Pasojat e abuzimit te fëmijët në të tashmen e në të ardhmen
Janë sjellë dhjetëra raste brenda këtij viti, të cilat janë kapur nga kamerat e fshehta dhe kjo e zhvesh situatën akoma më shumë, duke menduar se sa raste të tjera të pa ekspozuara ka, që “flenë” nën dhunën e vazhdueshme ...
Me një trup njomëcak, i varur tërësisht prej ajrit të ri që bota mbart, i zgjedhur për të jetuar me ne, prej nesh, banori më i ri në tokë, është ajo, foshnja e sapolindur. Sa të tjerë qenie me histori të pashkruar, të brishtë si fletët boshe të shkrimtarit përgjegjës për çfarë do t’i dhurojë botës, presin radhën për të qenë pjesë e kësaj toke, si zgjedhje unikale e njeriut për të përmbushur misionin e natyrës. Dhe sërish, toka me njerëzit e saj jo gjithmonë janë bujare. Disa prej tyre, në fletët boshe, u shkruhet historia e një braktisjeje, e një sëmundjeje, e një aksidenti, e një vdekjeje, e një humbje ose e një dhune. Ndërsa për disa të tjerë, u është shkruar historia e një dashurie, sigurie, mbrojtje, mirëqenie, paqeje dhe ngrohtësie. Të gjithë këto histori, të cilat mbushin rrugëtimin e jetës së fëmijëve, lënë gjurmë të cilat përshkojnë psikikën e tyre, qofshin këto me pasoja negative apo pozitive. Çdo ushqim i mirë në përmbajtje të psikikës, siguron shëndetshëm një mendje në harmoni me botën. Çdo ushqim i varfër dhe jo i freskët, ose dhe i munguar tërësisht, siguron dhimbje, lëndime mendore, të cilat luftojnë dhe trazojnë harmoninë me botën. Kësisoj bota do të duket një vend i pabanueshëm për të, i pamerituar, i egër, ndërsa jeta e pasigurt, e zymtë, e pamëshirshme dhe mbi të gjitha e pavlerë.
Para pak ditësh, si makthet e përsëritura të gjumit të natës, u denoncua një tjetër rast dhune në ambientet e kopshtit. Duket gati e panevojshme të përshkruaj dhimbjen që mund të kenë përjetuar prindërit e fëmijës për këtë ngjarje. Duket sikur është po aq e panevojshme, dhe gati me logjikë të thjeshtë reflektimi, të mendojmë lëndimin dhe gjurmët e tij të lëna në jetën e fëmijës së dhunuar, viktimës së radhës. Janë sjellë dhjetëra raste brenda këtij viti, të cilat janë kapur nga kamerat e fshehta dhe kjo e zhvesh situatën akoma më shumë, duke menduar se sa raste të tjera të pa ekspozuara ka, që “flenë” nën dhunën e vazhdueshme të bashkëqenieve tokësore të këtyre fëmijëve. Nën dhimbjen jo vetëm të viktimave, por edhe të asaj pjese të ndjeshme të shoqërisë sonë, zgjohen frikëra dhe dyshime se çfarë po ndodh me fatin e fëmijëve?! Ne të rriturit e kemi të qartë se mund t’i dominojmë ata fizikisht, intelektualisht, emocionalisht, psikologjikisht dhe kjo pa hezitim, na duket patologjikisht “joshëse” për të edukuar dhe rritur fëmijët tanë. A nuk është perverse dhe primitive të veprosh pa mund dhe mend se rritja dhe edukimi i fëmijëve mund të vijë nëpërmjet rrugëve kaq të dhimbshme?
Desha të nisja këtë artikull me reflektimin mbi qeniet më të brishta këtu në tokë, duke mos harruar në asnjë rast se edhe ne të rriturit dikur ishim në stadin e tyre. Edhe në psikikën tonë, ka një histori të shkruar, lëndimet e së cilës i mbartim dhe reflektojmë në atë që jemi dhe sillemi në bashkëveprim me botën. Ja si e imagjinojë, pa justifikuar dhe legjitimuar asnjë veprim të përgjegjësve të ushtrimit të dhunës, punën e edukatorëve apo mësueseve që merren me fëmijët çdo ditë. Imagjinoni për një moment një grup të madh prej 40 fëmijësh dhe një drejtues kryesor që është përgjegjës për t’i motivuar, mësuar dhe për t’i organizuar të gjithë së bashku në aktivitete të ndryshme. Çdo gjë duket sikur shkon mirë në perspektivën e fëmijëve: disa po kënaqen se po vrapojnë ndërsa lozin me kapërcimin e rrathëve apo kapjen e shamisë, disa po i gëzohen faktit se të vizatosh lepurushët është gjëja më e ëmbël në këtë dynja, le më pastaj kur fillon t’i imitosh ata duke kërcyer me një maskë në kokë. Disa të tjerë janë kaq të lumtur se sapo kanë zbrazur koshin e kuq me lodra shumë, aty ku gjendet treni i preferuar, dhe i shkëmbejnë midis tyre një herë të zemëruar me njëri-tjetrin dhe një herë të gëzuar se më në fund u erdhi në dorë lodra e preferuar. Disa të tjerë janë të ekzaltuar prej argëtimit mes bojërave shumëngjyrëshe që u kanë vënë në dispozicion për të lyer duart dhe për t’i vulosur çlirët në çarçafin e bardhë të vendosur në mur. I gjithë ky gëzim zgjat dhe mbetet i gdhendur në emocionet e fëmijëve, si një kujtim që rritet bashkë me ata dhe zhvillon një gjendje lumturie, deri në momentin që dikush, mësuesi drejtues apo çdo kush me pushtetin për t’u kujdesur për këta engjëj, fillon të shprehë pakënaqësi ndaj tyre: njëri shkon në banjo më shumë