Të duash në adoleshencë!
...Sepse një adoleshent bie në dashuri, ai në të vërtetë “bie” në një ndjenjë të thellë dhe të fortë gjithëpërfshirëse, të cilën nuk e ka përjetuar dhe do ta përjetojë ndonjëherë, si këtë herë të parë!
“E mbaj mend si tani! Më kujtohet ai djali simpatik i lagjes, me flokë pak të gjata mbrapa, të shkujdesura përpara fytyrës. Më sy të mprehtë dhe vëzhgues, buzë të rregullta, të cilat qëndronin ngahera të kuqe nga loja e dhëmbëve dhe gjuhës që i ngacmonin herë pas here. Lëkurë të bardhë, sapo të prekur pakëz nga disa qime të buta, që nuk kanë arritur ende t’i mbulojnë skuqjen e faqeve sa herë që shiheshim bashkë. Duar të mëdha me gishta të hollë dhe të gjatë, të cilat flisnin bashkë me gojën sa herë që puqeshe mes miqsh. Ah, sa dëshirë do të kisha që ato duar të mund të preknin flokët e mi duke zbërthyer shkujdesur ngatërrimin e tyre të natyrshëm, fytyrën time të ftohtë nga pasditet e freskëta të shtatorit, dorën e akullt nga emocionet e para të një ndjenje që nuk ia dija emrin, thjesht një gjë e dija me siguri: uuuuuu, sa më pëlqente!
Çdo ditë çohesha herët në mëngjes, zgjidhja rrobat më të mira që kisha, krihja flokët disa herë edhe pse ato qartazi ishin mjaft të rregullta, hidhja parfumin duke përshkruar gjithë trupin, vrapoja drejt derës me çantën në krahë, dhe kërkoja me sy në kryqëzimin e rrugicës pranë shtëpisë, se mos ndeshesha me të, si ditën e parë kur vështrimi ynë u puq ngultas, dhe që atëherë nuk i shpëtuam njëri-tjetrit pa ia hedhur sytë. Kur ai merrte biçikletën e tij për të shkuar në shkollë, ato ishin mëngjeset më të trishta që përjetoja, pasi edhe pse ende nuk kishim shkëmbyer asnjë fjalë, dukej sikur ishim të zemëruar, dhe më pushtonte një ndjenjë inati me të duke thënë me vete: - Si mund të ma bënte mua, të ikte vjedhurazi pa u parë atë mëngjes? Mos vallë nuk më ka qejf? Po mëngjesi tjetër vinte shpejt, dhe çdo gjë kthehej si më parë”.
Kjo është historia e vërtetë e një adoleshenteje L. M, në moshën 15-vjeçare, e treguar sot pas 20 vjetësh. Është historia e saj e parë e dashurisë me djalin e lagjes. Ajo tregonte se pas një viti, me të shkëmbyen puthjen e parë, të cilën sot e kësaj ditë e mban mend si një nga çastet më të bukura të jetës së saj.
Miqtë që krijojmë përgjatë fëmijërisë apo adoleshencës sonë, janë shumë të veçantë, pavarësisht nga koha që mund të ketë kaluar që prej njohjes me ata. Këto lidhje, lëshojnë rrënjë në formimin tonë përgjatë adultërisë. Pëlqimet, marrëdhëniet dhe lidhjet e para në periudhën e pubertetit apo në adoleshencë, përçojnë tek ne të gjithë momentet jetike eksperienciale të jashtëzakonshme, të mrekullueshme por njëkohësisht edhe të mërzitshme, të sikletshme, të cilat na bëjnë të jemi sot këta që jemi në marrëdhënie.
Por kur fëmijët janë të vegjël, pa arritur moshën e adoleshencës, prindërit mund t’i konsiderojnë këto marrëdhënie të parëndësishme. P.sh, nëse prindërit do të lëviznin nga lagjja ku jetonte vajza e historisë më sipër, për ata nuk do të kishte kurrfarë rëndësie, por imagjinoni se çfarë do të humbiste L.M nëse nuk do të takonte më shokun e saj të preferuar të lagjes. Prindërit mendojnë se fëmijët do të shkojnë diku tjetër dhe menjëherë ata do të krijojnë miq të rinj. Fundja ata janë fëmijë dhe përshtaten shpejt. Atëherë, përse prindërit vet janë kaq kuriozë dhe kërkojnë ndonjëherë të ritakojnë miqtë e fëmijërisë së tyre sikur të kenë humbur një thesar shumë të çmuar dhe të mund të mos gjykojnë po kaq thjesht, se edhe miqtë e fëmijëve të tyre janë kaq të rëndësishëm dhe të vlefshëm për ta?
Akoma edhe më të nënvlerësuar, ndjehen adoleshentët, të cilët në të shumtën e rasteve, mendojnë se prindërit e tyre nuk i kuptojnë ndjenjat që ata kanë për një person. Prindërit e perceptojnë thjesht si “dashuriçka adoleshentësh”, po u thelluar për rëndësinë që ato kanë në vetvete, për ndjenjat, intensitetin e tyre dhe domethënien hap pas hapi deri në integrimin e fëmijës në këtë proces marrëdhënieje. Është e çuditshme se si prindërit ndonjëherë vënë në dyshim aftësinë e të rinjve për të ditur se çfarë është dashuria, duke u treguar mendjemëdhenj se vetëm ata e dinë se çfarë është dashuria e vërtetë. Por ironikisht, disa prej prindërve arrijnë të pranojnë lumturisht se që herët ata kanë njohur partnerin e tyre, që në vitet e gjimnazit, janë dashuruar dhe martuar me ata dhe sot fryt i asaj dashurie është familja që kanë. Po, atëherë ishin kohë të tjera, por sot nuk është aspak ndryshe edhe pse martesa dhe koha kur ajo ndodh, rezulton të jetë më e largët. Adoleshentët e tre dekadave të para, martoheshin me personin e parë që ata përjetonin këto ndjenja të forta. Sot, procesi i edukimit, formimit dhe karrierës ka ndryshuar. Sot marrëdhëniet janë më të zgjatura dhe i japin më shumë kohë martesës që të ndodhë. Sot, procesi i pubertetit dhe i adoleshencës është më i zgjatur. Kështu që, mund të themi se marrëdhëniet përgjatë kësaj periudhe kanë një domethënie shumë të rëndësishme në integritetin e ndjenjave të dashurisë dhe seksualitetit. Sot adoleshentët më së shumti, krijojnë marrëdhënie duke i sprovuar ndjenjat e tyre, duke krijuar forma argëtimi për të konsumuar emocionet që i falin këto lidhje. Për të gjithë brezat, sërish, dashuria e parë, mbetet dashuria e parë, e fortë dhe e pasur me emocione, të cilat trashëgojnë një kujtesë që shoqërojnë jetën tonë për një kohë të gjatë.
Sikurse prindërit nuk do të duhet në asnjë rast të nënvlerësojnë dashurinë e parë, mbi të gjitha nuk duhet të nënvlerësojnë dhe humbjen e parë të personit të dashur për një adoleshent. Ndarjet janë gjithashtu shumë domethënëse dhe vendimtare për marrëdhënien e ardhshme. Ato rrisin aftësinë e fëmijës për të krijuar marrëdhënie të tjera, të shëndetshme nëse ndarja përjetohet dhe konsumohet në mënyrë të respektuar ndaj vetvetes. Prindërit do të duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kuptojnë reagimet e fëmijës. Të kuptojnë kur një adoleshent nuk ka dëshirë të hajë, të flasë, të flejë, jo domosdoshmërisht sillet kështu sepse kërkon t’i kundërvihet prindërve, por sepse ndoshta kanë humbur dashurinë e tyre të parë, ndoshta janë zënkat e para të pëlqimeve të para, ndoshta sepse sikurse në mëngjeset e historisë të mësipërme dhe ai mëngjes ka qenë i mbrapsht për djalin apo vajzën tuaj. Nuk është veprim i mençur të pyesësh duke gjykuar një adoleshent “Po ti çfarë ke që rri kështu? Çfarë dreqin ka që nuk shkon? A të mungon ndonjë gjë ty?” Sikurse nuk është një veprim i mençur prej prindërve, t’i thonë një adoleshenti: “ka shoqe dhe shokë te tjerë sa të duash, nuk u shuajt dynjaja për një vajzë / djalë.” As mos u përpiqni të bëni shaka pa kripë për shokët e tyre, për t’u futur në komunikim me një adoleshent në momente delikate të tipit: “të dashurat ikin dhe vijnë ore, sa shumë ke për të parë ti, sa do harrosh t’i numërosh!” Shaka të kësaj natyre nuk janë argëtuese dhe nuk ndihmojnë aspak gjendjen në të cilën ndodhet një adoleshent. Do të ishte e udhës që në heshtje të mbështesni procesin e “zisë” në të cilën gjendet një adoleshent, t’i ofronit në heshtje për të ngrënë dhe po në heshtje t’i ofronit qëndrimin tuaj afër tij/saj. Këto janë momente shumë delikate, të cilat ndonjëherë shoqërohen edhe me episode të depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse. Mbështetja dhe prindërit e kuptueshëm, janë elementë thelbësor për ata. Nuk janë këto momentet kur prindërit i kujtojnë fëmijës e si ai/ajo ka rënë nga mësimet dhe se po e çon jetën dëm. Ky “fjalim” do t’i shtonte ankthin dhe dëshpërimin duke fajësuar vetveten, për një ndjenjë të cilën ende është në proces njohjeje dhe do të duhet kohë për t’i dhënë vendin që ka dhe për t’i dhë në kuptim.
Të gjithë pa përjashtim edhe pse marrëdhëniet tona të para mund të kenë qenë të hidhura, mund të mos i kemi vlerësuar aq sa duhet në atë moshë, mund të kenë qenë shumë të shkurtra, kanë influencuar raportin tonë me marrëdhëniet në tërësi, qëndrimet ndaj dashurisë dhe ndaj vetvetes. Ndaj dhe është e rëndësishme, të marrim në konsideratë dhe të vlerësojmë drejt raportet e para që krijojnë fëmijët tanë, pëlqimet e para, shqetësimet e para në marrëdhënie, pyetjet e para dhe çdo gjë e parë që i bashkëngjitet kësaj aventure kaq emocionuese dhe kaq e vërtet siç është dashuria në moshën e adoleshencës. Sepse një adoleshent bie në dashuri, ai në të vërtetë “bie” në një ndjenjë të thellë dhe të fortë gjithëpërfshirëse, të cilën nuk e ka përjetuar dhe do ta përjetojë ndonjëherë, si këtë herë të parë!
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Mësues dhe prindër, perceptime të ndryshme për të njëjtët fëmijë!
Fundit i Vitit si fillimi i jetës!