MËSUESI IM I PARË

Babai, ikona ime e mësimdhënies

Unë kam pasur mësues të mrekullueshëm. Secili prej tyre më ka dhënë nga vetja përveçse njohuri edhe copëza shpirti. Të gjithë ato janë arsenali i të diturve që mua më bënë njeri, por kryesori i këtij arsenali është "mësuesi im i parë", babai im.

Ai më mësoi të shkruaja e të lexoja më parë se moshatarët e mi. Gjithnjë kur vinte nga puna, ndonëse i lodhur, nuk e hiqte petkun e mësuesit serioz dhe niste mësimin me mua. Edhe pse portreti i tij ishte serioz, toni i tij kishte "matematikë" në çdo fjalë. Unë nuk e kisha frikë. Ai më mësonte gjithmonë përtej librave. Gjithnjë më tregonte një mënyrë ndryshe të zgjidhjes së ushtrimeve. 


Kur kthehesha nga shkolla në shtëpi i thoja që mësuesit e zgjidhën ndryshe dhe ai vetëm më buzëqeshte. Asnjëherë nuk më tha përse e bënte këtë. Babai im më mësoi të shkruaj përpara se të futesha në shkollë. 


Në vitin 1983 ishte diçka e veçantë të shkruaje gjithë shkronjat e madje të shkruaje fjalë pa hyrë ende në shkollë. Mua më mësoi ai. Ende dhe sot më kujtohet se si më mësonte të mbaja stilolapsin, se si më tërhiqte vëmendjen kur nuk i rrumbullakosja shkronjat ashtu si donte ai. Punën e tij si mësues pëlqente ta përsoste tek unë, pavarësisht se nxënësit e tij matematikën e kishin të thjeshtë vetëm e vetëm nga arti i të mësuarit të atit tim. 


Fati apo shembulli i tij, deshën që edhe unë të isha mësuese. Në ditën e parë të punës ai nuk harroi të më këshillojë: Seriozitet! Sa më serioze në punë! Unë e ndjeva që ditën e parë të punës që isha kopja e tij. Të paktën kështu më pëlqente të isha, sepse të ishe kopje e tij në punë ishte gati e pamundur. 


Unë rritesha profesionalisht por përballë tij isha gjithnjë fëmija që pret të mësojë. Se di nëse ju e keni përjetuar vetë nga prindërit tuaj, por babai im çdo fjali e niste me "mos". Nuk më thonte "Bëhu njeri i mirë", por më thonte "Mos u bëj njeri i keq", nuk më thonte "Sillu mirë me njerëzit" por më thonte "Mos u sill keq me njerëzit", nuk më thonte "Respekto dinjitetin e nxënësit" më thonte "Mos prek në dinjitetin e nxënësit". 


Ç'të them? Askush nuk e harron mësuesin e parë. Fëmijët janë të çiltër. Duan me pastërti. Unë kam pasur mësues të mrekullueshëm. Secili prej tyre më ka dhënë nga vetja përveçse njohuri edhe copëza shpirti. Të gjithë ato janë arsenali i të diturve që mua më bënë njeri, por kryesori i këtij arsenali është "mësuesi im i parë", babai im. 


Në këto ditë të vështira, kur më e vlerësuara dhe më e rrezikuara është jeta, më kujtohet përpjekja e tij për të më mësuar gjithmonë variantin ndryshe. Sot e kuptoj. Jeta është e vështirë. Varianti ndryshe, rruga ndryshe e zgjidhjes së problemeve është mësimi më i vyer që më mësoi babai im. Sa herë që gjendem në rrugën që ndjek shumica, ndalem dhe reflektoj. Ndjek rrugën time, atë të njeriut të drejtë që më mësoi mësuesi im i parë, babai im.



Nga Alma Shiba Mara


Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,940 Lexime
3 vjet më parë