Pjesa e II-të

Të rritësh fëmijë me vetëvlerësim…

"Të dashur prindër, ju sot keni mundësi t’i ofroni një terren akoma më të mirë rritje dhe edukimi fëmijëve tuaj duke ia bërë të njohur vetes, të ndërgjegjësoheni se ku qëndrojnë vështirësitë tuaja në raport, së pari, me vetëvlerësimin tuaj..."

Në pjesën e parë ne folëm për mënyrën sesi fëmijët zhvillojnë emocionet e tyre dhe si i njohin ato. Në botën emocionale fëmija mund të ndërtojë një sërë mendimesh rreth jetës dhe vetes, sipas mënyrës se si është rritur. E mbani mend përshkrimin e ciklit të mendimeve që fëmijët mund të zhvillojnë? I mësuat se sa të larmishme mund të jenë ato duke filluar që nga perceptimi optimist mbi jetën dhe botën e deri tek ai negativ dhe i zymtë. Mbi këtë perceptim, fëmija e mbars tek vetja e tij aftësinë për të dominuar aktualizimin e tij dhe besimin në tërësi. Këto mendime burojnë prej emocioneve që ne përjetojmë mbi veten që prej momentit që kemi ardhur në jetë dhe ky e ka emrin vetëvlerësim.


Vetëvlerësimi është faktor kyç për operimin e individit në jetën e përditshme dhe në vetërealizimin e tij. Prindërit të shqetësuar mendojnë se kanë gabuar me fëmijën e tyre kur shikojnë se fëmija çedon në disa prej karakteristikave që shfaq vetëvlerësimi si ai i ulët, por edhe vetëvlerësimi i lartë. Të dekurajuar prindërit mendojnë se është tepër vonë të ndryshojnë sjelljen e tyre në raport me fëmijën, por unë i inkurajoj që sot është ende koha për të filluar ndryshimin në sjelljen e tyre ndaj fëmijës. Në këtë jetë nuk ka asnjë prind që të ketë rezultuar perfekt për fëmijën e tij dhe nga ana tjetër nuk është askush që të mund të prindërojë më mirë se vet prindërit e fëmijës. Spektri i prindërimit është i gjerë, por brenda këtij spektri do të doja të ndaja me ju disa elementë që shtyjnë drejt ndërtimit të vetëvlerësimit të fëmijës tuaj. Pa hezituar do të filloja me emocionet:


Emocionet tuaja janë shumë të lidhura me atë të fëmijës. Mënyra se si ju reagoni ndaj “thirrjes”, nevojës së fëmijës është kritike për mesazhin që i përçoni atij që në fillim. Si reagoni ju në raport me emocionet e fëmijës është qendrore, pasi nëse ju p.sh. do të ndjeheni të stresuar, të alarmuar, të trembur, fëmija juaj do ta ketë shumë të vështirë të relaksohet. Nëse në të kundërt ju do të ndjeheshit të qetë, të sigurt, fëmija juaj gjithashtu do të mësonte t’i merrte gjërat me qetësi, t’i kontrollonte emocionet e tij më shpejt dhe të vetëqetësohej më shpejt. Në këtë pikë, do të duhet të flasim për “KUR” dhe “SI” që të jemi më praktikë. Të mësosh të jesh në sintoni me nevojat e fëmijës nuk është diçka e lehtë, por nëse fillojmë me gjëra praktike, do të ndjehemi edhe ne vet si prindër më të motivuar:


