
Strategji për fjalimin në publik: Si të komunikoni efektivisht dhe të ndikoni audiencën
Fjalimi në publik është një aftësi që përmirësohet me praktikë dhe përgatitje. Ai kërkon njohjen e audiencës, strukturim të qartë dhe përdorimin e gjuhës së trupit për të krijuar lidhje. Menaxhimi i nervozizmit dhe ndërveprimi me publikun janë çelësi për një komunikim efektiv dhe të fuqishëm.
Nga Fiqiri Çifliku
“Të flasësh është të përkthesh nga një gjuhë engjëllore në një gjuhë njerëzore” (Johann Georg Hamann)
E folura në publik është aftësia për të komunikuar në mënyrë efektive me një publik të caktuar. Kjo është një aftësi e rëndësishme jo vetëm në jetën profesionale, por edhe në jetën e përditshme. Për të përmirësuar aftësinë e të folurit në publik duhen ndjekur disa hapa, të cilat i konsideroj këshilla ose strategji për një proces sfidues. Me përgatitje dhe praktikë të duhur, mund të bëhet një aftësi e fuqishme për të komunikuar idetë dhe për të ndikuar të tjerët edhe për ata që deri sot nuk i bind vetvetja.
E fillojmë me përgatitjen paraprake, që ka të bëjë me njohjen e audiencën, strukturimin e fjalimit dhe përgatitjen e materialeve. Për të përshtatur mesazhin që transmeton duhet të kuptosh cilët janë njerëzit me të cilët do të komunikosh dhe çfarë ata presin të dëgjojnë. Një skemë logjike me një fjalim i mirë strukturuar të paraprirë nga hyrja, zhvillimi dhe një fund të qartë, shërben për të udhëhequr dëgjuesit tuaj. Shënime, prezantime ose materiale të tjera do të shërbejnë për të mbështetur mesazhin që do të përcillni tek dëgjuesit, por nuk duhet të jenë ato thelbi. Është e rëndësishme të përqendrohemi tek njerëzit dhe të artikulojnë mesazhet qartë.
Hapi i radhës është të praktikojmë fjalimin duke bërë prova që përfshijnë edhe regjistrimin e vetes. Të praktikosh fjalimin disa herë përpara një pasqyre, një miku ose një grupi të vogël të ndihmon të përmirësosh rrjedhën e të folurit dhe të identifikosh gjërat që duhen përmirësuar. Kjo mund të shoqërohet me regjistrimin e vetes ndërsa praktikoheni dhe të shihni regjistrimin për të gjetur gabimet apo për t'u përmirësuar.
Gjuha e trupit, kontakti me sy, gjestet, mimika, qëndrimi dhe pozicioni janë elementë që nuk duhen anashkaluar dhe kanë ndikim dhe janë pjesë e të folurit në publik.
Për të krijuar një lidhje të ngushtë dhe për të treguar besim tek audienca, mbështetemi tek kontakti me sy. Duke përdorur gjestet dhe shprehjen e fytyrës mund të përforcojmë mesazhin, por kujdes, gjestet dhe veprimet duhet të jenë të natyrshme dhe jo të tepruara. Një veprim që nuk duhet anashkaluar është qëndrimi drejt dhe përdorimi i hapësirës në mënyrë efektive duke mos qëndruar në një vend gjatë gjithë kohës.
Në shumë raste e folura në publik shoqërohet me nervozizëm dhe menaxhimi i tij është shumë i rëndësishëm. Duke përdorur teknikat e frymëmarrjes së thellë për të qetësuar nervat, vendosim fokusin tek mesazhi që do të komunikojmë dhe jo tek nervozizmi që na shoqëron. Gabimet janë pjesë e procesit të të folurit dhe shpesh nuk vërehen nga audienca, ndaj nuk duhet të frikësohemi.

Ndërveprimi me dëgjuesit me pyetje, përgjigje apo histori dhe shembuj e stabilizojnë komunikimin dhe vendosin një lidhje të ngushtë me publikun. Ndërveprimi, historitë dhe shembujt mund të ndihmojë në mbajtjen e interesit dhe në sqarimin e pikave të paqarta duke e bërë fjalimin më të gjallë dhe më të lidhur me audiencën. Është shumë e rëndësishme pyetjet dhe ndërveprimin me audiencën.
Siç e përmenda dhe më sipër fjalimi ka një fund dhe ai duhet të jetë një përfundimi i fort në formën e një përmbledhje apo thirrje për veprim. Përmbledhim pikat kryesore të fjalimit për të përforcuar mesazhin dhe nëse është e përshtatshme, e përfundojmë fjalimin me një thirrje për veprim bazuar në atë që publiku ka dëgjuar.
Është shumë e rëndësishme të vlerësojmë si shkoi fjalimi duke kërkuar vlerësim nga dëgjuesit ose nga kolegët për të identifikuar pikat që kanë nevojë për përmirësim.
Mos harrojmë, “Të mësosh gjithë jetën” është vërtet një shprehje e bukur dhe e fuqishme. Ajo nënkupton rëndësinë e të mësuarit dhe zhvillimit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Kjo shprehje na kujton se kurrë nuk është vonë për të mësuar diçka të re dhe për të përmirësuar veten. Edhe e folura në publik është një aftësi që përmirësohet me praktikë dhe eksperiencë. Vazhdojmë të mësojmë dhe të përmirësohemi!
“Një gjuhë e përmbajtur në fjalë është një thesar. Dhurata më e çmuar është masa.” (Hesiodi)
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përpiloni një CV
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Pranvera Musta: Rëndësia dhe përdorimi i fjalëve motivuese për nxënësit në klasë, strategji për të frymëzuar suksesin