Opinion

Çfarë duhet ndryshuar në Universitetin Mjekësor

Kurrikulat në fakultetin e mjekë- sisë nuk janë të përhershme, por duhen ndryshuar në mënyrë që të bëhet e mundur sa më parë e sa më shumë integrimi i dijeve me praktikën klinike. Ndoshta me të drejtë disa studiues të sotëm nuk ndalen vetëm ...

Në fund të korrikut të kaluar, Rektori i Universitetit Mjekësor të Tiranës, në një letër drejtuar mbi 550 pedagogëve të këtij Universiteti, shprehet me nota kënaqësie dhe optimizmi për drejtimin pozitiv që ka marrë procesi i akreditimit të këtij institucioni deri në vlerësimin përfundimtar të tij nga Bordi i Akreditimit të Arsimit të Lartë. Dhe me të drejtë ai përgëzon dhe falënderon tërë trupën pedagogjike për arritjet e deritanishme që e rendisin Universitetin Mjekësor si një nga Universitetet më të mira të Tiranës.


E vërteta është që një plejadë e tërë mjekësh pedagogë të talentuar e të devotshëm kanë kontribuar me tërë mundësitë e dijet e tyre për të përgatitur me qindra e qindra mjekë që shërbejnë anë e mbanë vendit (së fundmi një pedagog i shkëlqyer që u nda nga jeta para pak ditësh: Prof. Ylli Popa). Natyrisht puna që bëhet në këtë institucion është një shembull se si edukimi mjekësor i shërben praktikës mjekësore në vendin tonë. Por historia nuk mbaron këtu. Edukimi është një proces që ndryshon dhe që kërkon rinovim të përhershëm të dijeve të pedagogëve, por në radhë të parë të metodave të mësimdhënies.


Së pari, kurrikulat në fakultetin e mjekë- sisë nuk janë të përhershme, por duhen ndryshuar në mënyrë që të bëhet e mundur sa më parë e sa më shumë integrimi i dijeve me praktikën klinike. Ndoshta me të drejtë disa studiues të sotëm nuk ndalen vetëm tek aplikimi kurrikulave të integruara. Ka më shumë se tri dekada që në shkolla të përparuara po tjetërsohen mënyrat tradicionale të të mësuarit në shkollë me leksione. Ky tjetërsim ka filluar që kur u prezantua të mësuarit në bazë të problemeve. Kështu, mësimi mbi bazën e leksioneve po zëvendësohet për herë e më shumë me të mësuarit në grup, me edukimin ndër-profesional, si dhe ushtrimet që integrojnë mjekësinë klinike me shkencat bazë. Por a bazohen këto metoda të reja në evidencat? Apo janë thjesht modele të reja të edukimit mjekësor?


Pyetja madhore që ngrihet sot në fakultetet e mjekësisë është: A duhen hequr leksionet?

Le të mos nxitohemi me një përgjigje të prerë për këtë pyetje, por duhet ditur që informacioni i disiplinave të mjekësisë sot është aq i gjerë saqë me siguri e kalon kapacitetin e një studenti sado i mirë qoftë, për të mësuar dhe për të përvetësuar këto dije. Çështja qëndron se sa pjesë të kësaj dije studenti duhet të mësojë dhe nga ana tjetër, a mund t’i përvetësojë studenti kaq shumë lëndë në auditoret tradicionale të leksioneve? Çfarë tjetër kërkohet nga pedagogët sot që t’i bëjnë ata të suksesshëm në përgatitjen e mjekëve të ardhshëm si studiues të përhershëm? Pa dyshim që teknologjia, kompjuterizimi dhe dixhitalizimi lejojnë një qasje të shpejtë ndaj informacionit mjekësor. Këto metoda janë një armë efikase për të ndihmuar studentët që të kuptojnë më mirë problemet e shëndetit të njeriut, për të zhvilluar aftësinë e zgjidhjes së problemeve dhe për të qenë në gjendje që disa njohuri të një konteksti të caktuar, t’i transferojnë në mënyrë të dobishme në një situatë tjetër.


Shumë herë pedagogët duke prezantuar në power point me dhjetëra slides në leksione e bëjnë konfuz studentin. A mundet t’i mësojë dot ai të tëra ato që prezantohen në kaq shumë slides? E vërteta është që truri i studentit ka një limit në marrjen e informacionit gjatë një leksioni. Kështu, më shumë se 60 slides në një orë leksioni janë një metodë e mirë për pedagogun për mësimdhënien, por nuk është një mënyrë efikase për të mësuar studenti. Jo rrallë, studentët duke lexuar një material janë viktimë e iluzionit të të mësuarit, dhe ndërkohë janë pre e të moskuptuarit të asaj që lexojnë. Studenti kur dëgjon ose lexon një material që prezantohet bukur dhe rrjedhshëm, mendon se e ka mësuar tashmë këtë temë. Por kur përballet me një problem që kërkon aplikim praktik, ai kupton se të mësuarit e tij ka qenë i pamjaftueshëm e madje sipërfaqësor.


