SITUATA

Gjatë një seance: Fëmija në kopertinë

Rast pas rasti, psikologia Denada Toçe, zbulon përjetime të reja. Një ndër to, të cilën ajo ka zgjedhur ta ndajë me lexuesit e Portalit Shkollor, është me një djalë në moshën e paraadoleshencës. Të gjithë do e gjejnë veten në këtë shkrim.

Rast pas rasti, psikologia Denada Toçe, përballet me shumë situata, nga më të ndryshmet. Një ndër to, të cilën ajo ka zgjedhur ta ndajë me lexuesit e Portalit Shkollor, është me një djalë në moshën e paraadoleshencës, i cili i ka lënë shumë mbresa. Nga ky rast, kuptojmë se sa shumë prindërit mund të ndikojnë në mendimet, dëshirat dhe sjelljet e fëmijëve. Sa shumë fëmijët mund të përfshijnë ankthet dhe pritshmëritë e prindërve në dialogët e tyre të brendshëm me veten. A e njohin vërtetë prindërit influencën e tyre? A kërkojnë ata thjesht të duken "bukur" përpara të tjerëve në lidhje me fëmijën e tyre, apo edukojnë fëmijën me qëllimin e krijimit të një qeniejeje të lumtur dhe të pavarur. Të gjithë do e gjejnë veten në këtë shkrim, kryesisht prindërit. 


Unë: Si e ke emrin dhe sa vjeç je?

Djali i ndrojtur nuk më thotë emrin por fillon kështu: Unë jam 11 vjeç. Nuk kam qënë asnjëherë te një psikolog. Më duket e çuditshme. Mami më tha që do ishe ti. Të njoh. Të kam parë edhe më përpara. 

Unë: Çfarë të duket e çuditshme?

Djali: Epo, ku di unë çfarë të them! (buzëqesh me ndrojë, duke ngritur supet)

Unë: Po sikur të mos thuash asgjë. Unë mund të pres derisa t’i të kesh dëshirë të thuash diçka. E di përse ke ardhur këtu?

Djali: Po, e di! Mami më tha që duhet të flasësh, të gjitha gjërat që mendon se të shqetësojnë. 

Unë: Mendon se do të m’i thuash të gjitha?

Djali: Si të duash. Mund t’i them disa, por mendoj se nuk dua të të them shumë tani. Pastaj, ti i di të gjitha. (më shikon me kokën e ulur dhe sytë e ngritur jashtë syzeve me skelet blu)

Unë: Nuk di shumë për ty. Mami jot me tha se donte të më takonte djali i saj. Me tha se ti më njihje nga ekrani dhe se mund ta ndihmoje. Por, unë mendoj se t’i nuk do të më thuash shumë, ndoshta edhe asgjë, dhe të premtoj që nuk ka asgjë që nuk shkon. Përkundrazi, tregon se respekton të drejtën tënde për të folur ose jo. Mund të të bëj një pyetje?

Djali: Po

Unë: Ke ardhur me dëshirën tende këtu? 

Djali: Jo dhe aq, meqenëse ishe ti, mendova të të takoja. Por ishte mami ajo që mendoi se duhej të takoja një psikolog dhe se duhej të vija këtu tek ty. Kam një gjë unë që e shqetësoj atë dhe… (pushim i gjatë) 

Unë: Do që të më thuash se çfarë të shqetëson ty?

Djali: (I mbledh buzët fort dhe psherëtin ngadalë duke parë nga dalja në ballkon. Ndërkohë nuk thotë asgjë)

Unë: Duket sikur mami kujdeset shumë për ty. 

Djali: Epo ajo nuk do që unë të sillem keq, sidomos para të tjerëve, para zyshave, shoqeve… Mami im merret gjithë kohës me mua. Do që unë të jem i pari në çdo gjë. (qesh i sforcuar)

Unë: Je ti i pari, ne çdo gjë? Ose më mirë, do t’i të jesh i pari në çdo gjë?

Djali: Jo në çdo gjë, këtu është problemi. Ka nja dy vjet që e kam prish içik. (pushim i gjatë. Fërkon duart dhe niset të më drejtohet mua…)

Djali: Ka fëmijët të tjerë këtu?

Unë: Po, vijnë edhe fëmijë të tjerë. Dëshiron të flasim për ata? 

Djali: Jo jo, desha ta dija.

Unë: Kam një ide për ty. 

Djali: Çfarë?!

Unë: Dua që mbas takimit bashkë sot, t’i komunikosh mamit dëshirën tënde reale: Unë nuk dëshiroja të shkoja te psikologia.

Djali: Po unë dua… dua të tregojë ca gjëra, por jo tani. Një herë tjetër. 

Unë: Po shumë mirë, tregoji asaj (nënës) këtë, që do të doje të vije një herë tjetër. Edhe unë do t’ia komunikoj se fëmijët këtu nuk mund të vijnë pa dëshirën e tyre, në takimet bashkë. Por edhe nëse ti do të doje të vije këtu, nuk mund të vish pa miratimin dhe shoqërimin nga prindërit.  

Djali: Joooo, të lutem. Do kujtojë se ta kam kërkuar unë. Do më shikojë shtrembër, dhe do të dojë të flasë me ty. Unë i thashë asaj që do vij, por në të vërtetë dua që shokët të mos mendojnë se unë jam i çmendur. Unë thjesht kam frikë të shkoj në shkollë, sidomos kur kam teste ose kur më flihet gjumë. Madje, ndonjëherë harroj edhe ndonjë detyrë pa bërë.

Unë: Unë nuk do t’i thëm asgjë nënës sate, nëse ti nuk ke dëshirë. Mbi të gjitha, unë nuk komunikoj me prindërit për atë se çfarë po ndajmë me njëri-tjetrin. As edhe një gjë. Por, më duhet t’i komunikoj disa rregulla përpara se të vazhdojmë të takohemi, nëse ti do të duash në të ardhmen, sigurisht. Dua të sigurohem që ti ke vërtete dëshirë të vish dhe prindi nuk të kërkon të jesh pjesë e takimeve. Fëmijët ndjehen më mirë dhe mund ta ndihmojnë më mirë veten e tyre kur vijnë me dëshirë. 

Djali: Do t’i them une po he… do t’i them!



Seanca vazhdon…

Ky ka qenë takimi i parë me një paraadoleshent, i cili më ka lënë shumë mbresa në takimet që kemi bërë bashkë. Që nga ajo ditë, ai ka më shumë se tre vite që vjen te unë. Gjatë një muaji, takimet nuk janë të shpeshta, por ku takohemi, ai vjen me dëshirën për të respektuar nevojat e tij dhe kjo më bën të ndjehem shumë e lumtur, më në fund. Nga ky fëmijë dhe shumë të tjerë të ngjashëm, kam kuptuar se sa shumë prindërit mund të ndikojnë në mendimet, dëshirat dhe sjelljet e fëmijëve. Sa shumë fëmijët mund të përfshijnë ankthet dhe pritshmëritë e prindërve në dialogët e tyre të brendshëm me veten. Sa shumë mund të kalojnë ditë të tëra duke përmbushur nevojat që bota ka, dhe duke harruar nevojat e tyre. Kam parë kaq shumë fëmijët të cilët ngjajnë si modele në kopertinat e një reviste. Sapo i shikon, mendon se janë fëmijë të rritur kaq mirë, kaq të edukuar, të sjellshëm, të zotë në mësime dhe detyra të tjera që ndërmarrin, edhe pse njomëcakë, si në kurse aktrimi, muzike, sporti etj. Dikur në brezin tim, dëgjoja gra, nëna që thoshin: E kam rritur këtë djalë ose këtë vajzë si në katalog! 


Duhet ta kishin patur pikërisht për sakrificën që kishin bërë për fëmijën duke i dhënë gjithçka. Duke i plotësuar çdo nevojë që ata kanë. Ose më mirë, duke menduar se i kanë plotësuar çdo nevojë që fëmija ka. Fundja, për një prind është gati e mirëqenë të mendojë se ai e di se për çfarë ka nevojë fëmija: për një shkollim të mirë, për një edukim të mirë, për t’i kushtuar kohë, për ta argëtuar duke e çuar në kurse të ndryshme, që të paktën zgjedhin atë që do fëmija, ndonjëherë, etj. 


Unë mendoj se prindërit dinë shumë. Ata njohin një të vërtetë të madhe që është dashuria pa kushte që kanë për fëmijët e tyre. Por nuk mjafton vetëm dashuria për të bërë më të mirën për fëmijët tanë. Për të bërë më të mirën, duhet që atë që bëjmë, ta bëjmë me dashuri. Fëmijët nuk kanë nevojë të ngjajnë si në katalogë, si në kopertinën e një reviste për të qënë më të mirët, por duke i dëgjuar VËRTETË nevojat që kanë, do të dinë të jenë më të mirët. Nëse një fëmijë do të kishte mundësi më shumë të fliste për ndjenjat e tij, do t’ju tregonte se kishte frikë. Dhe nëse ju thotë që ka frikë, sytë e tij dhe trupi i tij e tregon. Veprimet tregojnë akoma më shumë. Ka një arsye pse një fëmijë harron të bëjë një detyrë. Nuk do të shkojë në shkollë. Pohon se ka frikë të përballet me testet aq sa të mos shkojë në shkollë. Më siguri që diçka shqetësuese i ka ndodhur fëmijës përpara se të mendojmë sesa shqetësuese është për prindërit që fëmija nuk shkon në shkollë. Mosbërja detyrave, sjellja jo e përshtatshme, harresa, mungesat ne shkollë, veshja e papërshtatshme, gjumi i vazhdueshëm, janë pasoja. Të gjitha këto duken si simptomat e një çrregullimi. 


Pra, fëmija ka një vështirësi për sa kohë sillet kështu siç sillet. A duam ne një fëmijë në kopertinë, por ku rrezikojmë lumturinë e tij, apo duam një fëmijë të lumtur, që edhe pse në sfond në dukje, “kopertina” e brendshme është me e bukur se kurrë. 


Ju ftoj të dëgjoni të vërtetën e fëmijëve me shumë kujdes. Të mendoni nëpërmjet rrugëve dhe shtigjeve që ata j’ua servirin çdo ditë. Të ndiqni me hapat e tyre të ardhmen, dhe jo me hapat tuaj. Të ecni me shpejtësinë e tyre, jo me sprintin tuaj. Të tregoni respekt për mendimet e tyre, edhe pse në dukje për ju naïve, dhe jo të bëni sfidë me inteligjencën dhe intelectin tuaj. Nuk është vëndi! Fëmija juaj nuk po ju sfidon! Ai thjesht po kërkon të komunikojë! Kam besim se ju do të dini si ta bëni, më mirë se çdo kush tjetër. Madje më mirë se edhe vet psikologët. Ne? Ne thjesht kemi për detyrë t’ju orientojmë drejt. Lokomotivën e së nesërmes do e drejtoni vet ju. 



(Nga Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

3,691 Lexime
4 vjet më parë