E di që dita juaj është shumë e ngarkuar dhe e stresuar dhe këtë më së miri e dini ju sesa fëmija juaj i vogël. Ne shpesh me reagimet tona emocionale e vendosim fëmijën në përgjegjësinë për të gjykuar jashtë mundësisë së tyre dhe si rrjedhojë e vendosim në pozita vet-fajësuese: p.sh “nuk e shikon që jam e zënë ndërsa ti e ke mendjen të bësh shaka… …të thuash mami mami gjithë kohën… …të ngacmohesh me motrën duke bërë zhurmë… …të hedhësh jastëkët përtokë…etj.” Kur ne presim që fëmija të mendojë dhe arsyetojë si ne, aty kemi bërë gabimin e parë dhe kemi anashkaluar nevojën reale të fëmijës; për të marrë vëmendje duke bërë shaka, duke marrë iniciativën për të luajtur me ju që të ndjehet mirë, t’ju thërrasë në emër edhe pa ndonjë shkak konkret, thjesht që të marrë vëmendjen tuaj aq të dëshiruar, të ngacmohet me lodrat e motrës ose të vëllait për të fituar terren, të hedhë objekte përtokë duke i fluturuar më përpara në formën e lojës për të krijuar atmosferë, të ndërtojë kështjellën me jastëkë duke krijuar këndin e tij të sigurisë, të rrëzohen shkujdesur dhe të bëhen pis duke qenë të sigurt se asnjë penalizim nuk vjen pas kësaj, vetëm konfirmimi që këto janë gjëra që ndodhin dhe se herën tjetër do të duhet të bëjë më shumë kujdes, pra nevojën për të mësuar rreth roleve dhe provave që i ndërmerr dhe që fatmirësisht ndodh që prej tyre fëmija mëson shumë.


Ka prindër të cilët i kthehen dhunshëm fëmijës verbalisht, fatkeqësisht ndonjëherë edhe fizikisht, vetëm se ata janë ndotur në mbathje, u rrëzuan pa dashur, u bënë pis, rrëzuan diçka në shtëpi, etj. Sigurisht që mërzitja e mamit apo e babit nuk është një gjë që i pëlqen fëmijës, aq më tepër kur ne i kemi kultivuar apo mësuar fëmijës që të jetë fëmijë i “mirë” për mamin dhe për babin, me pak fjalë për të tjerët. Ne jemi ata që i themi të hajë të gjithë ushqimin, pavarësisht se ai/ajo nuk e do, por e do mami, babi, etj. (një lugë për mamin, një për babin, një për nënën, etj.) Kështu duket sikur ne e kemi të vështirë të respektojmë ndjenjat e fëmijës, se ai ndjehet keq nëse e ha ushqimin, pasi ai nuk do të hajë. Ne do të duhet t’i komunikojmë sesa e rëndësishme është për shëndetin e tij/saj, dhe jo për ne vetë. Sa herë që fëmijët ndjehen në faj për arsye irracionale, ne i kemi dhënë fëmijës një mundësi që të gjykojë në mënyrë irracionale për veten e tij dhe kështu fëmija mëson ta keq-drejtojë dhe keq-gjykojë veten, të tjerët dhe botën. Ai vendoset vazhdimisht në përpjekje për t’i bërë gjërat sa më mirë të jetë e mundur kur kufiri i asaj që do të duhej të ishte “mirë” ose “ shumë mirë” nuk shikohet me sy objektiv dhe racional, por si një dështim i radhës dhe këta fëmijë nesër do të priren të heqin dorë shpejt nga përgjegjësitë, ndaj detyrave e jetës të cilat pa dyshim ata do t’i bënin mjaft mirë.


Të dashur prindër, ju sot keni mundësi t’i ofroni një terren akoma më të mirë rritje dhe edukimi fëmijëve tuaj duke ia bërë të njohur vetes, të ndërgjegjësoheni se ku qëndrojnë vështirësitë tuaja në raport, së pari, me vetëvlerësimin tuaj. Nëse fëmija do të dëgjonte nga një prind, i cili e vlerësonte veten e tij jo drejt, atëherë edhe fëmija do të mësojë prej këtyre modeleve. P.sh nëse prindi do të gjykonte: “unë jam një dështak”, “nuk di fare të vishem, uuufff”, “edhe unë, se bëra një punë tamam”,“dreq, gjithmonë kështu e djallos me drekën”, “jam një zero me xhufkë në matematikë ndaj s’të ndihmoj dot”, “sa budallaqe që jam…” etj. Të gjitha këto deklarata fëmija i merr si shembull për gjykimin e vetes dhe situatave të ngjashme në të ardhmen. Akoma më të vështira për fëmijën janë momentet që ai përballet me kritikat, me qortimet, me dënimet apo “strategji” të tjera të ngjashme të cilat ndikojnë negativisht në vetëvlerësimin e tij: sa herë që i keni bërë shembujt si më poshtë ose që ju shkon ndërmend t’i bëni nuk jeni në rrugën e duhur për ta bërë një fëmijë të ndjehet mirë me veten e tij dhe t’i siguroni një rritje të shëndetshme. P.sh: “sa budalla që je, nuk bëre një gjë tamam”,“të kam thënë 100 herë, kjo nuk bëhet kështu siç e ke bërë ti, shumë keq”,“mjaft më, djalë i keq…”, “prapë u rrëzove ti? Po ku e ke mendjen mohumbameno…”, “po ku e humbe kukullën mi, sa herë të kam thënë të kujdesesh për gjërat e tua…hutaqe”, “o bo booooo, hajde merru me ty tani… “, 

“katranose…”,“mbete duke bërë gabime, nuk të kam xhan…”. Të gjitha këto deklarata janë kaq të rënda për një fëmijë, sa e kam shumë të vështirë t’jua tregoj me fjalë sesa është pesha e tyre. Të gjitha përfundojnë me një ndjenjë faji shumë të madhe për të cilën fëmija do të jetë në përpjekje të vazhdueshme për ta ndrequr. Por ju them që sot, fëmija juaj nuk ka asnjë gjë për të ndrequr, asnjë gjë që nuk shkon, ai është i pagabueshëm në mënyrën e tij, perfekt ashtu siç është, jemi ne dhe gjykimi ynë i tej ngarkuar me gjykimin e skemave që bota na ka “ndrequr” dhe modeluar, sa e kemi të vështirë të shikojmë se sa të bukur janë fëmijët tanë. Lajmi i mirë është se ju mund të ndryshoni. Lajmi tjetër i mirë është që fëmijët tuaj lindin me një predispozitë të sinqertë se ata kanë vlera, pra me një vetëvlerësim të mirë. Ne do të kujdesemi që t’ia ruajmë duke e pasuruar. Nuk do të duhet të mundoheni shumë, thjesht të ndiqni ritmin e fëmijës suaj. Nëse një fëmijë do të dojë të luajë i shpenguar dhe kërkon të bëhet pis, lëreni, mos e gjykoni, por vini në pah se sa mirë luajti me shokët dhe me lodrat, ja ashtu spontanisht. Më pas ju mund t’i jepni përgjegjësinë që të pastrojë vet ose t’ju ndihmojë të pastrojë me ju sandalet apo këpucët e tij. Nëse fëmija juaj ka hedhur pa dashur poçen e sheqerit dhe në dysheme situata nuk është shumë e këndshme, sigurojeni që çdo gjë është në rregull, të kujdeset për xhamat në tokë, të mbathë këmbët dhe përfshijeni që t’ju ndihmojë ta mblidhni së bashku. 


Fëmijës në këtë rast i ofroni mundësinë që të ndreqë atë që ka bërë padashur dhe mbi të gjitha i mësoni të kujdeset për përgjegjësitë e tij. Nëse fëmija i vogël fare rrëzohet dhe ne i biem vendit ku është rrëzuar, nuk i kemi mësuar se ai do të duhet të ndërmarrë përgjegjësinë, por se dyshemeja, ajo gjëja inerte e ka fajin. Mësojini fëmijës të qetësohet, duke i thënë se çdo gjë është në rregull dhe se herës tjetër do të duhet të shikojë me kujdes dyshemenë. Kështu fëmija gjykon drejt atë që ndodhi dhe jo irracionalisht duke gënjyer veten se dyshemeja e kishte fajin, nesër ndoshta të tjerët e kanë fajin, jo ai/ajo. Nga ana tjetër, nëse rrëzohet, nuk është faji i tij, mos i bërtisni, sërish ngushëllojeni dhe ofrojini mundësi për të bërë kujdes herës tjetër.


Nga ana tjetër, ka prindër të cilët i mbivlerësojnë fëmijët e tyre, marrin përsipër të krijojnë skenare të cilat nuk përputhen me realitetin e fëmijës dhe të botës në përgjithësi. Vetëvlerësimi shumë i lartë, në fakt, bashkohet me vetëvlerësimin e ulët pasi ndjenjat janë të njëjta në fund, fëmija ndjehet keq me veten e tij dhe me botën. Nëse ne i komunikojmë fëmijës mesazhe si: “nuk ka si ty, ti je më i miri, më i forti…”,“nga të gjithë shokët, t’i shkëlqen, e ke vënë re sa me zili të shikojnë…Mbreti i mamit ti…”, “nuk e bën dot? Punë e madhe, e bën mami/babi…ti je gjeni po të duash…”, “ku ka si ty, bukuria e dheut…të gjitha shoqet i ke të mira, por t’i je e para klasës, më e mira, më inteligjentja”, “Nuk arrin t’i bësh detyrat? E çfarë pastaj, ti je e zgjuar vet…” Të gjitha këto deklarata që i keni bërë fëmijës, kanë çuar në një gjykim irracional të asaj që në të vërtetë fëmija është. Ju jeni përpjekur t’i ofroni ngushëllim ndaj dështimit të fëmijës ose të ndreqni atë që fëmija nuk arrin ta bëjë i vetëm, por nuk e keni ndihmuar që të ndjehet mirë për një kohë të gjatë, thjesht i keni dhënë një moment qetësie dhe një mënyrë se si t’i bëjë dredhi përgjegjësisë. Duke i treguar këtë model ju e keni vendosur fëmijën nën trysninë se ai është “PERFEKT” e ai është i zoti për një gjë që s’është, etj. Vlerësimi i ulët dhe mbivlerësimi janë dy forma jo të drejta dhe racionale për fëmijën. Në vend të këtyre dy modeleve, ofrojini fëmijës modele realiste, objektive, motivuese dhe shpërblyese. Carl Roger sugjeron që prindërit të fokusohen tek gjërat pozitive të fëmijëve, t’i shpërblejnë ato, t’i ofrojnë mundësi suksesi fëmijëve, dhe t’i mësojnë fëmijët se si t’ia dalin, si të realizojnë gjëra të vogla në mënyrë të suksesshme. T’i jepet fëmijës vëmendje pozitive dhe të injorohen sjelljet negative, duke i orientuar objektivisht drejt akteve të sigurta që fëmijët ia dalin. Rogers i tregon prindërve se fëmijët do të duhet të përforcohen në sjelljet e tyre që kanë vlerë dhe fëmija të mësojë se ata janë vlera e vetvetes, për të pritur që këto sjellje të përforcuar të përsëriten në të ardhmen me siguri dhe vendosmëri.


Ndroja e shumë prej fëmijëve nga vetja e tyre jo-ideale është një iluzion i cili është mësuar më së shumti prej nesh, prej prindërve. Sot ne kemi mundësi që t’i mësojmë të vërtetën fëmijës se çdo iniciativë e tyre është me vlerë dhe mbi të gjitha t’i tregojmë vlerën reale të gjërave. Kështu fëmijët do të jenë më të fortë dhe më të sigurt për t’u përballur me jetën.


Perfeksioni është i pamundur, por reflektimi mbi këtë temë do të na bëjë ne prindër më të mirë. Përpara se të keq-gjykoni veten tuaj të dashur prindër, ndaloni të vetëkuptoni veten tuaj, t’i ofroni një mundësi të dytë dhe të tretë pasi ju ia keni dalë më së miri deri tani për fëmijën tuaj. Ne do të duhet që përballë fëmijës të pranojmë pa krenari absolute gabimet tona, të mësohemi të kërkojmë falje, të jemi empatik ndaj dhimbjes së fëmijës sado “budallallëk” ne na duket, shpjegojini fëmijës se si ju ndjeheni dhe tregojini se e kuptoni se si ata mund të ndjehen. Ne kulturalisht nuk jemi mësuar të flasim dhe të ndajmë ndjenjat tona, por më besoni dhe mirëkuptoni, ju keni për të parë se çfarë ndryshimi me veten tuaj dhe marrëdhënies me fëmijën do të shikoni dhe përjetoni. Jepini fëmijës mundësinë që të dojë veten e tij, po aq sa ai vlen. Dhe ju e njihni që prej fillimit se ai është vlerë.


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

10,217 Lexime
8 vjet më parë