Në shkollë për herë të parë…
Midis gëzimit dhe ankthit, prindërit kujdesen që gjithçka të jetë gati për këtë ditë. Por çfarë do të thotë “gati”? Fundja është vetëm një ditë fillimi që do sjellë shumë shpejt ditët në vazhdim. Vazhdimi është preokupimi më i ankthshëm...
Në orët e vona të kësaj nate, po mendoja për fëmijët që shkojnë për herë të parë në shkollë dhe prindërit e tyre. Ndërsa po shkruaj këtë artikull, shumë prindër kanë vënë kokën në jastëk me ankthin e ditës së nesërme dhe me mendimin plot emocion: “fëmija im në klasë të parë! Si do të jetë kjo ditë vallë?
Midis gëzimit dhe ankthit, prindërit kujdesen që gjithçka të jetë gati për këtë ditë. Por çfarë do të thotë “gati”? Fundja është vetëm një ditë fillimi që do sjellë shumë shpejt ditët në vazhdim. Vazhdimi është preokupimi më i ankthshëm i kësaj dinamike edukimi, në fakt. Nuk zgjohet me një agim, nuk jeton një ditë dhe me siguri që nuk do të fle këtë natë. Është një rrugëtim i gjatë, me vlera të pashoqe për fëmijët, por për prindërit mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme të jetës së tyre. Preokupimet si zgjedhja e shkollës; ambienti ku do të do kalojë një kohë të gjatë të ditës fëmija i tyre; me cilin mësues apo mësuese do të jetë; shokët me të cilët do të ndajë kohën në klasë; dhe procesi i ambientimit në tërësi, janë vetëm fillimi i një rituali mendimesh dhe ndjenjash për prindërit.
Kur mendoj sesa emocionalisht prekës është kufiri ndarës midis “edukimit maternel” që ofron kopshti dhe “edukimit mesues-dhënës dhe mësim-nxënës” që ofron shkolla, më mallëngjen! Kështu zgjedh të jem pranë prindërve këtë natë, dhe të gjithë netët në vazhdim, të pagjumtë apo të turbullta që përjetojnë. Po po, është prekëse të mendosh se si fëmija yt vocërrak, ende i njomtë dhe i brishtë (se një fëmijë kështu do të jetë ngahera në sytë e një prindi) që nga nesër, do të mbajë nën shpatullat e tij, përgjegjësinë për t’ia dalë mbanë në shkollë. Fundja prindërit duan që fëmija i tyre të jetë i suksesshëm, jo për të qenë i pari klasës, le të mos keqkuptohemi këtu, por i suksesshëm në detaje si këto që përmenda më sipër: t’ia dalë mbanë me përshtatjen, me miqtë, me librat që kaq kujdesshëm i ka futur në çantë, si xhevair me shkronja e fjalë, të mësojë shpejt se loja vjen vonshëm pas mësimit përmes asaj mendje që ende lojëcake e humbet përqëndrimin shpejt, të mësojë se si mësuesja kërkon me statusin e saj ambicioz arritje tek nxënësit, t’ia dalë mbanë të kuptojë se kërkesat përkthehen në detyra dhe detyrat në praktike dhe praktika në vlerësim, të përballet me vlerësimet e para të një detyre klase apo shtëpie, të shkruaj shkronjën e parë, të lexojë fjalët e para, të përballojnë së bashku me prindërit qarjet e para të mos-arritjeve dhe të përqafojnë së bashku qeshjet e para të arritjeve. Ja, ky është suksesi që prindi kërkon më së shumti, edhe pse gjatë rrugës shumë prindër humbasin nën trysninë sociale të komunitetit të tyre.
