Çfarë pasojash sjell te fëmijët fjala “Jo!”
Është interesante sesa shumë mund të kuptohet dhe mësohet thjesht prej një fjale "Jo!". Gjeni alternativa kompromisi dhe negociatash, për të përftuar të dy palët si nga "Jo-të!", por me shumë nga "Po-të!"...
Sa herë e kemi dëgjuar veten tonë si prindër t’i themi fëmijëve tanë “Jo!” ose “Mos!” Deri në momentin kur ndesheni të flitet për to nga ndonjë specialist i fushës që ju ka vënë në sedër se nuk është e udhës të përdoren, ju jeni ndjerë mirë ndërsa sjellja ka ndaluar menjëherë. Por, vetëm për pak kohë, po aq shpejt, sjellja është përsëritur. Duket sikur është e vështirë të ndryshosh këtë proces, këtë sjellje si prindër. Jemi mësuar, ndoshta edhe prej modeleve të prindërve tanë. Por, ajo që unë mendoj, të thuash “Jo!” është një mënyrë për të patur kontroll mbi situatën. Të thuash “Jo!” është mbi të gjitha një vendim i lehtë kur bëhet fjalë për fëmijët, se fundja ne si prindër jemi të justifikuar se diçka jo e përshtatshme po ndalohet. Të thuash “Jo!”, do të thotë se fëmija nuk mund të vazhdojë të bëjë atë që është duke bërë. Të thuash "Jo!", duket sikur je duke ndihmuar fëmijën të kuptojë të ndajë të mirën nga e keqja.
Pyetjet që më ngacmojnë janë: A jemi ne duke thënë “Jo-në!” në kohën dhe për qëllimin e duhur? A është fëmija duke bërë VERTET diçka që "meriton" të thuhet "jo!"? A do të ndihmojë kjo "Jo!" fëmijën të kuptojë?
Po sa herë i kemi thënë fëmijëve "Jo!"? Sa herë i kemi thënë ne fëmijës “Jo!” për ngjitjet që ka bërë nëpër mobilje për ta ruajtur se mos vritet? Sa herë i kemi thënë ne të mos prekë ushqimet të cilat mund t’i derdhte përtokë? Sa herë i jemi thënë ne “Jo!” për prishjen e rrobave që ju sapo i keni palosur? Sa herë i kemi thënë ne “Jo!” për zhgërryerjen në tokë ndërsa fëmija po kënaqet pa ditur se rrobat e tij po bëhen pis? Të gjithë këto "Jo!" në parim duken se janë për një qëllim të mirë, por në fakt ju do të mësoni se fëmija ka humbur disa mundësi të mira për të mësuar, për të provuar iniciativa, për të fituar besimin se ai mund t’ia dalë. Nuk është shumë e vështirë për fëmijën që të ndërmarrë iniciativa, t’ia ndërpresësh ato, është edhe më e thjeshtë, ndërkohë që për fëmijën iniciativa bëhet një mision më i vështirë në të ardhmen.
Sa e lehtë mund të duket të thuash "Jo!", aq më e vështirë bëhet rruga për të kuptuar. Emocionalisht fëmijës i largohet mundësia për të përjetuar përvoja të ndryshme që duket se nuk kalojnë nga nje "Po!" as në kohën e ardhme, por pasi fëmija ndërton arsenalin e sjelljeve problematike, vjen liria për të përftuar një "Po!" të sforcuar, që padashur shpërblejnë këto sjellje problem.
Por, duhet të themi një të vërtetë të madhe: fëmijët kane nevojë të përjetojnë "Jo-të!" në jetën e tyre. Ata duhet të kuptojnë ndryshimin midis gjërave që janë me rrezik për jetën. Por, a kujsesemi ne të bejmë këtë diferencim? Ironia e gjithë kësaj historie qëndron në faktin se prindi është padroni i "Jo-së!", ndërkohë që fëmijët mund të thonë "Jo-në!" e tyre, mëse të arsyeshme. Por, a ka një fëmijë të drejtën të thotë "Jo!"? A mund t'i thotë fëmija "Jo!" ushqimit që nuk do? A mund t'i thotë fëmija "Jo!" veshjes që nuk do, gjumit, aktivitetit, largimit te lodrës, etj? A mund të thotë fëmija "Jo!" udhëzimit që i jepë prindi?
Edhe pse ushqimi, gjumi gjithashtu, dhe çdo gjë që ju lexoni në këtë listë janë me rëndësi në jetën e fëmijës, të thonë "Jo!" është thelbësore për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Ky i fundit lipset të kuptojë dhe besojë se sa e fuqishme është fjala "Jo!" dhe se kur duhet të përdoret. Ne nga ana tjetër, ia njohim "Jo-në!" duke u kujdesur që fëmija të përfitojë nga nevojat e domosdoshme dhe jetike. P.sh, ne i komunikojme se ju e kuptoni që atij ende nuk i ka ardhur gjumi, se sapo ju ka thënë "Jo!", por rregulli për t'u zgjuar herët në mëngjes për në kopësht dhe ngopja me gjumë arrihet duke fjetur herët. Ndoshta fjalia është e gjatë, por kështu ju respektoni "Jo-në" e fëmijës. Ndërkohë, ofrojeni të qëndrojë edhe pesë minuta përpara se të shtrihet, kështu evitoni "Jo-në" absolute. Ose, ofrojini të qëndroni për pak kohë me të zgjuar, por duke lexuar një përrallë më shumë. Gjeni alternativa kompromisi dhe negociatash, për të përftuar të dy palët si nga "Jo-të!", por me shumë nga "Po-të!".
Kështu, duket sikur do humbisni shumë kohë e ndoshta kur ta provoni, mund të mendoni se është një lojë nervash dhe durimi, por kështu do të mund t'i ofroni fëmijës një lumturi afatgjatë psiko-emocionale. Do të shmangni sjelljet problem dhe mbi të gjitha do të reduktoni ankthin e fortë që shkakton fjala "Jo!" e thënë prej prindërve. Është interesante sesa shumë mund të kuptohet dhe mësohet thjesht prej një fjale "Jo!".
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe