Si të ushqejmë shëndetshëm fëmijët?

Pse një fëmijë sjell vërdallë tërë familjen për të ngrënë një pjatë gjellë?

Si prindër, më shumë se çdo gjë tjetër, duam që fëmijët tanë të jenë të gëzuar dhe të shëndetshëm. Kur vjen puna tek marrëdhënia që kanë fëmijët tanë me ushqimin, e kemi të vështirë të kombinojmë lumturinë me ushqimin e shëndetshëm.

Ulur në një karrige të gjatë pranë tavolinës së rrumbullakët, ku të gjithë anëtarët ia kanë ngulur sytë, një fëmijë 5 vjeçar është duke “e larë” me lot pjatën e mbrëmjes, pasi nuk mund të çohet nga tavolina deri sa ta mbarojë të gjithë pjatën. Askush nuk përpiqet të kuptojë se pse fëmija nuk do ta ha pjatën me gjellë. Pse fëmija është kaq i mërzitur ndërkohë që nevoja për t’u ushqyer është kaq e natyrshme dhe do të duhet të konsumohet menjëherë prej individit. Fundja, mamaja e ka përgatitur me kaq kujdes dhe aroma është kaq e mirë, ç’të ketë kaq të vështirë për ta konsumuar? Pse një fëmijë 5 vjeçar sjell vërdallë një familje të tërë për të ngrënë një pjatë gjellë? 


Të gjithë prindërit pa përjashtim, janë gjendur të paktën një herë, në situatë të vështirë me ushqyerjen e fëmijëve. Si prindër, më shumë se çdo gjë tjetër, duam që fëmijët tanë të jenë të gëzuar dhe të shëndetshëm. Kur vjen puna tek marrëdhënia që kanë fëmijët tanë me ushqimin, e kemi të vështirë të kombinojmë lumturinë me ushqimin e shëndetshëm. Dhe ju e keni vënë re sesa e vështirë është të shikosh një fëmijë me lot në sy në tavolinë, ndërsa është përpara një pjate me produkte jeshile (gjellën e shtëpisë ose perime të ziera) dhe që do të duhet t’i hajë sepse janë të shëndetshme. Nëse fëmija juaj është tashmë i lidhur me ushqime që përmbajnë sheqer të rafinuar ose ushqime të tjera të përpunuara, me siguri që do të jetë e vështirë ta shikosh të kënaqur përballë një pjate me jeshillëqe. Kështu, thuajse çdo vakt do të kthehej në një fushë-betejë. Po ka disa mënyra se si mund t’i shikojmë fëmijët tanë më të lumtur dhe më të shëndetshëm. 


1. Mos kini frikë të ndryshoni rutinë

Tashmë ju keni krijuar një rutinë të përditshme të ushqyerjes. Aty brenda do të gjeni dhe disa zakone të cilat i keni vendosur ju së bashku me fëmijën. Nëse fëmija e ka pëlqyer një herë çokollatën që i keni blerë apo patatinat, atëherë ju doni që fëmija të jetë i gëzuar, dhe ia keni blerë sërish. Kështu ju keni krijuar një zakon. Mjafton fëmija të thotë “Kam uri!” dhe ju do t’i zgjasni gjithçka praktike rreth jush që nuk është menduar më parë dhe ka shumë gjasa të jetë ushqim i përpunuar. Ju do të filloni të ndryshoni zakone dhe mbi të gjitha do të filloni të ndryshoni ushqimin praktik.


2. Fëmijët do të hanë atë ushqim që hamë edhe ne

Fëmijët do të konsumojnë të njëjtin ushqim si ne. Shpesh ne hamë një ushqim të ndryshëm nga fëmijët dhe i kërkojmë këtyre të fundit që të hanë ushqime të tjera. A nuk do të ishte hipokrite nga ana jonë që të konsumonim ushqime që nuk janë të shëndetshme, të preferuara që edhe fëmijët t’i konsumojnë, ndërkohë që në pjatën e fëmijës duam më të mirën për atë. Mbani mënd, fëmijët mësojnë nga çfarë shikojnë dhe jo nga çfarë themi. Sa herë fëmijët shikojnë prindërit që mbajnë një pije me ngjyrë në tavolinë ndërsa hanë ushqim, ose vezë të skuqur ndërsa fëmijës i japim drithëra?!


3. Krijoni një listë ushqimesh

Krijoni një listë të ushqimeve që fëmija tashmë i konsumon me SHUMË dëshirë. Më pas një listë paralele me ushqimet që fëmija i ha, por nuk i ka me shumë dëshirë dhe më pas një listë të ushqimeve që fëmija nuk i ha fare.  Kështu do të mund të marrim një vendim se me cilat ushqime do të fillojmë t’i prezantojmë fëmijës. 


4. Fëmijët me oreks, trajnim efikas

Nëse do të duam që të mësojmë fëmijët të ha ushqime të reja, atëherë do të duhet fillimisht që fëmija të jetë i motivuar, në këtë rast të ketë dëshirë për të ngrënë, pra të jetë i uritur. Për këtë arsye, ju do të kujdeseni që fëmijës të mos i jepni ushqime të tjera midis vakteve, të cilat e kalojnë fëmijën në stadin e ngopjes, ose siç themi ne rëndom në “prishjen e oreksit”. 


5. Prezantoni ushqimet gradualisht

Prezantojini fëmijës ushqimet në pjatën e tij duke i ndarë në këtë mënyrë: sasinë më të madhe të ushqimit në pjatë, rreth ⅔ e zë ushqimi shumë i preferuar. Pjesën e mbetur e zë ushqimi jo i preferuar dhe ai neutral. Fëmija mund të ketë akses tek ushqimi i preferuar VETËM dhe VETËM nëse konsumon një sasi shumë të vogël prej ushqimit jo të preferuar. Nëse janë bizelet ato që fëmija nuk ha, vendosini vetëm 3-4 kokrra bizele të cilat do të jepen një e nga një. Edhe sikur një kokërr të ha fillimisht kjo nuk përbën problem. Fëmija do të hajë menjëherë ushqimin e preferuar sapo të ketë përfunduar ushqimin jo te preferuar. Alternoni në provat tuaja ushqimin neutral. Pra, një bizele, një lugë ushqim i preferuar. Një kuadrat karotë (nëse është neutrale), menjëherë një lugë nga ushqimi i preferuar. 


6. Jepini mundësi zgjedhjeje, jo urdhra

Nëse fëmija e ka kaluar me sukses prezantimin e ushqimeve të reja ose jo të preferuara, gjithmonë duke përmbushur piramidën ushqimore dhe jo duke kënaqur sedrën e prindit, atëherë do të vazhdohet me disa rregulla të thjeshta praktike të jetës së përditshme. Fëmijës nuk mund t’i drejtohemi me urdhëro “ha këtë, mos ha atë!” Kjo nuk funksionon me fëmijët. Ka një rebelizëm natyral te fëmijët që të kundërshtojnë pavarësisht sa të drejtë mund të keni ju. Duket sikur fëmijët duan të hanë pikërisht atë që e kanë të ndaluar. Por nëse ne i afrohemi atyre me sfidën për t’i dhënë përgjegjësi, ka shumë mundësi që të jenë më bashkëpunues. Si mendoni sikur t’i drejtoheni: “Provoji këto dy ushqime dhe më jep një mendim se si të duken!?” kështu ne i lejojmë fëmijët që të mendojnë për veten e tyre dhe për zgjedhjet që i duhet të bëjnë se çfarë duhet të hanë për të përmirësuar trupin e tyre. Mbi të gjitha i shton kuriozitetin rreth ushqimit. Fjalët si “provo” dhe “zgjidh” i hapin fëmijës një derë kurioziteti dhe interesi për ushqimin. Një mënyrë tjetër është që fëmijës t’i ofrosh dy zgjedhje, edhe sikur fëmija të kundërshtojë të dyja zgjedhjet, sërish do t’i komunikoni që ata do të duhet të zgjedhin, në mos, do të jeni ju të detyruar të zgjidhni për ata. Kështu i ofrojmë mundësi fëmijëve që të mbajnë përgjegjësi për zgjedhjen e tyre. 


7. Edukojini fëmijët, mos mbani fjalim

Është shumë e thjeshtë që t’i mbajmë fjalim fëmijëve nga cepi i divanit apo nga kreu i tavolinës rreth dëmit të sheqerit, rreth të mirave të karotës apo të brokolit, por ju premtoj që kjo i krijon një bezdi shumë të madhe fëmijës. Ai e ka të vështirë të kuptojë rrezikun, kur vet ai është në moshën e gjërave konkrete, çdo gjë që shikon ekziston, dhe pastaj ajo ka një vazhdimësi. Por rreziku është ende një koncept abstrakt. Një mënyrë për të mësuar, pra, për ta edukuar është që ta merrni me vete ndërsa bëni pazar në marketin e tregut të fruta perimeve. Ose më mirë akoma, ta çoni në një fermë, ose në fshat të shikojë nga afër se si rriten produktet, raporti me tokën, natyrën. 


Drnt. Denata Toçe

Frymëzuar nga BCBA-D Lynn Brennan


(Portali Shkollor)

6,698 Lexime
6 vjet më parë