Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe
Do të duhet t’i qëndroj për një kohë të gjatë në kokë këtij artikulli, për të kujtuar të gjitha masat që duhen marrë për një ambient më të sigurt në çerdhe dhe në kopshte. Për sot, më mjafton të përmend vetëm një fjalë, e cila iu qëndron kaq natyrshëm fëmijëve: “Siguria”.
E kam të vështirë të shprehem si profesioniste mbi humbjen e jetës së 3-vjeçarit në çerdhen në Fier. Ndoshta sepse është përgjegjësi e madhe të përmendësh kujdesshëm çfarë ka që nuk shkon në këto institucione, duke filluar që nga stafi dhe deri te metodologjia. Njëkohësisht, është përgjegjësia për të kuptuar dhe për t’u ndërgjegjësuar mbi pasojat që kjo ngjarje ka lënë te familjarët dhe komuniteti. E kam të vështirë të shprehem mbi këtë ngjarje edhe si prind, duke u ndier, për të disatën herë, e zhgënjyer nga problemet e sistemit të edukimit të fëmijëve në Shqipëri. Si nënë, më shtohet edhe më shumë ankthi dhe pasiguria për t’iu dhënë fëmijëve të mi një ambient të përshtatshëm për rritjen e sigurt të tyre.
Siguria, një fjalë kaq e rëndësishme për mirëqenien e shëndetit fizik, por, mbi të gjitha, atë psiko-emocional. Kur përdorim fjalën siguri, kemi parasysh një mburojë të fortë që të ruan nga dëmtimi, nga lëndimi, nga e keqja që mund të të kanoset dhe mbushës me shpresë dhe me paqe. Këtu fillon ai momenti ku emocionalisht ndihesh mirë, dhe përjeton një çast lumturie të çiltër me veten. Ky përshkrim i përngjan më shumë një pështjellimi ndjenjash që përjetojnë fëmijët në moshën e hershme. Në nevojat e tyre bazë, kjo është e para nevojë që formohet te fëmijët, nevoja për siguri dhe dashuri. Këto janë nevojat më të rëndësishme dhe më të fuqishme për të formuar besimin te njeriu. Vetëm kështu njeriu krijon forcën për të krijuar marrëdhënie me botën dhe me tjetrin. Ndryshe, njeriu do të ishte një qenie e vetmuar dhe pa një mision dashurie e zhvillimi, sikurse është përçimi i jetës.
Por si do të duhet të ishte një botë më e sigurt për fëmijën në ambientin e institucioneve të edukimit, në çerdhe dhe në kopshte?
A janë të përgatitur mësuesit për aksidentet që mund të pësojnë fëmijët gjatë qëndrimit në çerdhe dhe në kopshte?
Si do të duhet të veprojnë mësuesit kur konstatojnë vështirësi në ruajtjen e sigurisë së fëmijëve?
Përpara se t’u kthej përgjigje këtyre pyetjeve të ngritura, duke u bazuar nga referenca të standardeve të shkollave perëndimore dhe europiane, si dhe nga përvoja personale me çerdhet dhe kopshtet në Shqipëri, më lini t’ju them një të vërtetë objektive: fëmijët pësojnë aksidente në të gjitha ambientet ku marrin pjesë. Madje, ka disa studime të cilat dalin në konkluzionin se fëmijët pësojnë më shumë aksidente në ambientin e shtëpisë se në institucionet e edukimit apo jashtë në natyrë. Sipas Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA, 53,6 për qind e të gjitha aksidenteve të shkaktuara nga lëndimet ndodhin në shtëpi.
Në pjesën më të madhe të politikave të institucioneve të edukimit, sidomos aty ku përfshihen fëmijët, që nga mosha e hershme e sipër, kategoria e fushës që merr më shumë vëmendje është shëndeti dhe siguria. Ky departament ka mbledhur rreth tij standardet më të larta, të mirëshqyrtuara, të studiuara dhe të vendosura në praktikë me shumë rigorozitet. Sigurisht që institucionet private nga ndryshojnë ato shtetërore në disa dimensione, sidomos në atë të infrastrukturës, por kjo nuk do të thotë se dallimet në programe, qasje rregullash dhe zbatime protokollesh duhet të ndryshojnë. Për të gjithë, shëndeti dhe siguria duhet të jenë elementet më të rëndësishme për mbrojtjen e interesit më të lartë, që është fëmija.
Po si do të duhet të jenë këto standarde të ruajtjes së sigurisë së fëmijës?
Së pari, është shumë me vlerë që një institucion të ketë rregullore të mirëndërtuara, duke u bazuar ngushtë në vlerësimin e kujdesshëm të vështirësive apo të gabimeve të përsëritura, të rreziqeve të mundshme, të diveristeteve kulturore etj. Nëse do të kishim një vlerësim të kujdesshëm, të kryer me ambicien për të krijuar një standardizim të lartë të mirëqenies së fëmijës, kjo do ta çonte institucionin shumë përpara; dhe besimin e prindërve gjithashtu.
Rregullat duhet të përmbajnë një sërë angazhimesh të cilat mirëmbajnë punën e mësuesit profesionalisht, por edhe në aspektin etik ‒ mbi të gjitha në atë etik. Në këto rregulla duhet të përfshihen qartazi dhe në mënyrë lehtësisht të kuptueshme dhe të zbatueshme: kualifikimi i mësuesve (profilizimet sipas moshës së fëmijëve), çfarë kualifikimesh duhet të ketë, si rekrutohen, përvoja, stabiliteti fizik dhe mendor, performanca profesionale, mbikëqyrja periodike, motivacioni në punë, sigurimi i marrjes së shërbimit psikologjik në ambientin e punës etj. Është e rëndësishme që kjo të mund të vlejë dhe të aplikohet në të gjitha institucionet, pa asnjë lloj diferencimi. Kompromiset e neglizhencës i politikave jashtë institucioneve, nuk duhet, në asnjë rast, të lejojë prekjen e integritetit të këtyre standardeve.
Pra, institucioni, sidomos ata privatë, duhet të akreditohet për të ofruar shërbim të kualifikuar dhe të përmbushë këto standarde.
Kur flasim për kualifikime të stafit, ai duhet të jetë shumë i trajnuar për udhëzimet mbi gjumin, si vihet një fëmijë në gjumë, pa kërcënime dhe dhunë verbale; përkundrazi me metoda të fundit të sigurisë dhe të qetësisë. Për ata fëmijë që nuk kanë gjumë, të ketë udhëzime të qarta shkencore, profesionale sesi duhet të veprohet. Gjithashtu, stafi duhet të jetë i trajnuar për trajtimin e duhur të ushqimit, zhvillimin e fëmijëve, gatishmërinë për urgjencë (shëndetësore, si p.sh.: dhënia e ndihmës së shpejtë për të vegjlit në raste nevoje, etj.), si dhe për protokolle të tjera në klasë që mbështesin një mjedis të sigurt mësimi çdo ditë.
Të gjithë punonjësit të janë kontrolluar nga historia e tyre e mëparshme e punës, të ketë referenca reale, pasi ato formale do të mashtronin sistemin dhe do të kishim abuzues përsëritës. Mësuesit duhet të kalojnë intervista të shumta në lidhje me kualifikimet dhe përvojën e mëparshme. Ata, gjithashtu, duhet të tregojnë një dashuri dhe respekt të qartë për punën me fëmijët. Kjo evidencë nuk mund të ndodh ndryshe përveçse nëpërmjet mbikëqyrjes.
Mbikëqyrja e mësueseve është mbi të gjitha motivuese, dhe jo ndëshkuese. Vlen që mësuesi i përkushtuar, i pasionuar dhe profesional të motivohet në punën që kryen. Atij që nuk i përmbush këto standarde, mund t’i krijohet mundësia e rritjes profesionale dhe nëse kjo dështon, duhet të largohet nga sistemi. Ky është ai momenti ku kompromisi nuk ka vend kur bëhet fjalë për fëmijët.
Kampuset duhet të jenë të siguruara me akses të kufizuar dhe të inspektuara rregullisht, me hapësira të mbyllura për lojëra në natyrë. Daljet dhe hyrjet monitorohen, dhe stafi punon ngushtë me prindërit dhe kujdestarët për largimin dhe marrjen e fëmijëve.
Vetëm prindërit dhe kujdestarët e miratuar mund të hyjnë dhe dalin në këto kampuse çdo ditë, duke përdorur sistemin e sigurisë.
Mbikëqyrësi i sigurisë së fëmijëve jashtë nuk mund të jetë roja i kopshtit, por oficeri i sigurisë (nëse është ai që mendoj se është edhe në Shqipëri). Këta mbikëqyrin fëmijët në çdo kohë dhe janë të trajnuar për t'iu përgjigjur menjëherë çdo lloj incidenti sigurie.
Të gjitha klasat iu përmbahen raporteve të kërkuara personel-fëmijë, të cilat ndryshojnë sipas vendndodhjes.
Ekipet e shkollës zbatojnë një politikë të rreptë të vizitorëve dhe çdo mysafir i miratuar shoqërohet nga një anëtar i stafit në çdo kohë. Institucionet duhet të mbulojnë të gjitha bazat me gatishmëri emergjente, duke përfshirë stërvitjet kundër zjarrit, stërvitjet e motit të rëndë, strehimin në vend, planet e evakuimit dhe planet e kujdesit të urgjencës mjekësore. Kjo është e lidhur ngushtë sipas ambientit dhe klimës ku gjendemi.
Të vlerësohen masat parandaluese shëndetësore që promovojnë në mënyrë aktive komunitete më të shëndetshme shkollore, duke siguruar që familjet të mbështeten në udhërrëfyes për një hapësirë të sigurt, të pastër dhe të gëzueshëm ku fëmijët mund të lulëzojnë.
Stafi duhet t’i përmbahet në mënyrë të rreptë disa rregullave të përditshme për të parandaluar probleme të shëndetit, si: të bashkëpunojë me familjet e fëmijëve me nevoja të veçanta shëndetësore për të siguruar kujdesin më të mirë brenda dhe jashtë kampusit.
Stafi t’iu përmbahet udhëzimeve shtetërore dhe lokale për trajtimin e duhur të ushqyerjes me ushqimet dhe vaktet.
Të punohet ngushtë me planin shëndetësor për ruajtjen nga shfaqja e alergjive ushqimore.
Mjediset të pastrohen, të dezinfektohen, të inspektohen rregullisht nga stafi i institucionit për të siguruar larjen dhe higjienën e duhur të duarve.
Do të duhet t’i qëndroj për një kohë të gjatë në kokë këtij artikulli, për të kujtuar të gjitha masat që duhen marrë për një ambient më të sigurt në çerdhe dhe në kopshte. Për sot, më mjafton të përmend vetëm një fjalë, e cila iu qëndron kaq natyrshëm fëmijëve: “Siguria”. Kujtoni emocionin që keni ndier të vegjël, kur ndiheshit të mbrojtur, të pacenuar, të dashur nga të tjerët dhe në vëmendjen e të rriturve. Kjo ndjesi duhet t’ju shoqërojë ndërsa shqyrtoni edhe nevojën e fëmijëve që sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për ndihmën dhe për vëmendjen tuaj. Nuk mund të pretendoni se keni ambiente të sigurta me 36 fëmijë në çerdhe dhe në kopshte, dhe vetëm me 2 apo 3 edukatore që i mbikëqyrin. Është e thjeshtë të kritikojmë, të fajësojmë, sidomos kur kemi të bëjmë me ngjarje të rënda. Por unë, në këto raste, do t’ia lija drejtësisë.
Meraku im më i madh është: A kemi ne një sistem të standardizuar për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve? A kemi ne një sistem që kujdeset që mësuesit të punojnë dhe operojnë me protokolle, të cilat e mbajnë në shina punën e tij?
Prindërit janë në dëshpërim dilemash, kur bëhet fjalë për të zgjedhur çerdhen dhe kopshtin e fëmijës. Ata largohen nga fëmijë me kokën mbrapa, duke menduar se çfarë mund të ndodhë. Ka edhe prej tyre të cilët e kanë më të vështirë se fëmijë të shkëputen emocionalisht, por, më besoni, një prind që ka besim te sistemi që funksionon, nuk do të mendohej gjatë, dhe, me siguri, do të largohej i qetë ndërsa kërkonte që fëmija të zhvillohej në pavarësinë e krijimit të botës së tij sociale.
Nga Drnt. Denata Toçe
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mund të jenë fëmijët me aftësi ndryshe pjesë e arsimit gjithëpërfshirës?
Denata Toçe: A po festojnë mësuesit?
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë