Nxënësit që agjërojnë

Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?

Muaji i Ramazanit është një kohë e veçantë për shumë besimtarë myslimanë. Agjërimin e mbajnë edhe të rinj, kryesisht gjimnazist a studentë. Ndaj ne sjellim në shqip disa këshilla të dobishme për ju mësimdhënës, në mënyrë që t’i ndihmoni nxënësit tuaj në përfundimin sa më të lehtë të kësaj përvoje.

Muaji i Ramazanit është një kohë e veçantë për shumë besimtarë myslimanë. Janë të shumtë mësuesit që mbajnë agjërim në këtë periudhë, por gjithashtu ka edhe nxënës, e sidomos gjimnazist të cilët kanë zgjedhur të agjërojnë. Ndaj, në këtë kohë, mësuesit luajnë një rol kyç në të qenët pranë nxënësve të tyre dhe në ofrimin e mbështetjes së nevojshme për të kaluar me sukses sfidat e agjërimit. 


Më poshtë, referuar medias ndërkombëtare Huffingtonpost, po sjellim në shqip disa këshilla të thjeshta dhe të dobishme për ju mësues në mënyrë që t’i ndihmoni nxënësit tuaj në përfundimin sa më të lehtë të kësaj përvoje.  


Angazhimi i tyre gjatë kohës së pushimit të gjatë 


Nëse në shkollën tuaj ekziston mundësia që nxënësit agjërues të distancohen nga ambientet ku bashkëmoshatarët e tyre konsumojnë diçka gjatë kohës së pushimit të gjatë, atëherë kjo është një gjë shumë e mirë. Pra, gjatë kësaj kohe të ditës në shkollë, mësuesit mund të ofrojnë alternativa për nxënësit që agjërojnë. Për shembull, mund të krijohet një hapësirë e përshtatshme për ta në të cilën mund të luten dhe të kryejnë ritualet e tjera fetare, ose të qëndrojnë bashkë për të ndarë përvojën e tyre shpirtërore. Mund të udhëzohen gjithashtu të lexojnë në bibliotekë, të shkruajnë apo të merren me një aktivitet krijues. 


Ndarja e përvojës me bashkëmoshatarët e tjerë 


Muaji i Ramazanit është një mundësi e shkëlqyer për të folur me ndjekësit e feve të tjera në lidhje me kulturën dhe praktikat islame. Ndaj ju, nëse e shihni të arsyeshme, gjatë kësaj periudhe mund të krijoni në klasë një bashkëbisedim në lidhje me përvojën e nxënësve mysliman që agjërojnë, teksa ata mund t’u përgjigjen pyetjeve të bashkëmoshatarëve të tyre për të cilat kanë kuriozitet të dinë. Njëkohësisht, kjo i bënë ata të ndjehen të vlerësuar dhe të motivuar. 


Merrni parasysh angazhimet e tyre edhe pas shkollës 


Gjatë Ramazanit, pas perëndimit të diellit, myslimanët e hapin agjërimin dhe më pas frekuentojnë xhamitë për të kryer ritualet e tyre, ose të bëjnë vizita tek të afërmit për t’u mbledhur për syfyr. Kjo gjë e bën mbrëmjen e nxënësve që agjërojnë pak më të ngarkuar se të tjerët. Ndaj, është mirë që këtë periudhë mos të caktoni aktivitete shkollore gjatës kohës së pasdites apo mbrëmjes. 


Jini më tepër tolerant me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tyre 


Pa ngrënë dhe pirë gjatë ditës, agjërimi mund të çojë në lodhje dhe nivele të ulëta të energjisë. Një ndihmë e mirë për nxënësit që agjërojnë është krijimi i një mjedisi ku ata të ndihen rehat, duke hequr dorë nga disa aktivitete në shkollë. Nga ana tjetër, kjo krijon një ndjenjë përfshirjeje.


Bashkohuni me vendimin dhe zgjedhjen e tyre 


Ata që e kremtojnë Ramazanin mund të duken me pak energji ose mund të marrin pak më shumë kohë për të kryer detyrat, por është e rëndësishme që të tjerët të mos tregohen nënçmues dhe të ndjehen keq për ta. Në vend të kësaj, duhet të jini të vetëdijshëm se ata zgjedhin të agjërojnë si një mënyrë të menduari për ata që nuk kanë akses në gjërat e nevojshme si ushqimi dhe uji. 


Referuar: https://www.huffingtonpost.co.uk/entry/ramadan-2024-5-ways-teachers-can-help-students-who-are-fasting_uk_65f95e1ee4b0cb9583b18906?fbclid=IwAR0B--0BAHq5z1d6MKpPzHCXTM86RnH58OIQ6KFrkEGHD-BFIcP2oF-gnwI  




Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,090 Lexime
8 muaj më parë