Ndodh që prindërit, nën ankthin e përligjur, konfuzohen në irracionalitet dhe pritshmëritë e tyre keq-mendohen dhe keq-drejtohen. E kërkojnë suksesin e fëmijëve që prej fillimit, kërkojnë që fëmijët të përshtaten menjëherë, krahasojnë fëmijët e tyre me të tjerë duke “harruar” se sa të ndryshëm e unik këta të fundit janë, dhe mbi të gjitha duke harruar çfarë ata vet kanë ndjerë dhe dashur kur ishin porsi ata. I mbushin orët e tyre të fillimit të kesaj “aventure” të bukur, me përgjigjësinë që fëmijët DUHET të kenë për të qënë nxënës “të mirë” dhe jo me përcjelljen e besimit të asaj se çfarë fëmija tashmë është. Le të mendojmë së bashkë! Këto ditë fillimi janë të vështira edhe për vet fëmijët.
Unë zgjedh të jem pranë fëmijëve gjithashtu. Edhe ata këtë natë kanë vënë kokën në jastëk me mendimet dhe emocionet e para që i përvëlojnë barkun deri sa të agojë. Ka shumë mundësi, që prej këtyre ndjenjave të forta, midis të bukurës dhe të panjohurës, edhe ata të kërkojnë që dita e nesërme të mbarojë ende pa filluar. Ata duan të njohin gjithashtu veten e tyre përballë shokëve të rinj, ambientit të shkollës, përballë syve të mësueses dhe fjalëve të para të saj nëse do i pëlqejë ajo ata, apo jo. A do të jenë ata në sinkron me kërkesat që do t’i sjellë jeta në klasë?
Shumë shpejt orët kalojnë dhe do të gdhijë. Unë kam disa ide se si mund të nisë e paqtë kjo ditë:
- Mos vendosni zile në kokën e fëmijës pasi ajo shkakton ankth. Afrohuni në krevatin e tij, fërkojini kurrizin ngadalë dhe zgjojeni qetësisht, jo domosdoshmërisht duke i përmendur shkollën, por duke i kërkuar që të zgjoheni së bashku, se është koha për mëngjes.
- Kurseni surprizat që në mëngjes, të tipit ushqim i ri apo këpucët e reja, etj. Sigurohuni që të ha dhe të mbath gjëra që tashmë i njeh. Ushqimi që fëmija ha, dhe jo ushqimin që ju e vendosni me shpresën që të hajë.
- Ofrojini të vishet dhe mbathet me rroba që janë të pastra dhe komode, pse jo dhe të reja, por jo me rroba që ju mendoni se i rrinë mirë dhe krijojnë “uniformitet social”. Rëndësi ka që rrobat të jenë të përshtatshme dhe komode pasi fëmija është tashmë me ankthin e ditës së parë dhe nëse rrobat kthehen në bezdi, kjo do të ndikonte në përqëndrim.
- Nëse keni vendosur t’i dhuroni mësueses një lule, po ju them se të gjithë fëmijët ndoshta do të vijnë me nga një lule. Do të ishte e udhës që të shkruani një kartolinë, së bashku me fëmijën dhe vendosni aty fjalët e çiltra të fëmijës suaj.
- Merrni informacion se sa do të zgjasë dita e parë dhe premtojini se do të jeni aty ta prisni që të ktheheni së bashku në shtëpi (nëse kjo është e mundur).
- Mos u merakosni të gjeni fëmijë të njohur në ambientin e shkollës. Do të suprizoheni se sa shumë mundësi të reja ka nevojë të njohë fëmija juaj dhe kjo situatë është njëra prej tyre.
Është ora nji e natës. Gjumi po më kapit sytë e lodhur. Emocionet e prindërve dhe të fëmijëve po i marrë me vete në jastëkun tim. Shumë shpejt do të agojë, dhe aty do të jem edhe unë ndërsa ju shoh tek vraponi gezueshëm për të shkuar në shkollë të dashur fëmijë. Dorën shtrënguar tek prindi, kokën përpara dhe sytë gjithë shkelqim, po shkojnë drejt takimit më të rëndësishëm të jetës së tyre, takimi me dijen.
Suksese fëmijë të mirë!
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Të duash në adoleshencë!
Mësues dhe prindër, perceptime të ndryshme për të njëjtët fëmijë!