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu