PRINDËRIT DHE FËMIJËT

Fëmija po ju pret!

Jemi në përmbyllje të vitit 2020 dhe secili prej nesh, besoj, e ka për detyrë të reflektojë rreth realitetit ku jeton dhe arritjeve përkatëse. Një nga këto realitete padyshim është edhe çështja e leximit.

Jemi në përmbyllje të vitit 2020 dhe secili prej nesh, besoj, e ka për detyrë të reflektojë rreth realitetit ku jeton dhe arritjeve përkatëse. Një nga këto realitete padyshim është edhe çështja e leximit. 


Çështja në fjalë, për hir të së vërtetës, ka vite që diskutohet dhe analizohet në qasje të ndryshme, në përpjekje për të risjellë në vëmëndje dosmosdoshmëritë dhe nevojat që parashtron gjykimi dhe konceptimi për “leximin”. 


Shihet qartë në realitetin e sotëm një prirje për t’iu shmangur këtij fenomeni si dhe për të gjetur rrugën më të lehtë për mos ta ngarkuar veten me peshën e rënduar të leximit, duke sjellë këndvështrime, në të shumtën e rasteve pa baza logjike dhe mjaft të varfëra në aspektin kontekstual. E kur në fokus të këtij fenomeni qëndron brezi i ri dhe edukimi apo ngritja e nivelit edukativ të tyre, kjo çështje merr rëndësi akoma më të madhe. 


Natyrisht, të shumtë janë faktorët ndikues në këtë proçes, duke patur parasysh se foleza e parë edukative e njeriut është vetë familja e tij, pra prindërit. S’e di të them nëse ka një statistikë të qartë në lidhje me pyetjen “Sa lexojnë prindërit në familjet tona?”, e megjithatë kam bindjen se kjo shifër do jetë tepër e ulët. 


E keni menduar ndonjëherë sa influencues do të kishte qenë për fëmijët kur vetë prindërit të uleshin në shtëpi dhe të lexonin diçka? Sa përqind e prindërve sot marrin mundimin të shfletojnë librat e fëmijëve të tyre, të shohin fletoret, të kontrollojnë punën e tyre edukative? Sa përqind e prindërve sot njohin me saktësi procesin edukativ dhe arsimor që fëmija ndjek në shkollë? Sa përqind e prindërve ulen bashkë me fëmijët e tyre të diskutojnë temat që përcillen në librat shkollorë e jashtëshkollorë? Sa përqind e prindërve janë në dijeni të klasikëve shqiptarë apo edhe atyre botërorë? Sa përqind e prindërve njohin veprat madhore të Gëtes, Shekspeare, Balzakut, Dostojevskit, Pushkinit, Tolstoit, etj etj. apo edhe të atyre shqiptarë si Migjeni, Poradeci, Frashëri, Kadare Agolli? Sa përqind e prindërve të sotëm kanë marrë mundimin të krijojnë një bibliotekë të vogël në ambientin familjar me qëllimin e thjeshtë që të kuptojnë rëndëinë dhe peshën e një libri? 


Është mëse e natyrshme që prindërit të kërkojnë më të mirën e mundshme për fëmijët e tyre, por harrohet se arritja dhe suksesi i fëmijës buron nga arritja dhe suksesi i vetë prindit. Sa më i lexuar të jetë prindi, sa më koherent dhe vizionar të shfaqet aq më të lehtë do e ketë edhe punën e tij me fëmijën, pasi është ai vetë një model që i ofrohet fëmijës për të ndërtuar një të ardhme domethënëse. 


Secili prej nesh mbartim një mbiemër, e për rrjedhojë një trashëgimi të hershme, një kulturë dhe një art të hershëm. Shumë herë krenohemi (dhe natyrshëm me plot të drejtë) për të parët tanë, për arritjet e tyre në fusha të ndryshme të jetës. 


Krenohemi dhe për mundimin dhe sakrificat e tyre dhe si një vijimësi e kësaj rruge që ata kanë ndjekur, në të shumtën e rasteve shohim se emrat e stërgjyshërve ua vendosin brezave të rinj, një traditë e mrekullueshme që vlen për t’u përgëzuar, por harrojmë se paralelisht me këtë duhet të vijë edhe leximi, pasi të parët tanë qenë njerëz të lexuar dhe të arsimuar dhe kjo i bëri të jenë edhe të suksesshëm. Kështu edhe emrat e tyre skaliten edhe në ditët e sotme. 


Vëmë re se ajo gjeneratë nuk u mjaftua me kontribute vetëm në një fushë të caktuar, por u treguan të gjithanshëm dhe gjithpërfshirës duke zhvilluar veten intelektualisht si dhe duke ofruar kontribute të vyera edhe në shoqëri. 


Nisur nga këto që përmendëm më lart mbetet një shqetësim i kohës që vetë familja duhet integruar shumë më tepër për t’u bërë një shtysë e mirëqenë për integrimin e brezit të ri. Pasi vetëm në këtë mënyrë edhe ky brez do gjejë një mbështetje dhe një përkrahje të sigurtë në ndërtimin e udhës së tij. 


Mos nguroni prindër t’u qëndroni pranë fëmijëve tuaj në këtë drejtim! Mos hezitoni të jeni lexues të rregullt në ambientet familjare! Mos hezitoni të uleni bashkë me fëmijët tuaj të shfletoni librat e shkollës, që të kuptoni se si dhe me çfarë edukohet fëmija juaj! Mos hezitoni të kuptoni se çfarë orientimi merr në shkollë! 


Mos harroni se çdo fjalë e mësuar nga fëmija është një bazament në karakterin dhe natyrën e tij! Afrohuni ju të parët me librin, me gazetën, me revistën në mënyrë që edhe fëmija juaj të marrë atë edukatë që e dëshironi aq shumë! Mos harroni se dyqanet e librarive janë bërë edhe për ju, që të kuptoni vizionin dhe botëkuptimin që fëmija juaj duhet të ketë nesër! 


Të gjithë ju ëndërroni që fëmija të përzgjedhë një profesion të denjë, që nesër të ketë të ardhura ta mjaftueshme për një mbarëvajtje të suksesshme, por si mund të arrihet kjo, kur vetë ju nuk lexoni, kur vetë ju nuk shpenzoni kohë të mjaftueshme për atë fëmijë? Si mund të ndodhë kjo, kur vetë ju nuk bashkëpunoni me fëmijën tuaj pikësëpari për problemet e tij, e më pas edhe për problemet e familjes. Mos harroni të risillni në kujtesë sa jeni gëzuar kur ky fëmijë erdhi në jetë. Risillni në vëmëndje ç’gëzim i papërshkueshëm u përjetua në familjen tuaj kur ky fëmijë erdhi në jetë. 


Atëherë, i njëjti gëzim duhet t’ju shoqërojë edhe sot dhe që ta arrini këtë rrituni me fëmijën tuaj, gëzohuni bashkë me të, lodhuni bashkë me të, shqetësohuni bashkë me të, lexoni bashkë me të, shkruani bashkë me të, vizatoni bashkë me të, krijoni bashkë me të, luani dhe argëtohuni bashkë me të, punoni bashkë me të, por edhe këshillohuni së bashku…. 



Nga Evans Drishti

Përgatiti për publikim P.Shtini


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,594 Lexime
3 vjet më parë