Opinion

T’i ndihmosh fëmijët të përgatitin mësimet - sa e thjeshtë, aq e vështirë

Sot, si prindër, kemi marrë përsipër një rol të ri: atë të ndihmësit të fëmijës sonë gjatë studimit në shtëpi – një rol jo edhe aq i lehtë. Për më tepër, ky rol na detyron që të ndryshojmë mënyrën e komunikimit me fëmijën tonë.

Çdo ditë, në të njëjtin interval kohe, e përgjatë gjithë vitit mësimor, do të shohim fëmijët tanë të ulur në tryezën e punës apo aty ku ndihen më të qetë, duke u përpjekur të përgatiten për ditën e nesërme.


Mund të na kujtohet koha kur kemi qenë vetë fëmijë, kur bërja e një detyre shtëpie tregonte ndryshimin mes të kuptuarit të plotë apo sipërfaqësor të një teme, apo mes rezultateve të mira në një provim dhe kalimit të tij me vështirësi. 


Por tanimë, ajo kohë duket shumë e largët. Sot, si prindër, kemi marrë përsipër një rol të ri: atë të ndihmësit të fëmijës sonë gjatë studimit në shtëpi – një rol jo edhe aq i lehtë. Për më tepër, ky rol na detyron që të ndryshojmë mënyrën e komunikimit me fëmijën tonë. Fillimisht, ai mund të mos e pranojë ndihmën tonë. Ose ta pranojë atë, e më pas të reagojë jo mirë. Një plan pune i hartuar më së miri nga vetë ne, si koha e nevojshme për të studiuar duke e kufizuar nga gjërat që ka më tepër për zemër, autoriteti, rreptësia dhe kërkesa e llogarisë në përgatitjen e çdo detyre që i është dhënë, mund të sjellë shpërthime zemërimi dhe ndoshta ndonjë “zënkë”. 


Në fakt, jo të gjitha pengesat që hasim në këtë drejtim ndodhin për faj të fëmijës sonë, të mësuesit apo të shkollës. Disa nga këto reagime që s’na pëlqejnë, lidhen me përvojën dhe vetë sjelljen tonë. Nuk ka asgjë të pazakontë, nuk jemi të përkryer! E rëndësishme është që këto probleme të zgjidhen. Harrojmë ndoshta se jemi të rritur, se kemi vite të tëra përvoje, ndërsa fëmija ynë është shumë i ri në këtë botë. Ne jemi në gjendje t’i zgjidhim problemat, të bëjmë analiza dhe të arsyetojmë shumë më qartë dhe shpejt se ai. Dhe se nevojitet mjaftueshëm durim për t’ia shpjeguar edhe atij, nëse shfaq vështirësi. 


Na ndodh edhe që ndonjëherë të pyesim veten: “Po ia shpjegoj qartë. Përse, vallë, nuk arrin ta kuptojë dot?” 


Jo çdokush mund të jetë mësues. Megjithatë ja ku jemi, të detyruar të përmbushim detyrën për të ndihmuar fëmijët për një mënyrë studimi sa më të mirë. E rëndësishme është të mos na soset durimi. Apo që egoja jonë profesionale dhe pamundësia e kohës së mjaftueshme të bëhet pengesë serioze në detyrën për ta ndihmuar fëmijën tonë të studiojë sa më mirë. 


Ka plot prindër që e kuptojnë se s’janë njeriu i duhur për ta ndihmuar fëmijën për mësimet. Shumë prej tyre punësojnë mësues profesionistë, që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për të plotësuar njohuritë dhe për t’u përgatitur sa më mirë për lëndën ku ndiejnë vështirësi. Sot, ka mundësi të tilla zgjedhjeje (edhe pse kjo në varësi të mundësisë ekonomike).


Gjithsesi, duhet të jemi të gatshëm t’u qëndrojmë pranë e t’i ndihmojmë, të flasim pa pushim me ta për ndjenjat, gjithçka që na pëlqen, për muzikën, librat, patinat, shenjat e qarkullimit, poezinë, gjyshërit, kafshët, bimët, të mirën e të keqen, për frikën dhe sigurinë, ndoshta edhe për politikën, programet televizive, filmat, teatrin, teknologjinë, për çdo gjë! Dhe t’i dëgjojmë, t’i dëgjojmë dhe të mos të mos lodhemi teksa i dëgjojmë. 


Nëse e trajtojmë si dikush që ia vlen të bashkëbisedosh, zhvillon kuptimin e vlerës dhe respektit për veten. Nëse e trajtojmë si dikush që ia vlen ta dëgjosh, zhvillon aftësi të mëdha shprehëse dhe një kuriozitet të pafund. Në të njëjtën kohë, së bashku zhvillojmë një komunikim dhe mirëkuptim më të thellë të dëshirave dhe nevojave të njëri-tjetrit, të shpresave dhe të ëndrrave, personaliteteve dhe qenieve tona. Sa më shumë të bisedojmë me njëri-tjetrin, aq më frytdhënëse do të bëhet biseda dhe lidhja jonë.


Kjo është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar që të kultivojnë dëshirën për të studiuar. Ndoshta kjo do të na kursejë edhe përpjekjen për t’u qëndruar si çekan mbi kokë, për të kuptuar a i kanë kryer të gjitha detyrat e shtëpisë për të nesërmen. 


Është mënyra më e mirë, një hap që mund të jetë vendimtar për rezultatet e tyre, madje edhe përtej shkollës. 


Në këtë mënyrë i kemi ndihmuar... Dhe nëse do të kenë sërish nevojë, pyetje, paqartësi, duhet të jemi aty për t’i dëgjuar dhe për të na dëgjuar. 


Aspak e lehtë, por jo dhe aq e vështirë...


(Nga Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

6,064 Lexime
7 vjet më parë