“Vështirësitë e menaxhimit të klasës”, periudha pas pushimeve të festave
Mënyra si organizohet klasa ndikon në gjithë klimën e klasës dhe sjelljen e nxënësve. Mësimdhënia efektive dhe menaxhimi i klasës janë të pandashme për nga rëndësia dhe funksionaliteti i tyre për një orë mësimdhënie të arrirë/të suksesshme.
Java e parë dhe e dytë e rifillimit të mësimit pas pushimeve festive, ku nxënësi rikthehet nga një periudhë atmosferë festash me aktivitete nga më të ndryshme krijon një vështirësi për përshtatjen e tyre të menjëhershme me rutinën e mësimit. Në këtë rast strukturimi, organizimi i menaxhimit të klasës përcakton atmosferë për pjesën e mbetur të shkollës. Mësuesit janë ata që kanë vështirësinë dhe peshën më të madhe, (sidomos mësuesit e arsimit fillor) për të krijuar këtë stabilizim, për të realizuar kështu një mësim sa më efektiv.
Një plan i plotë i menaxhimit të klasës përfshin organizimin e ambientit fizik, kthimin tek rutina ( procesi mësimor), rregullat, kodi i sjelljes që nxënësit duhet të zbatojnë.
Për funksionin dhe rivendosjen e një organizimi mësimor dhe disiplinor në klasë mësuesi duhet t’i përsërisë këto për t'i kthyer në rutinën e përditshme të procesit mësimor. Pra duhet përcaktuar rutina e pranueshme për klasën, dhe kjo vetëm duke jua bërë të qartë nxënësve rutinën sepse çorganizimi humbet kohën e mësimit. Përcaktimi i rutinës është shumë i rëndësishëm duke filluar që nga të bërit e apelit, numërimi i nxënësve gjatë drekës për shkollat që kanë mensë (sidomos për arsimin fillor), dhënia e detyrave në klasë është mjaft efikase ku çdo detyrë duhet të jetë një aktivitet pozitiv që inkurajon nxënësit për të mësuar; përshtatja e detyrave me aftësitë, interesat dhe nevojat e nxënësve; përfshirja e nxënësve si ndihmës mund të stimulojë ndjesinë e përkatësisë apo komunitetin në klasë.
Por më tepër "aktorët” kryesorë janë mësuesit të cilët duhet të përpiqen të motivojnë nxënësit e sidomos kur bëhet fjalë për ata nxënës që janë hiperaktivë dhe e kanë edhe më të vështirë përshtatjen me rutinën (procesin mësimor). Në këtë mënyrë nxënësit do kryejnë detyrat e tyre, do kenë më pak probleme në sjellje dhe do krijojnë mendim më pozitiv për veten dhe qëndrim më pozitiv ndaj të mësuarit.
Mësuesi duhet:
- të përcaktojë qëllime të arritshme por sfiduese për nxënësit duke krijuar mundësi që çdo nxënës të arrijë sukses në rezultatet mësimore;
- të inkurajojë nxënësit të marrin pjesë dhe të përgjigjen në mënyrë aktive;
- të nxisin mendimin e nxënësve duke i dëgjuar dhe vepruar mbi sugjerimet e dobishme të nxënësve;
- të krijojë mundësinë që nxënësit të bashkëveprojnë me njëri- tjetrin;
- të mësojë nxënësit që të vlerësojnë rezultatet e tyre dhe të përcaktojnë qëllime.
Po ashtu një aspekt shumë i rëndësishëm është edhe vënia në dukje e rëndësisë të komunikimit të prindërve me mësuesit, duke dhënë ndihmesën e tyre në politikën e shkollës dhe programet e shkollave. Rëndësi përbën, sidomos kur prindërit përfshihen në edukimin e fëmijëve dhe sjelljet e tyre duke krijuar kështu ky bashkëpunim një lehtësi në përshtatjen më të shpejtë për nxënësin dhe realizimin e një mësimi efektiv për mësuesin, pas periudhës së pushimeve të festave sepse edukimi nuk kufizohet vetëm në transmetim të rreptë dijesh, por përqafon të gjitha aktivitetet kulturore, sociale dhe ndikon vendosmërisht në formimin e karakterit të individit si produkt aktiv dhe i shëndetshëm në shoqëri.
Edukimi zgjat gjatë gjithë jetës.
Përdorimi dhe menaxhimi i mirë i mekanizmave në menaxhimin e klasës sjell një produktivitet si në përqendrimin e nxënësit në mësim po ashtu edhe në arritje sa më pozitive të tij. Shtëpia ( prindi), i cili shihet si pjesë integrale e procesit të edukimit dhe shkolla ( mësuesi) duhen parë si mbështetës të njëri- tjetrit për zhvillimin dhe rritjen e nxënësit.
Përgatiti: Rovena Dokollari, mësuese
(Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Shembuj se si mund të përpiloni një CV