seç duhet, dikush tjetër dëgjon përrallën me këmbët hapur dhe trupin e rrëshqitur në karrigen monotone, dikush tjetër hap gojën me gogësimën shplodhëse, dikush tjetër shkujdesur bënë murin pis me bojë, dikush tjetër në çlirësi e sipër gris shaminë e lojës, dikush tjetër nuk arrin të ngjyros brenda vijave, dikush tjetër nuk i vesh dot pantallonat e tij vet pasi ka urinuar në banjë, dikush tjetër nuk qëndron dot ulur për një kohë të gjatë dhe i arratiset qetësisë së grupit, dhe shumë të tjerë, sikundër e kam përshkruar dhe në një prej artikujve të mi, “dalin prej rreshtit” duke mos iu përshtatur shumë pritshmërive të një të rrituri, që qëllon të jetë edhe mësuesi i tij. Dhe duhet vetëm kaq pak, për të irrituar një shpirt tashmë të irrituar në neurozat e tij, për të shpërthyer në zemërim drejt fëmijës. Shpesh këto mësuese apo edukatore, pa e kuptuar pasojën fatale, shfryjnë në agresivitet ndaj këtyre shpirtrave të brishtë si petalet e pranverës: sharje, ofendime, pickime, gjuajtje në kokë apo në fytyrë, britma, shkundje, izolim nga fëmijët e tjerë, refuzim, poshtërim në grup dhe më e keqja fare, neglizhenca. Këto janë disa prej veprimeve më të urryera përgjatë zhvillimit të fëmijës, të cilat shkaktojnë një ndrydhje në guaskë për të qëndruar në mbrojtje, duke mos iu gëzuar kështu, asaj që ishte e thënë të ishte qëllimi i ardhjes në këtë institucion.
Të gjithë ne, spektator apo aktor të dhunës ndaj fëmijëve, në përfundim do të duhet të shikojmë më nga afër se cilat janë pasojat konkrete të abuzimit në kohën e tashme dhe në të ardhmen:
Së pari, fëmija mund të pësojë dëmtime fizike. Fëmijët e moshës së hershme mund të pësojnë zhvillim të papërshtatshëm të trurit, i cili ende nuk është përmbyllur në ciklin e tij, në 100% të rritjes së potencialit të tij. 2.13 nga 100.000 fëmijë vdesin nga abuzimet të cilat mund të shkaktojnë dëmtim të trupit i cili nuk do të mund të funksiononte përshtatshëm dhe në afatgjatë, prek aftësitë gjuhësore, social-emocionale dhe prekin kështu shëndetin mendor. Stresi i vazhduar ndaj dhunës mund të shkaktojë prekjen e disa zonave të trurit të cilat rezultojnë në hiperaktivitet dhe çrregullimet e gjumit tek fëmijët.
Së dyti, dëmtim konjitiv (të proçeseve njohëse) në aftësitë e të mësuarit dhe dëmtim të aftësisë social-emocionale.
Së treti, zhvillim të vonshëm gjuhësor dhe deficite në aftësitë komunikuese. Fëmijët pre e abuzimit, sidomos në ambientet e edukimit, janë në risk të lartë në uljen e rendimentit të përdorimit të potencialit të tyre të proceseve mendore. Aftësitë e prekura janë edhe ato gjuhësore dhe të komunikimit.
Së katërti, nëse dhuna është e një natyre të rëndë, mund të shkaktojë edhe verbëri ose dëmtime cerebrale prej traumave në kokë.
Së pesti, risk të lartë ndaj sëmundjeve të zemrës, mushkërive, obezitetit, kancerit, presion të lartë të gjakut dhe kolesterol të lartë.
Së gjashti, ankth dhe depresion. Në një studim afatgjatë, 80% të adultëve të moshës së hershme të cilët kanë qenë të abuzuar në ambientet e shtëpisë apo të institucioneve të edukimit, i kanë përmbushur të paktën një prej kritereve diagnostike të çrregullimeve mendore që në moshën 21 vjeç. Këta të rinj janë vulnerabël ndaj depresionit, ankthit, çrregullimet e të ngrënit dhe tentativa për vetëvrasje. Stresi dhe abuzimi kronik i bën fëmijët më të prekshëm ndaj çrregullimeve të ankthit, stresit post-traumatik duke ndikuar kështu në aftësimin për të mësuar, për të qenë i vëmendshëm, dhe vështirësitë në kujtesë.
Së shtati, përfshirja në sjellje jo të shëndetshme si të pirit duhan, alkoolizmi dhe abuzimi me drogën. Kjo do të thotë se dhuna prek seriozisht sjelljen e fëmijëve. Ata që përjetojnë dhunën dhe neglizhencën, janë në risk të lartë për të abuzuara me drogërat, në risk të lartë për sjellje seksuale të papërshtatshme, delinkuencës, lënies së shkollës, probleme të krijimit të marrëdhënies së shëndetshme intime, etj.
Në moshën fëmijërisë, ndodhin zhvillime shumë të rëndësishme për formimin e individit. Abuzimi fizik, emocional, social, etj., për më tepër prej aktorëve që kujdesen për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, do të shkruaj në fletët e brishta të qenies së këtyre fëmijëve, lëndime që prekin seriozisht funksionimin shëndetshëm të një individi. Ashtu sikurse më pëlqen ta finalizoj kur bëhet fjalë për fëmijët: “një fëmijë i shëndetshëm, do të prodhojë një të rritur të shëndetshëm për shoqërinë!”
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: A po festojnë mësuesit?
Denata Toçe: Pushteti i stilolapsit të mësuesit
Si t’ia bëj që fëmija im të lexojë?