... dhe zilja e parë ra...
Prindërit kanë një detyrë mjaft të rëndësishme. Nga ana tjetër, mësuesit kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Fëmijët janë të emocionuar dhe të lumtur e kjo ndjenjë duhet të shpërblehet.
Fëmijët mezi po presin… Çfarë emocioni, për ata dhe familjarët! Dita e parë e shkollës… Edhe pse ka nga ata fëmijët të cilët e kanë provuar tashmë herën e parë në shkollë, çdo vit emocioni është thuajse i njëjtë. Shumë ndjenja dhe mendime vërshojnë qenien e tyre: si do të jetë shkolla, a ka ndryshuar ajo? A kanë ndryshuar shokët? A është ende më i/e gjati/a i klasës “X”? Kush do ta ketë historinë më tërheqëse të pushimeve? Çfarë do të mendojnë shokët për modelin tim të ri të flokëve, do t’u pëlqejë vallë? Si do të jetë mësuesja e re, do të mund të komunikojmë dhe qeshim si me atë të parën? Me cilin do të jem në bankë këtë vit? Shpresoj shumë të mos më ndryshojnë vendin? A do të jenë të mira rezultatet këtë vit? Shpresoj t’i bëj krenarë prindërit e mi…
Ndërsa për ata që shkojnë për herë të parë, ndjenjat janë më të forta, më konfuze, krijohen ëndrra dhe pritshmëri nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë, kur ato nuk janë të orientuara prej prindërve, mund të jenë edhe zhgënjyese. Ndaj dhe është e rëndësishme që fëmijët të përgatiten për atë çfarë i pret. Filloni t’i tregoni çdo ditë nga pak se sa fëmija juaj është rritur dhe sesi ai do të shkojë në shkollë. Tregojini ndryshimet që e presin, por, mbi të gjitha, me tranzicionin e gjërave të përbashkëta që do të ndeshin në shkollë. Që të mos krijoni pritshmëritë e gabuara, merrni informacionin e duhur paraprakisht, pse jo edhe librat të cilat priten të jenë pjesë e shkollës. Pas kësaj, orientojeni fëmijën gjeografikisht se ku e ka shkollën. Bëni një ekspeditë së bashku, duke takuar mësuesen e ardhshme dhe prezantojini ambientin e shkollës. Ndiqni me vëmendje pyetjet që ju bën fëmija. Nëse ai nuk është dakord me disa prej gjërave që i thoni, kujdesuni që të mos e impononi por t’i jepni kohë që ta rimendojë edhe njëherë kur shkolla të fillojë, pasi është herët që të mërzitet apo të ketë një kundërshtim nëse ende nuk e ka provuar. Tregojini sa e rëndësishme është që me rritjen e moshës, rriten dhe përgjegjësitë, por mbi të gjitha tregojini se ju do të jeni në krah të tij dhe do ta ndihmoni që të mund të ndihet mirë me arritjet në shkollë. Tregojini se do të ketë edhe ditë të vështira, që rezultatet nuk do të jenë ashtu siç ata presin, por një kohësisht tregojini se është e rëndësishmetë mësosh nga gabimet dhe të përpiqesh të kuptosh. Kështu, ju do të keni mundësi të reduktoni ankthin e fëmijëve.
Për fëmijët me nevoja të veçanta, përvoja e shkollës është akoma më e veçantë. Ata kërkojnë më shumë vëmendje dhe kujdes për t’i shpjeguar hollësisht, mundësisht edhe me pamje, në mënyrë didaktike, se çfarë do të ndodhë në kopsht apo në fillimin e shkollës. Ata kërkojnë të sigurohen se dikush do t’iu qëndrojë pranë për t’i ndihmuar edhe gjatë procesit mësimor (kur kjo është e mundur) që të mund të reduktojë ankthin dhe të motivojë fëmijën për të marrë pjesë i qetë. Sigurisht që fëmijët me nevoja të veçanta, përveç kurrikulës shkollore, kërkojnë edhe një program individual të detajuar se si do të vazhdojë puna e shkollës si edhe menaxhimi i sjelljes.
Prindërit kanë një detyrë mjaft të rëndësishme. Nga ana tjetër, mësuesit kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Të mendosh se fëmijët vijnë kaq të emocionuar dhe të lumtur, kjo ndjenjë do të duhet të shpërblehet. Shkolla do të duhet të ketë pamjen e një figure që disiplinon, orienton fëmijën si duhet, por mbi të gjitha që kjo ndodh nëpërmjet motivimit, nxitjes, pse jo dhe argëtimit. Fundja, një mësim argëtues ka shumë të ngjarë që të vendoset në procesin e nxënies më me lehtësi. Mësuesi ka në dorë që ta kthejë kohën e mësimit në një “tempull” pasioni dhe zelli, pasi fëmijët në këtë stad do të duhet të mësojnë dhe të rrokin dashurinë për punën dhe suksesin prej saj. Sipas Erikson, nëse ky stad dështon, atëherë kemi një fëmijë i cili krijon komplekse inferioriteti dhe jo i qëndrueshëm e konsistent në punë. Dhe ne një fëmijë të tillë nuk e duam pasi do të ishte i palumtur. Një mësues i mirë është i kujdesshëm që të njohë mirë gjithsecilin prej nxënësve, t’i mbajë mend emrat dhe karakteristikat e tyre, kryesisht pikat e forta. T’i identifikojë ata si qenie unike dhe t’i vlerësojë individualisht.
Jo të gjithë fëmijët e asimilojnë informacionin në të njëjtën mënyrë, ndaj dhe ora e mësimit është e rëndësishme që të nxisë njëkohësisht të gjithë nxënësit për pjesëmarrje dhe të identifikojë vështirësitë. Të motivojë ata të cilët kanë vështirësi për të arritur rezultate më të mira, duke ia thjeshtëzuar detyrën ose duke rritur motivimin. Asnjëherë, asnjëherë, po e përsëris, asnjëherë një mësues i mirë nuk i krahason nxënësit e tij me njëri-tjetrin; secili prej tyre është unik. Mësuesi evidenton cilësitë e gjithsecilit dhe kompeticioni rritet gradualisht vetvetiu, pasi çdo kush prej fëmijëve do të dëshironte të kishte vëmendje pozitive prej mësueses dhe prej prindërve.
Pushimet dhe shkëputjet nga shkolla janë shumë të rëndësishme për fëmijët dhe të rriturit njëkohësisht, për t’u relaksuar dhe për të marrë ajër nga përgjegjësi të ditë pas dite që fëmijët kanë në shkollë. Mendoni se çfarë dinamike kanë pasur fëmijët tuaj gjatë pushimeve. Mendoni lojërat, aktivitetet, aventurat, video-lojërat, shoqëritë e reja, vendet e reja që kanë parë, etj. Të gjitha këto ngjarje e kanë ndryshuar fëmijën, e kanë rritur, e kanë pasuruar me më shumë dije dhe informacion, por nga ana tjetër e kanë shkëputur prej shkollës dhe frymës së zellit për arritje të përditshme. Ndaj, jepini kohë fëmijëve që të rikthehen në rutinën e shkollës. Mos jini shumë këmbëngulës, kërkues dhe ndajeni kohën në atë mënyrë që të ketë edhe argëtim jashtëshkollor. Kështu do të jetë më e shëndetshme që fëmija gradualisht të vendosë vet për kohën që i duhet dhe përgjegjësitë që duhet të ndërmarrë. Kujtoni nga shkrimet e kaluara që kemi ndarë së bashku: rregullat janë të rëndësishme që fëmija të ndjehet i sigurt në strukturë, por edhe spontaniteti kërkon kohën e tij. Vendosni rregulla, por ndajini ato në mënyrë të drejtë duke mos harruar nevojat reale dhe objektive të fëmijës.
Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju uroj suksese fëmijë të mirë! Ndriçoni mendjet tuaja dhe ecni përpara me besim në vetvete, pasi secili prej jush është një vlerë për të gjithë ne.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe