Festat

Dhurata “të vogla,” kujtime “të mëdha…”

Qëllimi i dhuratave do të duhet të jetë rritja e kreativitetit, talentit apo aftësive motorike, të tilla si instrumentet muzikorë, ngjyrat, lojërat me top, etj. Fëmijët kanë shumë dëshirë kur zbulojnë talentet e tyre, forcon vetëbesimin

Përballë lodrave të shumë shumëllojshme, shumëngjyrëshe dhe shumë shumë shumë në numër, qëndron një fëmijë me prindërit e tij, ndërsa këta të fundit presin ethshëm që ai të zgjedhë. Sa e vështirë zgjedhja… Të marrë një avion apo një makinë? Një biçikletë apo një motor? Një kukull frozen apo një barbie? Një kuzhinë me pajisje të ndryshëm apo një set dyqani? Një libër apo një fletore me figura për ngjyrosje? Një top apo një dinozaur? Një kuti me krafts apo një kuti me tualete barbie? Një maskë apo një kostum spidermen ose kostumi Elsës? Një kalë apo gjithë kafshët e xhunglës? Një kuti me lego apo një kuti me kuba? Një shpat apo një set piratësh? Më në fund fëmija zgjedh një prej lodrave, ose edhe dy. Prindërit nuk kundërshtojnë përballë syve të qeshur dhe fytyrës të gëzuar, dhe paguajnë dhuratën pa një pa dy. Gjatë rrugës, ose kur fëmija shkon në shtëpi, i hap lodrat dhe fillon të luajë. Çuditërisht, pas një farë kohe, shikon që fëmija fillon të qajë. Prindërit të habitur mendojnë se çfarë ka që nuk shkon tani. Pse të ndodhë vallë që ne po i ofrojmë fëmijës që të zgjedhë çfarë të dojë, dhe rezultati në fund është që fëmija fillon të qajë. Ku gabuam? Mos vallë do të donte një dhuratë tjetër? Dhe kështu e pyesin fëmijën të shqetësuar: - “Po hë more / moj, çfarë do tani. Ti mund të zgjidhje ç’të dojë, dhe tani qan?” Pas pak, fillojnë të ngushëllojnë fëmijën duke i premtuar se herës tjetër do të shikojnë edhe gjëra të tjera, deri sa ai të jetë i kënaqur, a thua se nuk mjaftoi i gjithë dyqani lodrave për ta bërë të ndihej i kënaqur.


Në fakt, i gjithë dyqani lodrave nuk do të mjaftojë që fëmijët të kënaqen, nëse nuk i mësojmë se si t’i vlerësojnë lodrat, ose më mirë, se si t’i vlerësojnë dhuratat. Sa herë kemi parë fëmijë që mbajnë një qëndrim neutral ose gati të pakënaqur kur i sjellim një dhuratë të re. Duket sikur fëmijës nuk i bën shumë përshtypje. Kjo na zhgënjen si prindër dhe na bën ankthioz për dhuratën e radhës. A ka një mënyrë se si t’i bëjmë fëmijët të ndjehen më mirë dhe të vlerësojnë më shumë dhuratat?


Përpara se t’i mësojmë fëmijëve të vlerësojnë dhuratat e reja, do të duhet t’i mësojmë se si të vlerësojnë atë që tashmë kanë. T’i gëzohen më shumë gjërave që kanë sepse ato mund të jenë edhe të përkohshme nëse nuk përdoren siç duhet ose kur fëmijët nuk i përdorin në kohën e duhur.


Duhet të pranojmë një të vërtetë të madhe: prindërit e kanë shumë qejf të kënaqin dhe t’i lumturojnë fëmijët e tyre. Përpiqen kaq shumë që ata të ndjehen mirë, sa ia dalin më së miri duke u strapacuar ditë pas dite se si ata të lumturohen në prezencën e prindërve dhe të shkëmbejnë çaste magjike mes ondesh kënaqësie. Por jo gjithmonë mënyrat që zgjedhin prindërit janë ato të më të mirat. M.q.s jemi në prag festash, do të veçoja një prej fenomeneve më të zakonshme të cilat e bëjnë procesin e “lumturimit” të fëmijës kompromentues në raport me çfarë do të duhet të ndërtojmë. Prindërit bëjnë vazhdimisht dhurata brenda një jave dhe nuk i vendosin një emër dhuratës. Prindërit jo vetëm që janë intesiv në dhënien e dhuratave por janë edhe në numrin e tyre. Shumë dhurata = shumë lumturi. Por a është kjo e vërtetë? Çfarë ndodh në të vërtetë kur japim shumë?


Tepria në kënaqësinë që duam t’i japim fëmijëve, është gati abuzive. Këtë fenomen e gjejmë të përbashkët në shumë prindër, të cilët dështojnë në këtë proces dhe i kthejnë këta vogëlushë të ëmbël në fëmijë mosmirënjohës të cilët nuk i kënaq thuajse asnjë gjë, pavarësisht sa shumë marrin prej prindërve. Fillimisht kjo ndodh me dhuratat, por më pas edhe me gjera të tjera që prindërit i ndajnë në jetën e përditshme. Përpara se të mbushim fëmijët me rrebesh lodrash, të reflektojmë se çfarë do të sillte kohë në terma afatgjatë.Cilat janë disa prej pasojave më shqetësuese kur prindërit i bëjnë shumë dhurata fëmijëve?


Së pari, kemi rritje të sjelljeve destruktive.

E keni vënë re që fëmijët të cilëve nuk u mungon thuajse asnjë gjë, sillen në mënyrë më destruktive? Fëmijët të cilët angazhohen në lakminë e rrëmbimit të dhuratave të shumta gjatë festave, vuajnë më pas pasojat e veta negative sociale dhe emocionale që shtrihen përtej fëmijërisë së tyre. Sipas një studimi nga Universiteti i Misurit, të rriturit të cilët kanë pasur këtë natyrë fëmijërie, janë më të prirur për t’u përfshirë në borxhe, në kumar, në gredite dhe i pandreqshëm ndaj varësisë së pazareve. Sigurisht, zhveshja e dhuratave të shumta, prodhon një hov të madh lumturie, por që nuk ka fuqinë për të qëndruar për një kohë të gjatë, ndaj ne shohim fëmijë që në fund të ditës qajnë, sepse në fund të ditës, ata duan më shumë.


Së dyti, kemi vetëvlerësim të ulët

Vetëvlerësimi afatgjatë i ka rrënjët në një marrëdhënie të fortë identitare dhe aspak materialiste. Teprica nuk është e barabartë me vlerën. Studimet kanë treguar se nuk ka korrelacion midis zotërimit të materialeve dhe vet-respektit apo lumturisë. Në fakt, fëmijët të cilët kanë më pak gjëra materiale, por marrëdhënie pozitive me prindërit dhe bashkëmoshatarët, kanë rezultate më të larta në vetëvlerësimin e tyre. Ata gjithashtu kanë më pak probleme të sjelljes dhe demonstrojnë më shumë elasticitet përballë pengesave, sesa fëmijët me prindër që i mbi-ngopin.


Së treti, grabit lumturinë e qëndrueshme të fëmijëve

Studiuesit në Universitetin e Harvardit zbuluan se njerëzit të cilët kishin pasur një fëmijëri ku dhuratat ishin më të pakta por më të vlerësuara, futeshin tek kategoria “dhënës” pasi ishin më të prirur që t’i bënin dhurata të tjerëve, t’i surprizojnë ata dhe të sigurojnë lumturinë për të tjerët, duke marrë një sodisfaksion të madh mbrapsht. Ndërsa fëmijët e tejngur me dhurata, janë më të prirur që kur të rriten të shndërrohen në “marrës”, në egocentrik dhe me prirje të mungesës së empatisë.


Së katërti, krijon fëmijë imponues

Fëmijët fillojnë të mendojnë se i meritojnë dhuratat dhe shumë herë u imponohen prindërve që t’i blejnë dhurata. Ndonjëherë bëhen edhe fyes ndaj prindërit: ti je i keq…ti je shtrigë…nuk më blini asnjëherë asnjë gjë se jeni prindër koti…ju nuk më doni mua fare…etj. Ndonjëherë këta fëmijë bëhen edhe manipulues të situatave duke gënjyer për të marrë më shumë dhe të jenë të parët në listë, ata që nuk mund të harrohen për të marrë dhurata. Kur të rriten kanë prirje të jenë imponues tek të tjerët, në mendime, zgjedhje, etj. E keni vënë re se ka të rritur të cilët e thonë haptazi dhe me shumë krenari, të bindur në meritën për të pasur një dhuratë sikurse ata shprehen: “Mua për datëlindje më blini një kompjuter, do të isha shumë i kënaqur.”


Po çfarë mund të bëjnë prindërit?


Së pari, vendosni limite për dhuratat:

Dhurata kuptimplotë kanë vlerë më shumë emocionale se sa një mal të dhuratave të përgjithshme. Vendosjen e kufijve për dhënien e dhuratës, shkakton më shumë ndjesinë e mendimit dhe konsideratës që keni për fëmijën. Gjithashtu garanton që gjithsecili përjeton një dhënie dhe marrje të drejtë dhe të barabartë. Prindërit do të duhet të kujdesen edhe për intensitetin e dhënies së dhuratave. Ato të jenë të planifikuara, sipas rasteve kur fëmija të mos e presë. Fëmija është i prirur të ketë më shumë qasje pozitive ndaj surprizave, duke i dhënë një kënaqësi emocionale më afatgjatë, dhe duke krijuar kujtime të pakthyeshme dhe me vlerë së bashku me prindërit. Dhe mbani mend, dhuratat e bëra vet si ato që kanë art brenda ose poezi, mund të krijojnë memorie të cilat zgjasin shumë herë më tepër se bateritë më të mira që mund të ketë një makinë lodre ferrari.


Së dyti, mbani të pa prekur programin familjar dhe limitet e vendosura

Dhuratat e shprehura paralel me festat, ndonjëherë prishin atmosferën e vet festës. Shpesh, prindërit lejojnë që programi i gjumit, punët, dhe strukturat e tjera brenda familjes të bien përgjatë pushimeve ose festave. Pa struktura, sjelljet e fëmijëve do të përkeqësohen, edhe pse duket sikur i keni kënaqur fëmijët më shumë. Nëse fëmijët papritur kanë qasje të pakufizuar ndaj ëmbëlsirave, qëndron gjithë natën dhe fle gjithë ditën, ju keni për të parë më shumë ulje dhe ngritje të humorit të fëmijës, më shumë grindje, dhe më shumë kërkesa imponuese të pavend. Humbja e strukturës gjatë festave, është shkaku numër një i sjelljeve problematike.


Së treti, fokusimi tek respektindaj dhuratave

Qëllimi i dhuratave do të duhet të jetë rritja e kreativitetit, talentit apo aftësive motorike, të tilla si: instrumentet muzikorë, ngjyrat, lojërat metop, etj. Fëmijët kanë shumë dëshirë kur zbulojnë talentet e tyre, forcon vetëbesimin dhe vetërespektin. Mbi të gjitha fëmijët mësojnë të vlerësojnë më shumë dhuratat dhe të mos kenë nevojë për tepricë të gjërave që të ndjehen mirë me veten e tyre. Vlerësimi i dhuratës do të thotë edhe vlerësimi në shpenzime, në kohë, para, emocion etj. Prindërit do të duhet të marrin fëmijët me vete kur i bëjnë dhuratë një personi tjetër. T’i tregojë arsyen se përse po ia bën dhuratën, sa xhan e kanë, se çfarë mund t’i pëlqejë atij dhe se sa buxhet kanë për të shpenzuar. Nëse do të duhet që dhurata të ketë diçka artistike e bërë me duar, atëherë ftojeni që edhe fëmija të marrë pjesë. Kështu fëmijët do të mësojnë vlerën dhe respektin mbi dhuratën e cila është shumë e lidhur me personin që do ta marrë atë. Kur fëmija shikon kënaqësinë që merr personi që i është bërë dhurata, ndjen lumturi dhe respekt për veten.


Së katërti, mësojini fëmijës kënaqësinë për të dhënë

Fëmijët, prindërit e të cilëve i inkurajojnë që t’u japin, dhurojnë të tjerave, përjetojnë një sens më të fortë komuniteti dhe ndërlidhjeje me të tjerët. Në shoqërinë tonë kjo ndjenjë nuk duhet në asnjë rast të venitet, përkundrazi, ne kemi nevojë të shikojmë dhe përjetojmë më shumë individ që japin nga vetja e tyre. Do të kisha shumë dëshirë që të shikoja fëmijët dhe të rriturit që veprojnë dhe e përjetojnë vullnetarizmin si një vlerë e shoqërisë, e komunitetit ku jetojnë dhe jo të mbarsin shtrembërimin që i është bërë kësaj vlere prej dekadash të tëra, kur kjo e fundit ishte e detyruar. Të dhurosh, i ndihmon fëmijët që të mësojnë vlerën e dhënies duke i përfshirë ata në aktivitete altruiste si puna vullnetare për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Fundja, a nuk është dhënia, shpirti i vërtetë i festave?


Nuk ka rëndësi se sa e madhe apo e vogël është një dhuratë, sa shumë apo pak i dhurojmë fëmijëve tanë. E rëndësishme është funksioni i dhënies dhe i marrjes së dhuratave dhe trashëgimia e vlerës tek fëmijët tanë. Është e vërtetë se fëmijët kanë tempramente të ndryshme, por ne do të duhet t’i mësojmë që këtë forcë tempramenti ta kthejmë në avantazh për një edukim sa më të mirë të sjelljeve në harmoni, në sintoni me vlerën dhe të vërtetën e lumturisë. Koha që ne shpenzojmë me fëmijët duke luajtur dhe duke i kuptuar ata, duke i treguar një përrallë krishtlindjesh, festash pranë dritave të pemës dhe një kakao të ngrohtë, duke i zgjuar në mëngjes me një fërkim të lehtë në kurriz duke i pëshpëritur se sot është festë, duke i përkëdhelur faqet e ftohta prej dimrit të dhjetorit, duke e ftuar të hapë derën të shikojë se një person i dashur vjen nga larg për t’i kaluar bashkë festat dhe shumë të tjera si këto, janë dhurata të pashoqe në periudhë festash. Sepse festa e vërtetë janë kujtimet që i shoqërojnë ato. Ndërtoni kujtime të bukura tek fëmijët, dhe do të merrni dhuratën më të madhe të jetës suaj prindërore. 


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

9,031 Lexime
7 vjet më parë