Trajnimi – Një mënyrë për të kuptuar më shumë rreth vetes dhe fëmijës
Para disa kohësh më vjen një mesazh nga një mësuese e cila e shqetësuar më pyet se cili është ndryshimi i një fëmije me vështirësi në të nxënë dhe cili atij me autizëm. Ajo kishte hasur vështirësi të bënte dallimin e fëmijëve...
Para disa kohësh më vjen një mesazh nga një mësuese e cila e shqetësuar më pyet se cili është ndryshimi i një fëmije me vështirësi në të nxënë dhe cili atij me autizëm. Ajo kishte hasur vështirësi të bënte dallimin e fëmijëve të cilët nuk arrinin të ecnin me mësime si fëmijët e tjerë dhe kishte nga ata fëmijë të cilët dukeshin sikur nuk i kuptonin detyrat apo udhëzimet që jepeshin në klasë.
Pyetje si këto, më bëjnë të mendoj se ka ende mësues të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm të cilët kërkojnë ndihmë dhe duket se kanë nevojë për atë shumë më tepër sesa mendohej. Nëse sot do të isha në klasën e kësaj mësuese, ndoshta do të paragjykoja se si ajo sillej me fëmijët me aftësi ndryshe, me fëmijët të cilët nuk arrijnë të asimilojnë dhe të ndjekin mësimin dhe dinamikën e saj. A nuk do të thonim ne se kjo mësuese është e papërgatitur? A nuk do të mendonim ne se kjo mësuese nuk po e bën si duhet punën e saj? A nuk do të mendonim ne se kjo mësuese po “abuzon” me fëmijët me autizëm dhe ato me vështirësi në të nxënë pasi nuk arrin t’i ndihmojë ata sipas nevojave që kanë? Ndoshta kështu do të mendonim, nëse nuk do të dinim një faktor shumë të rëndësishëm: kjo mësuese thjesht nuk di akoma të dallojë vështirësitë në fjalë dhe si rrjedhojë nevojat e këtyre fëmijëve. Më pas, të mësojë disa shkathtësi se si të sillet dhe çfarë të bëjë gjatë orës së mësimit me këta fëmijë. Do thoni ju, prindër dhe profesionist, nxënës dhe mësues, përse këta fëmijë me vështirësi apo me nevoja të veçanta nuk shkojnë të shkollohen në shkolla të vëçanta të cilat trajtojnë proçesin e tyre të të mësuarit sipas hapave dhe mundësive të fëmijëve?
Deri para dy apo tre dekadash, në botë është vepruar në këtë mënyrë. Fëmijë me aftësi ndryshe, i atashoheshin insitucioneve speciale për t’i trajtuar. Por kjo duket se nuk mjaftonte. Përkundrazi, përkeqësonte edhe më shumë vështirësitë e fëmijës pasi bashkëveprimi me botën reale dhe e fëmijët e tjerë neurotipik nuk vihej në provë dhe si rrjedhojë nuk arriheshin objektivët e përshtatjes, integrimit dhe pse jo reabilitimit të fëmijës. Kështu, fëmijët humbisnin mundësinë të ishin në kontakt me botën reale dhe vlerat e tyre si individ të mëvetësuar nuk viheshin thuajse asnjëherë në jetë.
Fëmijët do të duhet të integroheshin në institucionet publike të edukimit me fëmijët e tjerë. ky ishte një nga ndryshimet më thelbësore të botës së zhvillimit të fëmijëve me nevoja të veçanta. Ministria jonë e Arsimit u bë disa vite që po vë në zbatim ligjin që parashikon integrimin e fëmijëve nëpër institucionet e edukimit me fëmijët e tjerë. ky është një lajm shumë i mirë. Lami tjetër i mirë është strategjitë për trajnimin e mësuesëve nga profesionistë të fushës për të plotësuar nevojat mbi përditësimin e njohurive të mësuesëve dhe profesionistëve që aderojnë në këtë fushë. Pse do të nevojitet trajnimi i vazhduar?
Plotësimi i nevojave të fëmijëve me vështirësi zhvillimi është një e mirë e madhe për shoqërinë. Por historia nuk mbaron me kaq. Mësuesit dhe profesionistët e tjerë të cilët përballen me këta fëmijë, do të duhet të kenë njohuritë dhe shkathtësite e duhura për t’i ardhur në ndihmë. Nga praktika, mësuesit shfaqen të stresuar, frustruar dhe të shtëqësuar. Nga mesazhi i mësueses në fjalë, duket se një pjesë e tyre nuk kanë informacion për vështirësitë e fëmijëve. Madje nuk arrijnë të bëjnë dallimin midis fëmijëve me nevoja të veçanta dhe atyre me vonesë zhvillimi, me çregullime në të nxënë dhe atyre me sindromë, atyre me çrregullime të spektrit, me çrregullime të vëmendjes, etj. Madje ndonjëherë nuk arrijnë të dallojnë edhe fëmijët të cilët thjesht mund të keënë vështirësi organike, vështirësi të shikimit p.sh. por a duhet një mësues t’i di të gjithë këto çregullime apo vështirësi? Sigurisht që një mësues nuk mund të jetë mjek dhe as psikolog. Por një mësues do të duhet e pakta të jetë profesionist i ndërgjegjshëm dhe i përgatitur në njohuritë e tij për të njohur faktorin “vështirësi” tek fëmija. Mësuesi do të duhet të jetë i përgatitur përpara se të “fajsojë” fëmijën për vështirësitë që mund të ketë. Ky është një tjetër problem i rëndësishëm në fushën e edukimit. Mësuesit do të duhet të njihen me një të vërtetë shumë të madhe: një pjesë e fëmijëve mbeten të padiognastikuar në vështirësinë që kanë dhe mësuesit apo profesionistët e kanë të vështirë t’i vijnë në ndihmë. Në këto raste, do të duhet të merremi me faktorët e dukshëm. Në rezultatin final, ajo që përbën rëndësi është trajtimi i simptomave sesa njohja e diagnozës, edhe pse kjo e fundit i vjen në ndihmë fëmijës më shpejt në kohë, në moshën e hershme të fëmijës. Edhe mësuesit do të ndjeheshin më të përgatitur për t’i ardhur në ndihmë.
Për të arritur një rezultat sa më të mirë të asistimit të fëmijëve me vështirësi zhvillimi apo vështirësi në të nxënë, do të duhet të jemi më të përgatitur, të kemi njohuritë e duhura. Vetëm kështu ne do të përballeshim drejt me mendimet dhe mekanizmat e shtrëmbërta që kemi për fëmijët në fjalë dhe të ridimensionojmë shkathtësite që do të na ndihmonin në një përfojë më profesionale dhe si rrjedhojë më humane.
Mësuesit dhe profesionistët të cilët sjellin pyetje si ajo që parashtrova në fillim të këtij artikulli, i japin vlerë edukimit të vazhduar dhe ardhjes në ndihmë fëmijëve. Por ka edhe nga ata mësues dhe profesionitë të cilët mendojnë të përmbushin detyrimin e krediteve në letër, dhe kaq. Për të gjithë ata, i ftojë thjesht të zgjohen me premtimin se jeta e tyre si mësues do të lehtësohej ndërsa do të kuptonin më mirë dhe do t’i jepnin ndihmën e nevojshme fëmijët që deri dje i shikonin si “mision i pamundur!”
(Drnt. Denata Toçe, Portali shkollor)
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Të duash në adoleshencë!
Mësues dhe prindër, perceptime të ndryshme për të njëjtët fëmijë!