Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Duket se ne, si prindër, e gjejmë veten të gabojmë me fëmijët tanë shumë herë më shumë se ç’e kishim menduar. Ky reflektim nuk vlen vetëm për të kuptuar se sa kemi gabuar, por për të mësuar se si mund të bëjmë një ndalesë të vogël, përpara se të biem sërish në gabim.
Nëse një gabim ndodh prej fëmijëve, prindërit janë ata që marrin përsipër të ndreqin gabimin duke përdorur forma nga më të ndryshmet, që nga dhuna e deri te komunikimi ndërgjegjësues. Në të gjitha rastet, ky proces quhet edukim, sipas tyre. Secili prej prindërve, pavarësisht formës që përdor, pret që fëmija të mos e përsërisë më. Prindërit presin minimalisht që fëmija të kërkojë falje dhe më pas të mos ketë një episod tjetër të gabimit, të sjelljes së kryer. Por a ka mundësi që sjellja problem apo gabimet të përsëriten? Sigurisht që po. Gabimet janë pjesë e sjelljes njerëzore dhe ato përsëriten sipas historikut që përfaqësojnë. Disa prej tyre kanë një historik shpërblyes, ndoshta thjesht vëmendja që marrin prej prindërve i bëjnë këto sjellje të përsëriten. Por, edhe pse kjo vëmendje është marrë në mënyrë të papërshtatshme, ia vlen barra qiranë.
Kështu, fëmijët gabojnë, prindërit reagojnë, fëmijët kërkojnë falje. Sjelljet mund të përsëriten, ose mund të mos përsëriten, por fëmijët që ndihen të dëshpëruar angazhohen në sjellje të tjera të papërshtatshme, ose bien në gabime që janë pjesë e përvojës jetike. Po, gabimet e përsëritura mund t’i quajmë edhe faje. Por nëse do të kishte një rrugë tjetër për të drejtuar fëmijët drejt realizimit të njëjtit synim, a mund ta shmangim fajin e mundshëm të tyre? Sigurisht që po!
Ne, si prindër, jemi të fokusuar te gabimet e fëmijëve dhe duam që ata të rriten të strukturuar në sjellje model (të mira), me sjellje që promovojnë ndershmërinë, kujdesin ndaj tjetrit, normat e mirësjelljes, me dëshirën për të qenë pozitiv në lojë dhe në marrëdhënie etj. Sa bukur, shumë bukur kështu, apo jo? Por a janë fëmijët kaq të parashikueshëm dhe kaq të pagabueshëm? A ka ndonjë fëmijë në këtë tokën tonë, që të jetë kaq i mbarë? Edhe qeni, që ndokush prej jush ka në shtëpi, nuk është kaq i mbarë, që i përgjigjet çdo stimuli social me kaq perfeksion. Ky fëmijë nuk ekziston dhe sa mirë që është kështu. Nga ana tjetër, nuk ekziston as edhe një fëmijë “i keq.” Po, po, fëmijët nuk mund të lindin të këqij. Nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se fëmijët lindin të këqij. Sigurisht nuk mund të marrim në konsideratë fëmijët të cilët kanë patologji të shëndetit mendor të trashëguar ose jo, që i bën ata të jenë agresiv ose me sjellje antisociale dhe simptoma të tjera të rrezikshme për komunitetin.
Pra, ne prindërit duam fëmijën model, fëmijën ideal. Ne çdo ditë përpiqemi me sjelljet tona t’u japim një formë fëmijëve. Me pak fjalë, nuk duam fëmijë që të bëjnë gabime; edhe nëse ata i bëjnë, duam të mos i përsërisin më dhe, mundësisht, të kërkojnë falje, kur kjo është e mundur.
Shumë prej prindërve që po lexojnë këtë artikull, nuk bien dakord me këtë përsosmëri absurde dhe e kundërshtojnë në kokën e tyre; dhe mbase një moment gëzimi buron tek ata. Shumë prej prindërve janë duke i thënë vetes se e dinë që fëmijët kështu e kanë, do të gabojnë, e gabojnë, e gabojnë… Nuk është se unë po ju them ndonjë gjë të re.
Është e vërtetë, nuk ka asnjë gjë të re, por sot dua që të përqendrohemi më shumë te ne, si prindër. Sot jam në merak për ne. Ndihem e dëshpëruar kur mendoj se sa shumë falje u detyrohem fëmijëve të mi. Po ju?
Sa herë i kam kërkuar fëmijës tim që të MOS bëjë një gjë të caktuar, sepse derdhet, thyhet, prishet, nuk i duroj dot zhurmën etj. Fëmija, duke mos e realizuar dot atë MOS-in tonë, e ngre shqetësimin në një tjetër nivel, dhe ne jemi gati të përdorimin ato format tona të edukimit: Pse e bëre ketë? Sa herë duhet ta them? Ti tallesh me mua? Mendon se je i zgjuar? Mjaft më, nuk ke për ta marrë X lodër etj.
Po sa herë u kemi thënë fëmijëve tanë “JO!”, duke mos u dhënë asnjë mundësi pozitive për të realizuar nevojën e tyre: Ta marrë pak këtë lodrën? – JO! Të shkoj pak te shoku? – JO! Të ha një ëmbëlsirë? – JO! Të rri pak më gjatë në kompjuter? – JO!
Sigurisht që disa “JO!” ia vlen të jenë pjesë e jetës së fëmijëve, por a u kemi dhënë atyre një alternative tjetër për të realizuar synimin që ata kanë? A u kemi treguar ne me sjelljen dhe veprimet tona se çfarë në të vërtetë mund të bëjnë ata që të ndihen më mirë, edhe pse nuk janë në kontakt me kompjuterin, te shoku, me lodrën, duke ngrënë ëmbëlsirë etj.? Më mirëkuptoni, nuk jam kundër rregullave, përkundrazi, rregullat i japin siguri fëmijës, por brenda këtyre rregullave, fëmija do të duhet të ndihet mirë.
Prindërimi është një mision njerëzor i natyrshëm dhe me mundësi të larta gabimi. Ne nuk jemi idealë për fëmijët tanë, sikundër edhe fëmijët. Por një gjë është e sigurt: midis nesh dhe fëmijëve, ne jemi të rriturit në këtë histori. Ne do të duhet të mësojmë më shpejt për të fituar një fëmijëri sa më të shëndetshme te fëmijët tanë.
Nga t’ia fillojmë? Nga gjërat e vogla po aq të rëndësishme. Të mësojmë të kërkojmë falje kur gabojmë. Kujdes! Mos shkoni të përqafoni fëmijët tuaj, të shprehni afeksion fizik dhe të kërkoni falje kur keni ushtruar dhunë fizike apo të çfarëdo lloji tjetër. Mesazhi që u jepni fëmijëve është shumë konfuz. Nuk është ky rasti. Kur keni kryer këtë formë edukimi, mund të kërkoni falje në një moment të qetë, kur fëmija nuk është i përfshirë në ngarkesë të fortë emocionale, por sigurohuni që të mos bini në përsëritje. Ky është një prej fenomeneve dhe njëra prej formave ndëshkuese më të rënda të prindërimit, dhe meriton një artikull më vete, por vlen të preket në këtë reflektim. Ndërsa mund të gjendeni në situata zemërimi, kërkojini ndihmë partnerit apo partneres që të t’ju kujtojë të ndaloni në kohë. Të shkoni të merreni me diçka tjetër. Cilido qoftë gabimi i fëmijës, kjo nuk është forma e duhur. Ndëshkimi, dhe sidomos kaq agresiv, është forma më e papërshtatshme për të ndihmuar fëmijën. Ne duam që fëmijët tanë të jenë të lumtur, por harrojmë se ajo që po bëjmë po i bën shumë të palumtur. Mos u ndieni i/e detyruar të bëni patjetër diçka, që të ndryshoni sjelljen apo gabimin e fëmijës. Prisni të qetësoheni dhe bisedoni me fëmijën më vonë. Ose, lërjani prindit tjetër të marrë masa për ju. Në çdo rast tjetër, është gjithmonë koha për t’i kërkuar falje fëmijës dhe për t’i argumentuar qartësisht se për çfarë po i kërkoni falje. Prindi do të duhet ta njohë gabimin e tij/saj: “Më fal që nuk arrita të shpjegohem mirë qëparë, ndërsa të thashë se nuk duhet të shkosh te shoku yt i ngushtë. Nëse do të duhet të më kërkosh të shkosh të takosh shokun tënd, të lutem të ma kërkosh pa bërtitur dhe pa ikur me vrap.” Gjithashtu, mund të vazhdoni për të rënë në një marrëveshje me fëmijën:
“Ti mund të shkosh ta takosh shokun tënd të ngushtë, por nuk mund të qëndrosh më shumë se një orë me të”.
Kështu, fëmijët tanë gabojnë, dhe kërkojnë falje për gabimet e tyre, madje ne i mësojmë ata ta kryejnë këtë formë mirësjellje edhe me të rritur të tjerë. Por është koha të reflektojmë t’i mësojmë fëmijët që të ndihen të respektuar dhe të reflektojnë se edhe të rriturit gabojnë. Dhe nëse është kështu, edhe ata do të duhet të kërkojnë falje.
Për një prindërim pozitiv, më pëlqen shumë edhe metoda e Montessori-t e cila reflekton prindërimin pozitiv.
Ajo sugjeron se ndërsa fëmijët ju kërkojnë diçka, përpiquni të mos thoni “JO!” menjëherë. Në fillim të këtij artikulli, jua përmenda se si prindërit kanë prirjen të thonë shpesh “JO!” Është e thjeshtë të ndalosh diçka që ta bëjnë fëmijët, por përpiquni të gjeni një alternativë për të thënë “PO!” Kështu do t’i mësoni fëmijët që bota është e hapur me alternativa, jo aq kundërshtuese dhe refuzuese. Është e mbushur me informacione të reja ndaj iniciativave të reja.
Ndërsa fëmijët përfshihen në situata gabimi, jepuni mundësi atyre të argumentojnë mbi veprimet e tyre. Mos i kërkoni ngaherë “PSE e bërë këtë?”. Është më mirë që t’i kërkoni se çfarë donin të bënin me këtë gjë? Ndoshta fëmijët nuk e dinë arsyen e plotë se pse e kanë bërë një veprim, por, me siguri, që me fjalë të thjeshta mund t’ju thonë se çfarë donin të bënin me veprimet e tyre. Gjithashtu, fëmijët mund të mësojnë të argumentojnë mbi sjelljet e tyre, edhe pse ato mund të jenë sjellje problematike në sytë tuaj. Një fëmijë ka të drejtë të shprehet mbi arsyet e tij duke shpjeguar me argumente logjike se përse në orën e mësimit ka bërë për të qeshur shokët e tij.
Unë mbeta e habitur kur djali im 7-vjeçar, kritikës sime për të qenë më i sjellshëm në orën e mësimit, më komunikon se ajo që kishte bërë nuk ishte aq dramatike. Pas disa orësh të gjata mësimi, në tranzicionin e orës së ardhshme, kishte bërë një veprim me duar, duke formuar shenjën “OK” me gishtin e madh me një tingull vokal qesharak, me disa prej shoqeve të klasës. “Ishte shumë për të qeshur”, – me tha. “Ato më pyetën për diçka dhe unë i bëra një shenjë komike, duke e shoqëruar me tingull dhe me mimikë. A nuk është për të qeshur, o mami?” – më tha djali.
Sigurisht që edhe unë qesha bashkë me të, sepse ishte qesharake, por i komunikova se, “nëse mësuesja të ka tërhequr një herë vëmendjen, atëherë duhet të mos e përsëritësh, sepse je ende në klasë. Kur të dilni përjashta mund të bëni shaka që të qeshni të gjithë bashkë”. Ai më tha: “Po atëherë na erdhi, o mami, dhe ora kishte mbaruar. Kishim nevojë për pak çlodhje, apo jo?”. Dhe qeshi me ato faqet e vogla dhe sytë e pafajshëm.
Edhe me argumentin e djalit tim, i komunikova se ora e mësimit do të duhet të respektohet, edhe pse humori gjatë ditës është shumë i rëndësishëm. Kjo e ndihmon fëmijën të mos ndihet në gabim për atë që ka bërë, por të arsyetojë se kur do të duhet t’i bëjë disa sjellje dhe kur NUK do të duhet t’i bëjë. Fëmijët fillojnë të arsyetojnë, të organizohen, të jenë të pavarur për të marrë vendime dhe, mbi të gjitha, të jenë emocionalisht të ekuilibruar dhe të përputhur me vetveten. Nëse ne ndëshkojnë çdo iniciativë të fëmijës, atëherë do të formëzojmë fëmijë mekanikë dhe me vështirësi për të ndërtuar një zë të brendshëm të shëndetshëm.
Në përfundim, duket se ne, si prindër, e gjejmë veten të gabojmë me fëmijët tanë shumë herë më shumë se ç’e kishim menduar. Ky reflektim nuk vlen vetëm për të kuptuar se sa kemi gabuar, por për të mësuar se si mund të bëjmë një ndalesë të vogël, përpara se të biem sërish në gabim. Një ndalesë, një frymëmarrje, një reflektim i shkurtër për të qenë më të drejtë në veprimin e ardhshëm me fëmijën tuaj.
Nga Drnt. Denata Toçe
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sfidat në adoleshencë - Të humbasësh, dhemb!
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe
Të duash në adoleshencë!