Një udhëtim sa për gjithë jetën!
“Udhëtimi më i bukur për një fëmijë, është libri. Bota më e pasur për një individ është biblioteka e tij”. – Denata Toçe
“Na ishte një herë një djalë i vogël, çapkën, faqekuq, me trup të hollë, me një kapele të leshtë me gjysmë strehëz, i cili pëlqente shumë të udhëtonte nëpër botë. Sa herë që ai udhëtonte, aventurat fillonin të shfaqeshin si me magji. Çdo gjë që përjetonte atje, i kthehej në një film me aventura magjike ku edhe shokët e tij merrnin pjesë. Herën e fundit ai kishte qënë në Romë, dhe kishte parë nga afër koloseun dhe shumë ndërtesa të tjera me histori fantastike romake. Babai i kishte premtuar se këtë herë do të shkonin në Afrikë, të shikonin gjithë kafshët që ai nuk i kishte parë ndonjëherë në jetën e tij nga afër, vetëm nëpër përralla e tregime… Aventuara me e bukur e priste kur të shkonte në vendin e mrekullueshëm të Afrikës, por do të duhej të priste deri sa të vinte vera, dhe kushti për të udhëtuar është që djali do të duhej të ndihmonte të paktën një shok ose shoqe në shkollë, i cili ngacmohej nga fëmijët e tjerë pa të drejtë…”
Kështu, baba dhe bir, lexonin çdo natë “Aventurat Magjike të Rubinit”, një nga librat e preferuar. Përpara se të shkëmbenin përqafimin e natës, që sipas babait largonte të gjithë ëndrrat e këqija, leximi i mbrëmjes ishte momenti më i bukur për të dy ata. Emocioni se çfarë do të ndodhë sot me udhëtimin e radhës, ku do të shkonte Rubini këtë herë, çfarë do t’i ndodhë atij dhe shokëve që kaq shumë i donte dhe i vlerësonte. A do t’i mbyllen sytë para se të mbarojë historia? Apo edhe këtë herë, do t’i kërkojë babait që t’i lexojë edhe një seri tjetër? E gjithë dita, nuk kishte të krahasuar me momentet e mbrëmjes. Kështu çdo natë, babai mendonte se si do t’ia tregonte këtë herë aventurën e radhës. A do të ishte zëri i tij i përshtatshëm për të interpretuar historinë? Do të ta zinte gjumi para se të mbarojë tregimi? Eh, se ndonjëherë kështu ndodh me prindërit të cilët të lodhur, shtrihen pranë fëmijëve dhe duke lexuar, i vjen edhe atyre gjumi. Sa e bukur është fotoja e atij momenti, ku të dy, i ka zënë gjumi pranë kokave të njëri-tjetrit, dhe në atë aromë të mrekullueshme sigurie, paqeje dhe dashurie, ndodh historia e një prindërimi të thjeshtë, por aq të bukur. Duket sikur shkëmbejnë ëndrrat e njëri-tjerit. Po t’i shikonte kush, do të vërente një buzëqeshje të lehtë që mbulon fytyrat e tyre në gjumë ende me fjalët e fundit nëpër kohë, të librit të mbrëmjes.
Këto momente kaq unike, mund t’i sjellë vetëm koha që fëmijët kalojnë pranë librit. Janë të pazëvendësueshme kur prindërit marrin pjesë dhe sjellin me vete gjithë dëshirën për t’i dhuruar fëmijëve një udhëtim të paharrueshëm me librin, i cili është i sigurt se nuk mbaron asnjëherë. Ai zgjat gjithë jetën!
“Udhëtimi më i bukur për një fëmijë, është libri…Bota më e pasur për një individ është biblioteka e tij”. – Denata Toçe.
(Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe