REFLEKTIM

Cili është Coronavirusi i personave me aftësi ndryshe?

Kur të mbarojmë udhëtimin dhe betejën ndaj Coronavirusit le të kthehemi ndryshe, me mendimin për të qenë të gjithë së bashku, edhe me individë të cilët gjithmonë kanë nevojë për mbështetjen dhe empatine tonë jo vetëm kur rrezikojmë kolektivisht.

                Ata kanë ndoshta aftësi të kufizuara, por ne kemi dije të kufizuara ndaj tyre.

                U bënë ditë që nga epidemia COVID- 19 miliona njerëz dhe qindra shtete, jemi tashmë të përfshirë në një traumë kolektive, po përballemi me një kërcënim për jetën. Me të drejtë të gjithë jemi nën trysnine e një ngarkese emocionale të jashtëzakonshme, ngarkesë që tek njerëz të ndryshëm, shfaqet me reagime të ndryshme. Çdo ditë po lexojmë pa fund informacione, artikuj, këshilla, përpjekje titanike për t’i ndihmuar ta kapërcejnë këtë situatë të moshuarit, sepse janë kategoria më e rriskuar, fëmijët, sepse janë më sensibël ndaj çdo situate, adoleshentët, sepse janë moshë delikate dhe duan kujdes të madh, të rriturit, sepse janë gjithë kohës aktivë dhe pasiviteti i "mbyt" ata, biznesmenët, sepse u falimentuan bizneset, për të varfërit, sepse kanë vazhduar dhe do vazhdojnë të mos kenë as bukën e fëmijëve të tyre për rrezikun që ju kanoset, për personelin mjekësor, të policisë, të gazetarëve që po rriskojne drejperdrejt jetët e tyre për të mbrojtur tonat, dhe të gjithë punonjësve që vazhdojnë pa ndërprerë punën për shërbimin ndaj nesh, të nevojave bazë. 


                  Sa keq ndihem..., jo se po ju kushtohet rëndësi gjithë këtyre kategorive, sepse kjo është ajo që duhet bërë, por pse brenda këtyre kategorive nuk bëjnë pjesë edhe ata, sa pak kam dëgjuar dhe lexuar të përmendën këto ditë nga të gjithë, përsëri, fatkeqsisht, pjesa më e madhe do bëjnë pyetjen kush janë ata? Oooo, sa keq ndihem perseri, sepse ata janë më të veçantët mes nesh, ata janë engjëj mes nesh, ata janë provë e madhe për njerëzimin, provë që fatkeqësisht ne vazhdojmë ta kemi të humbur sa kohë që jemi këtu ku jemi përballë tyre dhe ne vazhdojmë të mos i shohim. Ata janë njerëzit më të pastër në këtë botë, ata janë më të fortët përballë sfidave të përditshme. Sfida e konsideruar shumë “e madhe” nga ne këto ditë, ajo e Coronavirusit, nuk është e tillë për ata, sepse për ata është diçka rutinë, e zakonshme, është e vazhdueshme dhe here-herë e përjetshme, sepse “Coronavirus", sa e dhimbshme për ta thënë..., por në fakt jemi ne për ata. 


                  Ne, shumë shpesh, me hir e me pahir, bëhemi kërcënim për ta, pasi kërcënim je për dikë që nuk e vlerëson, nuk e kupton as nuk përpiqesh ta bësh, që i shkel të drejtat me sy hapur dhe, si pasojë, mund të kthehesh në një barrierë të madhe për ta. Ata janë dashuri e kristaltë, ata të kërkojnë vazhdimisht dashurinë dhe ta japin atë, por nëse nuk ua jep, ata ikin dhe strukën, kurrë, asnjeherë një fjalë jo të mirë nuk e flasin për ty, edhe kur ti sillesh siç nuk duhet me ta. 

Le të kemi kujdes, të bertiturat e tyre dhe të qarat mes një dasme, të qeshurat e tyre përpara një aksidenti automobilistik, nuk janë ashtu siç i shohim ne, por siç ata ndiejnë në ato moment, ne jemi të paaftë t’i kuptojmë ata. Sa themi “sa gjynah” më efikase do të ishte të themi “është i shqetesuar mbase, si mund ta ndihmoj”. Sa themi për fqinjën “e shkreta Elsa e ka djalin e semurë, as në punë nuk del dot ” a nuk do ishte më mirë sikur në vend të kësaj të themi “si do bëjmë që ta ndihmojmë Elsen të mund të dalë në punë, i mbajmë djalin me radhë si mendoni”.  

Ehhh, sa ndryshe do të ishin ata po të ishim edhe ne…


                 Mos të harrojmë asnjëherë se çdo sjellja e tyre përkthehet në formë komunikimi me ne, ata përpiqen me gjithë forcën e tyre që të komunikojnë atë që duan të thonë, dhe janë jo të paktë personat që tregojnë një mospërfillje jo njerezore ndaj kësaj përpjekje. Mbetet për t’u menduar, në se janë ata me aftësi të kufizuara që përpiqen dhe bëjnë të pamundurën për të arritur qëllimin, apo ne që përballë tyre i themi vetes, as pa u përpjekur madje, “nuk mundem”. Në se engjëjt ekzistojnë edhe në tokë, për mendimin tim janë ata që i përfaqësojnë. Po për ata të tjerët si nuk u kujtuam këto ditë, cilët? Ata pra, ata më të rëndësishmit e atyre që përmenda më lart, mbretërit e këtyre personave, prindërit e tyre. Ata që lindin heronj, jetojnë dhe vdesin të tillë.


                 Si nuk u kujtuam vallë për këta që mbrojtjen prej Coronavirusit ndaj gjakut të tyre (fëmijës së tyre) e kanë të pandalshme, për asnjë sekondë të vetëm ata nuk ndalojnë së mbrojturi dhe së vrapuari mbas tyre. Ohhh, prind i shkëlqyer ti, sa forcën e ke, sa dashurinë, sa durimin, sa vullnetin, sa ambicien, sa dhimbjen, sa ankthin, por sa shumë shpresë që ke ti dhe jo më kot je zgjedhur, se ti je ai që më mirë se gjithë të tjerët i vë në zbatim këto cilësi pozitive dhe ia del për bukuri mbanë. Por deri kur më të vetëm, deri kur të pakuptuar, të pambështetur dhe madje edhe të paragjykuar?! Mua, si person që mendon se i kupton dhe tashmë prej ca vitesh pranë tyre, si njeri së pari dhe si mësuese, psikologe dhe si terapiste, së dyti, pavarësisht kushteve në cilat ndodhemi, do të më mjaftonte gjatë këtyre ditëve që të dëgjoja vetëm të përmendëshin pak më shumë, të shkruhej më shumë për ta, do të më mjaftonte sikur të dëgjoja një fjali të vetme "gjatë ditëve të karantinës vështirësi shumë të madhe po kalojnë edhe fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e këtyre fëmijëve, të cilët po qëndrojnë 24 orë brenda dhe pa terapi...”. 

Ne, prej ca ditësh jemi të gjithë së bashku në një anije, mes një oqeani të madh, tek po lundrojmë me shpresën se nuk do mbytemi, ndodhemi nën një presion të jashtëzakonshëm të kohës që të përfundojmë sa më shpejt udhëtimin dhe të shpëtojmë të gjithë.       

                 

Andaj, Rrjeti Professional i Mësuesve Ndihmës, Lezhë, i përbërë nga Marte, Antoneta, Gjelina, Agetina, Marjana, Majlinda, Laureta, Laureta, Luljeta, Eliona, Elda, Elda, Zefi, Vitore, Violeta, Marsida, Erada dhe Pranvera.... dhe gjithë mësueset e tjerë të klasave dhe mesuesit ndihmës besoj në të gjithë Shqipërinë, të cilët janë njerëzit, që falë reformave ne arsim, pas familjarëve, janë njerezit më pranë kësaj kategorie, ju bëjnë një apel:

  "Kur të mbarojmë udhëtimin dhe betejën ndaj Coronavirusit dhe të rikthehemi në jetët tona normale, le të kthehemi ndryshe, ndryshe me mendimin për të qenë të gjithë së bashku, jo vetëm kur rrezikojmë kolektivisht, por edhe me individë, individë të cilët gjithmonë kanë nevojë për mbështetjen dhe empatinë tonë".  

                                                

Dedikuar të gjithë fëmijëve me Çrregullimin e Spektrit Autik, por në veçanti njërit prej tyre, nxënësit tim të shtrenjtë dhe diellit të mamit!                                        

(Shkrim i bërë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit të Fëmijëve me Çrregullimin e Spektrit Autik)                 

                

Pranvera Paplekaj (Martinaj): Drejtuese e Rrjetit Profesional Mësues Ndihmës, Lezhë.




© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,886 Lexime
4 vjet më parë