Pikërisht për të kuptuar në thelb mësimin e jo për të mësuar përmendësh, dhe për të zhvilluar aftësinë e zgjidhjes së problemeve praktike, aftësi kjo që më së miri do të donte një eksperiencë klinike prej shumë vjetësh të një mjeku, atëherë në shkollat mjekësore ka filluar të zbatohet të mësuarit aktiv, dhe aplikimi i aktiviteteve të bazuara në grup. Sot marrja e informacionit mjekësor po ndodh më së shumti jashtë auditoreve. Sipas principeve të njohjes, pedagogu paraqet detyra jo fort të gjata dhe të ndërthurura me pyetje ose me ngritje problemesh praktike, gjë që e bën më mirë të kuptuarit e një teme të caktuar.


Në klasë pedagogu sigurisht që lehtëson procesin e të mësuarit, por studentët duhet të jenë aktive p.sh., duke prezantuar ata vetë raste klinike nga pacientët që ata kanë parë. Pyetjet që i bëhen studentit duhet të jenë të tilla që të rrisin shkallën e informimit dhe të konsolidojnë kujtesën, por nga ana tjetër, ato duhet t’i imponojnë studentit që informacioni i marrë t’i vlejë rastit konkret që prezantohet. Të mos pyetet studenti me “kush” e “çfarë”, (p.sh., “kush është shkaku i hipertensionit?”), por pedagogu pyet me “si” (p.sh., “si mund ta mbajmë nën kontroll hipertensionin arterial?”). Gjithashtu duhen bërë krahasime midis rasteve të ndryshme klinike. Madje mund të ngrihen hipoteza që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, sepse ashtu zhvillohen debatet. Në të gjitha këto procese studenti luan rol aktiv dhe parësor. Kështu, studentët duhet të punojnë në grup, të diskutojnë midis tyre mendimet dhe të fillojnë të mësojnë të mendojnë si mjekë të vërtetë. Këto metoda natyrisht kërkojnë më shumë mundim nga studenti se sa të mësuarit përmendësh, por janë më efektive për të kuptuar në thelb atë që mësohet.


Pedagogët duhet të dinë që studentët e tyre sot janë të njohur me mjetet dixhitale dhe me teknologjinë e përparuar. Ata dinë t’i përdorin këto mjete e të përfitojnë informacion on line prej tyre si kurrë më parë. Atëherë ç’po ndodh realisht? Leksionet tradicionale me keqardhje e them, por po humbasin vëmendjen e këtyre studentëve. Në reformimin e kurrikulave duhet të merren në konsideratë këto procese e metoda të reja që angazhojnë më shumë studentin e nxisin të menduarit aktiv. Dhe rezultatet kanë treguar se këto metoda janë shumë më të dobishme dhe përgatitja e studentëve është më e mirë. Sikurse thotë Richard Schwartzstein, studenti duhet të çlirohet nga tirania e leksioneve dhe imponimi i të mësuarit të gjithçkaje. Përderisa shumica e informacionit merret nga studenti jashtë auditorit, edhe marrëdhënia midis pedagogut dhe studentit duhet të ndërtohet mbi një bazë të re, në mënyrë që të bëhet e mundur aplikimi i koncepteve të reja të kohës së sotme.


Atëherë, vijmë te pyetja: A kanë më vlerë leksionet? Nëse e mendojmë leksionin në formën e vet tradicionale ku pedagogu flet para një tufe studentësh që kanë formime të ndryshme, nivele të ndryshme njohurish, shkallë të ndryshme inteligjence dhe që marrin informacion krejt në mënyrë pasive, atëherë po, mund të themi që duhet abandonuar një mënyrë e tillë e edukimit. Një mënyrë e tillë e mësimdhënies i kthen studentët thjesht në robot dhe i humbet atyre atë çka është më e rëndësishmja: kreativitetin. Do të thosha që një mënyrë e tillë e mësimdhënies është njëlloj sikurse një mjek u jep të tërë të sëmurëve të njëjtën recetë. Dhe rezultati kush do ishte? Pa dyshim tragjik. Por nëse bëhet një mësim aktiv ku studenti përgatitet që më parë për temën që do diskutohet, ku i bëhen pyetje audiencës dhe pritet përgjigje nga studentët duke vlerësuar edhe shkallën e përvetësimit prej tyre të materialit, atëherë këto metoda më- simi po, janë opsione të dobishme dhe mënyra efikase të edukimit.

Të gjithë ne si pedagogë duhet të luftojmë që sikurse përpiqemi t’u shërbejmë më mirë të sëmurëve, të përmirësojmë gjithashtu cilësinë e të mësuarit nga studentët.


Edukimi i studentëve të mjekësisë nuk do të thotë t’u japësh atyre bagazhin e nevojshëm që të mbarojnë me sukses studimet, por duhet parë më larg, edukimi i tyre do të thotë që t’i përgatitësh të jenë në gjendje për të studiuar më tej, gjatë tërë karrierës së tyre profesionale.

Me shumë të drejtë ndoshta irlandezi William Butler Yeats, që është një nga poetët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, thotë: Edukimi nuk është njëlloj sikur të mbushësh një kosh të zbrazët, por është njëlloj sikur të ndezësh një flakë. Dhe puna e mësuesit është të japë shkëndija për ta mbajtur të ndezur këtë flakë.


(PROF. ALKETA KOROSHI, Panorama)

2,599 Lexime
7 vjet më parë