Kartolina e drejtorit
"Ka një pozicion shkolla jonë, nga ku rri dhe shoh secilin prej jush tek vini mëngjeseve dhe zbrisni makinën e shkollës, tek merrni kë të mundni përdore, për ta sjellë në klasë. I flisni dikujt për një porosi, lini një mesazh prindi në sekretari..."
Përshëndetje kolegë!
Këtë që po bëj sot, se kam bërë ndonjëherë. Jam ulur dhe po shkruaj një kartolinë për ju. E dini pse nisa ta bëj?! Sepse mora shkas nga kartolinat elektronike një pjesë të të cilave m’i nisni ju por edhe miq të tjerë në messenger, ashtu të përgjithshme, pa jetë, pa ndonjë detaj specifik që mund të më përkasë mua. Ato nuk më gëzojnë. Përkundrazi më trishtojnë miq të dashur.
Po edhe sepse doja sot t’i përkushtohesha dikujt në mënyrë të veçantë. Dhe natyrshëm mendja, më shkoi te ju. Kështu nisa të bëj diçka krejt të posaçme.
Do doja në fakt që sot të më njihnit pak më ndryshe. Dhe të më lexonit drejt e në fjalë urimi. E kam një merak të thjeshtë që gjithkujt t’i them atë që pret e në mos të paktën ajo që do të kuptoni të jetë jashtë fjalës së një eprori, por pse jo të një drejtori. Sidoqë të jetë unë jam drejtori juaj.
Në këto ditë të natyrshme që ndajnë vitet, kur orët rrjedhin vrullshëm e ne nuk kemi kohë për asgjë e në fakt bëjmë çdo gjë, ajo për të cilën kemi nevojë më shumë janë urimet. Ndonëse shpesh sillemi sikur nuk na interesojnë, në fakt të gjithë e dimë si lëviz syri dhe bulëza e buqëqeshjes tek lexojmë fjalë të arta urimi.
Kjo kartolinë është dhe një formë dedikimi për ju, sepse unë dua të jetë e tillë. Bashkë kalojmë më shumë se gjysmën e çdo dite. Ka një pozicion shkolla jonë, nga ku rri dhe shoh secilin prej jush tek vini mëngjeseve dhe zbrisni makinën e shkollës, tek merrni kë të mundni përdore, për ta sjellë në klasë. I flisni dikujt për një porosi, lini një mesazh prindi në sekretarinë e shkollës, me obligimin që të çohet deri në zgjidhje dhe më pas filloni mësimin. E dëgjoj zërin e secilit prej jush kur është i butë e tek ngrihet sipas situatave në auditor. Asgjë si shpëton syrit tuaj. Edhe nëse bëni gabime të vogla, do të ndodhë pasi mësuesit i duhet të marrë kaq shumë vendime në një ditë. E mbi të gjitha jeni njerëz. Po po, e di që ju pëlqen ta them këtë.
Ndoshta kur kapni shikimin tim, mendoni veç për të metat tuaja. Në fakt aq shumë më gëzojnë të mirat tuaja, e dua t’ua vë në dukje ato, t’ju përgëzoj dhe e bëj në mënyrën time. Po e bëj edhe sot.
E di që e mirëprisni. Por ju them se e meritoni.
Tani do lë një rresht bosh… secili prej jush këtë fjali do ta ketë të personalizuar.
Psh.
Vjosa: Uroj ta dish se ne e dimë që ti lëndohesh lehtë. Se ke botën kundër shijoje çastin e bukur.
Redi: uroj ta dish që nxënësit të respektojnë dhe të quajnë njësh.
Palushi: Uroj ta dish se kiminë nuk e duan të gjithë ndaj vazhdo të bësh sa më shumë eksperimente, se ashtu të kuptojnë të gjithë. E kështu me radhë.
Tonja: Uroj ta dish se me fisnikëri mbron gjithkënd.
Olsa: Uroj ta dish se je botë ujëvare për fëmijët. Etj.
Midis jush kolegë të dashur ka familjarë, ka beqarë, ka prindër, gjyshër, bija dhe motra e vëllezër. E në jetën tuaj ka njëmijë gjëra si e gjithë jeta e gjithkujt. Mos u merakosni për këtë.
Po kështu, po kujtohem se shumë prej jush janë të rinj dhe kanë nevojë për modele. Mos imitoni kolegë të dashur. Krijoni një imazh tuajin dhe shikoni sytë e fëmijëve, ata janë pasqyrë kristali.
Unë nuk ju dua të përkyer, por ju dua të vërtetë, bindshëm të vërtetë. Nuk ju dua të mirë, por ju dua të natyrshëm. Nuk ju dua paqësore, por njerëzorë, nuk ju dua fjlalëpakë a fjalëshumë, por ju dua fjalë mençur, nuk ju dua të ftohtë, as qaramanë, por ju edhe mund të qani nga dhimbja dhe gëzimi. Ju jenë mësues miqtë e mi, dhe ju rrini çdo ditë me fëmijë. Ju duhet të besoni si ata te babagjyshi, te lodrat dhe te e ardhmja.
Do doja t’ju thoja më tepër, por s’dua që kjo kartolinë të kthehet në leksion poeti a drejtori.
Po ikën edhe ky vit.
Shoh kurajo dhe dritë në sytë tuaj ndaj ju them forcojeni atë.
Shoh dashuri në dorën tuaj ndaj ju kërkoj ta zmadhoni atë.
Shoh përkushtim në hapin tuaj ndaj zgjateni atë.
Shoh botë në mendjen tuaj dhe mos harroni, zbukurojeni atë.
Ne jemi të rëndësishëm miqtë e mi. Ndihuni të tillë dhe s’do keni asnjë bezdi për orët, ditët dhe muajt që vijnë. As për vitin që po shkon.
Sa të bukur jeni. Po, po ju jeni të bukur. Ngrijeni gotën e verës, pijeni sot për jetën, dashurinë dhe familjen tuaj. Pijeni për njëri - tjetrin dhe botën tonë plot fëmijë e dije.
Gëzuar kolegë të dashur, jam në çdo zemër tuajën për pak çaste, në çdo humbje që keni pësuar këtij viti, në çdo gëzim, në çdo martesë, në çdo çmim e vlerësim, në çdo paqartësi, në çdo ankim. Në çdo mbarësi a disfatë. Ju jeni njerëz të bukur.
Ju dua dhe ju nderoj.
Me shumë dashuri e krenari po ju nis një kartolinë të punuar nga të vegjlit e shkollës sonë.
Mbarësi për 2018.
Përzemërsisht
Adriatike LAMI
(Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu