Si i njohim fëmijët tanë?
Prindi ka përgjegjësinë të njohë fëmijën. Njohja më e mirë është t’i vëzhgojmë me kujdes, çdo ditë, çdo moment që jemi me ta. Mund të befasoheni nga përgjigjet që do të merrni.
Nëse fëmija buzëqesh, ne i buzëqeshim. Këtu ne marrim mesazhin se ai ndjehet i lumtur. Por, nëse fëmija qan, më së shumti ne priremi të ndjehmi në ankth dhe stres, madje dhe e pyesim “pse qan?!”, edhe pse në të shumtën e rasteve nuk marrim ndonjë përgjigje prej tyre, sidomos në moshën e foshnjërisë. Në këtë rast, ne mendojmë se fëmija nuk është i lumtur. Ndoshta, ju si prindër mund t’i perceptoni si fëmijë të kënaqur ose jo, por pak rëndësi ka, ne jemi aty gati për t’i ardhur në ndihmë.
Marrim një rast tjetër, nëse një fëmijë dëmton një objekt, ne jemi të preokuptuar për t’i treguar se shiko se çfarë ka bërë, ose, mundohemi ndonjëherë t’i themi: “s’ka gjë, gjëra që ndodhin!”, ose mund të bëjmë sërisht pyetjen e njohur për fëmijën, por shumë e vështirë për t’u kuptuar: “Pse e bëre!”
Nëse do t’i referohem të gjithë fëmijëve, nuk do të isha shumë e saktë, por nga eksperienca ime, kam konstatuar se të gjithë fëmijët, në marrëdhënie me adultët, duket sikur e dinë se çfarë bëjnë, sidomos kur ata bëjnë gjënë e “duhur”. Kur nuk bëjnë gjënë e duhur, gjithashtu adultët, të rriturit mendojnë se fëmija e di se çfarë bën, madje dhe e interpretojmë atë, themi fraza si “ia kishte qejfi”, “nuk do, prandaj”, “kërkon të na manipulojë…ah ti ti! Çfarë manipulatori që je”, “ta kam thënë 100 herë të mos…”, “po tallesh me mua ndaj s’po e ha ushqimin!”
Sjelljet e fëmijëve janë kaq dinamike, dhe të lidhura ngushtë me operacionet mendore, por do të duhet që t’i bëjmë disa pyetje vetes përpara se të mendojmë se fëmijët tani i njohim, madje shumë mirë:
A jemi ne vërtetë duke i ardhur në ndihmë fëmijës? Nëse po, përse vazhdojmë të kemi sjellje të papërshtatshme prej tyre? Pse ndonjëherë ose shpesh herë ndjehemi në faj në rolin e prindit? A është i shtrembëruar perceptimi ynë mbi lumturinë apo pakënaqësinë e fëmijës? A ndjehet në të vërtetë fëmija ashtu sikurse ne e perceptojmë? A e njohim ne fëmijën tonë?
Këto ishin pyetjet që më lindën, ndërsa isha duke folur me dy gazetare me eksperiencë në fushën e edukimit të fëmijëve. Të dyja hera herës dakordonin me njëra – tjetrën dhe më pas kontradiktoheshin, por ajo që ishte mbresëlënëse në këndvështrimin tim, ishte rezultati final: fëmijët ne nuk i njohim ashtu siç në të vërtetë ata janë. Të treja u ndjemë të “dështuara” duke menduar se i kemi dhënë dhe i këmi thënë gjënë e duhur fëmijës, por një gjë mungonte: a i kemi dëgjuar ata? A i kemi vëzhguar në të vërtetë se si veprojnë dhe a jemi përpjekur të kuptojmë qëllimet e veprimeve të tyre?
Nga eksperienca me prindërit dhe fëmijët, kam konstatuar disa faktorë që mund t’i japin përgjigje këtyre pyetjeve:
Prindërit kërkojnë që fëmijët e tyre të jenë të lumtur. Çdo ditë kërkojnë dhe mendojnë se mund t’i vijnë në ndihmë. Ata janë të gatshëm të pranojnë gabimet e tyre, por nuk janë gjithmonë të gatshëm të pranojnë atë që as vetë ata nuk e njohin. Prindërit vijnë nga një eksperiencë jetike të fëmijërisë së tyre dhe modelet prindërore i kanë treguar se ndjenjat e fëmijëve nuk para diskutohen me zë të lartë. Ato thjesht merren me mend. Kështu, prindërit humbasin mundësinë të kuptojnë realisht se si ndjehet fëmija dhe mbi të gjitha e kanë shumë të vështirë të ambientohen me realitetin se fëmija mund madje ka të drejtë të ndjehet edhe keq. Nëse një fëmijë ndjehet keq, ndoshta tundohemi të pyesim “po tani çfarë ke!”, por rrallë kam dëgjuar pyetje apo komente se si fëmija ndjehet: “Si ndjehesh?”, “e shikoj që ndjehesh i lumtur për dhuratën që të bëra!” Nuk ka një recetë pyetjesh, ka thjesht një filozofi komunikimi dhe sjellje që prindërit do të duhet të shkathtësohen.
Gjithashtu, ne si prindër e njohim mundimin që kërkon udha e prindërimit, dhe shpesh dembelosemi duke bërë listën e rezolutave se çfarë do të bëj me fëmijën tim. Por, unë po ju them se nuk duhet dhe aq mund për ta kuptuar fillimisht fëmijën dhe pastaj për të vepruar. Ju thjesht duhet ta vëzhgoni. Hidhini një sy veprimit që fëmija bën. Pse fëmija sillet ashtu siç sillet; Pse fëmija kërkon një gjë të caktuar duke qarë më shumë drejt babit sesa drejt mamit? Shikoni me kujdes pse fëmijët çohen natën dhe kërkojnë të vijnë te ju? Vëreni me kujdes sjelljen e ushqimit, pse fëmijët tuaj duan të hanë nga dora juaj ende edhe pse janë thuajse 8 vjeç? Pse kërkojnë emrin tuaj, pikërisht atëherë kur ju jeni duke folur me një person tjetër sy me sy apo në telefon? Pse fillon të qajë, duket sikur vjen nga kërkundi, pikërisht pak përpara se të shkojë të flejë? Pse kur fëmija është shumë i lumtur, ju jeni të detyruar t’i thoni “mjaft!” ose “mos!” nga ekzaltimi i “tepruar”, se mesiguri do të thyejë ndonjë gjë?
Të gjithë këto pyetje kanë përgjigjen brenda lëvizjeve, veprimeve që fëmijët bëjnë. Cili është funksioni kryesor që e mirëmban këtë sjellje? Hidhni një hipotezë po deshët, por që të mos e hidhni në “qiell të hapur”, filloni të mbani disa të dhëna, qoftë edhe në mendjen tuaj, e preferueshme është t’i shkuani, kështu keni sigurinë që ndodh aq herë sa ndodh dhe në mënyrën që ju e keni përsëritur në të dhënat tuaja. Ju ndoshta do të thoni se një analist sjelljeje mund ta bëjë më mirë këtë gjë, por unë po ju them se ju si prindër jeni burim informacioni. Ju premtoj që do të mësoni shumë prej tyre, dhe vetë sjelljet e tyre do t’ju japin edhe përgjigjen e kërkuar: fëmija, sa herë që ju flisni me një person tjetër, duket sikur e bën kasten ndërhyrjen te prindi. Por çfarë në të vërtetë po na komunikon ky fëmijë? Mos ndoshta kërkon vëmendje? Sepse ajo është e vetmja gjë që i është larguar në atë moment. Deri para pak minutash as që jua varte, edhe pse ju ishit shumë pranë me të. Dhe, nuk është se e ka bërë vetëm një herë. Gjatë ditës ajo përsëritet e përsëritet…
Fëmijët mund ta shpehin lumturinë në shumë mënyra, dhe një nga këto është lëvizja e trupit koordinuar me emocionet: vrapimi rreth gjërave të shtëpisë, ngritja e duarve, hedhja e objekteve përpjetë, etj. Por, prindi kërkon njëkohësisht që fëmija të jetë edhe i përgjegjshëm. Kur them fëmija, kam parasysh fëmijërinë e hershme. Duhet të kuptojmë se fëmija nuk është aq i ndërgjegjshëm sa ne se gjërat që thyen apo prishen kanë një vlerë. Vlera është një koncept abstrakt, por sërish ne presim që fëmija ta kuptojë. Në të vërtetë, fëmija nuk e kupton, se mesiguri që do të ishte i kujdesshëm për to, po aq sa ju. Vlera më e madhe për fëmijët janë lodrat e tij. Për ato ai kujdeset më mirë. Por “lodrat” e të rriturit janë e një tjetër vlere për fëmijët.
Ky reflektim nuk është për t’i munduar ndërgjegjen prindit, por për t’i ndihmuar që të kuptojnë më shumë se pse ne reagojmë ashtu siç reagojmë, dhe pse fëmijët veprojnë ashtu siç veprojnë. Kështu, ne do të jemi më në harmoni me rritjen e fëmijës, dhe që herët do të kuptojmë filozofinë e zhvillimit dhe nevojave që ata kanë. Mjafton që t’i njohim ata. Njohja më e mirë është t’i vëzhgojmë me kujdes, çdo ditë, çdo moment që jemi me ta. Mund të befasoheni nga përgjigjet që do të merrni.
(Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe