PSIKOLOGJI

"Jepi një dorë vetes", këshilla psikologjike nga Anisa Zaçe

Nëse ka një fjali që do të lexosh sot e t’a përsërisësh brenda kokës tënde, le të jetë kjo: “Jepi një dorë vetes!”. Me fillimin e një viti të ri, secili duhet të nisë diçka të re brenda vetes! Këshilla nga psikologja, Anisa Zaçe.

Që në fillimet e mia në  këtë profesion, kur më duhej të shpjegoja me fjale të thjeshta dhe pa u ndërlikuar punën e psikologut kam thënë: “Psikologu nuk bën ‘asgjë tjetër’ përveç se të kthen sytë nga vetja.


Nëse gjendemi përballë momenteve të vështira, dhimbjeve shpirtërore, disfatave personale apo profesionale, shpesh kemi tendencën të bëhemi armiqësor ndaj vetes, duke e “ushqyer” me kritika dhe mendime negative. Këto besime bëhen shumë problematike për mirëqënien tonë psikologjike, e nëse janë shumë të shpeshta dhe të fuqishme, edhe për atë fizike. 


Por, me të njëjtën forcë absolute që na dëmtojnë të menduarit negativ, na ndihmon të menduarit pozitiv. Psikologjia na shërben edhe për këtë. Duke u ulur përballë një profesionisti, ne mund të na kriohet mundësia të kujtojmë apo kuptojmë kush jemi. Në mënyrë që të mësojmë për të festuar virtytet dhe çfarë na pëlqen, si edhe për të kuptuar, pranuar dhe modifikuar ato pjesë të vetes që na japin parehati.


Thyerjet e zemrës, humbjet e rëndësishme, apo dështimet në karrierë, janë ngjarje që shenjojnë. Ashtu pakuptuar, edhe kur mendojmë që e kemi gjithçka nën kontroll, mund ta gjejmë veten të ngecur në cikle vicioze që i përsërisim, në histori të ngjashme prej të cilave hymë e dalim, pa kuptuar as vetë, se si, për të disatën herë ndodhi e njëjta gjë. 

Natyrshëm, të lind pyetja: “Mos jam unë problemi?”

Lajmi i keq? Ka mundësi.

Lajmi i mirë? Ka mundësi.



Së pari, nëse ‘problemi’ jemi ne për atë që na ka ndodhur apo po na ndodh, për faktin e të gjendurit në të njëjtin cikël, është një hap shumë i mirë, të qënit në gjendje të kuptuarit të proçesit, të kuptuarit të skemës.

Ndonjëherë, të qënit ‘problemi’ mund të na trishtojë, të na mërzisi, sepse jo vetëm nuk mund të fajësojmë më dikë tjetër, por nëse ka qënë kështu, po ta kishim kuptuar më parë, do të mund të kishim shmangur shumë dhimbje. 

Nuk është kështu! Ndonjëherë, ne kemi nevojë të kalojmë situata të caktuara, e të përjetojmë pasoja të shkaktuara për të kuptuar vërtetë.



Së dyti, nëse ‘problemi’ jemi ne, veten e kemi gjithë kohës me vete, gjë që do të thotë kemi mundësi të ‘zgjidhim’ problemin. 

Kur ekziston vërtet dëshira, dhe nisin të aktivizohen të gjithë mekanizmat për të zgjidhur situata, gjasat janë që qëllimin e vënë ndaj vetes e arrijmë. Këmbëngulja është mjaft e rëndësishme dhe e nevojshme, sidomos në situata kritike apo krize. Dëshira për të dalë prej tyre, duhet të shoqërohet me këmbënguljen për ta arritur, sepse nuk është aspak e thjeshtë. Por, të menduarit pozitiv në situata të kësaj natyre, mund të arrijë ‘mrekulli’. Ne e kemi forcën brenda vetes. Asgjë që mendojmë apo imagjinojmë nuk është e paarritshme. 


Nëse në një moment rreziku jetësor, një human është në gjëndje të ngrejë pesha në qindra kilogram për shkak të çlirimit të adrenalinës, apo në momente traumash madhore të arrijë të fikë memorien, për të evituar dhimbjen, na tregon që aftësitë më të fuqishme janë brenda nesh. Kështu që, mbetet në dorën tonë për të zgjedhur për çfarë edhe si do përdorim energjinë më të fuqishme që njeh ky planet, energjinë e të menduarit! Për të bërë mirë apo për të bërë keq? Për të numëruar gabime apo për të duartrokitur arritje?


Për fat të keq, shpesh, armiku ynë më i keq është vetë vetja jonë, paaftësia për të kuptuar që qoftë edhe një fjali e vetme mund të na përndjekë mendimet gjatë qoftë për të na ndezur mbuluar diellin me shoshë, qoftë për të na ndezur dritën në fund të tunelit. 


Nëse ka një fjali që do të lexosh sot e t’a përsërisësh brenda kokës tënde, le të jetë kjo:

“Jepi një dorë vetes!” 

Nëse po pret që dikush apo diçka të të ndihmojë dhe të ta lehtësojë luftën me të cilën mund të jesh duke u përballur, ai person është vetja. Përdore të gjithë forcën e këmbënguljes dhe energjinë e përpjekjes, për ta zbrazur nga mendimet negative, nervat e zemërimin e panevojshëm, e për t’i kujtuar që po ja del mbanë më së miri. Jepini vetes të gjitha këshillat që do i jepnit një fëmije të vogël në kopësht, që nuk sillet mirë me shokët; “Mos i fol keq. Përdor fjalët magjike. Uroje kur bën diçka mirë. Përqafoje. Kërkoji falje kur e lëndon.”

Sepse, e vërteta është, nëse nuk po sillemi mirë me veten, pak rëndësi ka se me kë po sillemi tjetër mirë. 




MA. Anisa Zaçe, Psikologe këshillimi



(Portali Shkollor)

4,673 Lexime
4 vjet më parë