GRUPET

Unë jam në grup me djalin e pastrueses

Unë e ndesh shpesh djalin e pastrueses. Është aty pranë meje çdo ditë, por edhe unë ashtu si mediat, ashtu si ne të gjithë harroj ta shoh, sepse për mua ashtu si për ju, “Ferri” është më tërheqës se “Parajsa”.

Klasa e një shkolle konfigurohet si një hapësirë bazike ku nxënësi rritet, eksperimenton aftësitë e tij, zhvillon identitetin e vet në një shkëmbim të vazhdueshëm me shokët dhe mësuesit. Në këtë përmbajtje proceset emotive dhe mardhëniore luajnë një rol predominues. Klasa është një sistem i hapur me rregulla të përcaktuara të cilat vlejnë vetëm në mjedisin e saj. 

Kjo është klasike, është e bukur dhe shkencore. Për fat të keq, kjo është vetëm ajo që duhet të jetë. Por…

Mes shumë por-eve që do të shtjellonin mardhënien dhe dinamikën e zhvillimit të një institucioni si shkolla, i cili tanimë mund të quhet me plot gojën “I ri”, unë do të veçoja njërin prej tyre. 

Por, në klasë krijohen grupet dhe “të jesh në grup me…” është krejt e ndryshme nga “të jesh grup me…”. Klasa përmban strukturën bazë përmes së cilës sistemi shkollor realizon objektivat e tij institucionalë. Por a arrin ky sistem të perceptojë edhe dallimin “Jam në grup me…” nga “Jam grup me…”?

Sepse ndërsa mediet kërkonin të ishin sa më gjithpërfshirëse në incidentin e rëndë të adoleshentes 13-vjeçare, në mënyrë ndoshta të pavëmendshme, lanë mënjanë grupet. 

Në varësi të ndryshimeve që kanë marrë kontekstet, kanë ndryshuar edhe perceptimet. Sot grupet nuk janë më me ato indekse apo tipologji, siç jemi mësuar t`i dallonim. 


Grupet kanë ndryshuar formë dhe më së tepërmi përmbajtje. “Jam në grup me Erën dhe Jonin”, do të thotë që “Jam duke punuar, duke mësuar me Erën dhe Jonin, duke u konsultuar me Erën dhe Jonin”, pra mirëfilli një marrëdhënie që lidhet me punën. Por “Jam grup me Albin dhe Drinin”, është një dimesion tjetër i cili e kalon kuptimin nga tërësia kuptimore e fjalës punë në një përmasë që zakonisht në zhargonin e adoleshentëve realizon njësi të tjera matjeje të burrërisë, karakterit dhe forcës. 


Që djemtë përdhunues dhe dhunues të cilët sot meritojnë t`u nënshtrohen ligjeve të shtetit, ishin grup, këtë e dëshmoi heshtja totale që shoqëronte aktet makabre.  Por nuk dua t`i kushtoj vëmendje këtij grupi. Dua të njoh grupin ku përfshihet ai tjetri, i etiketuari si “djali i pastrueses”. 

Duke qenë prej vitesh pjesë e jetës dhe rritjes së adoleshentëve, kam mësuar të jem e ftohtë edhe para sfidave që atyre u sjell koha ku jetojmë: e hedhur me konotacione nga më të ndryshmet, djemtë sidomos, përballen me thënien standarde “Bëhu burrë!”, e ardhur nga prindërit, shokët, mësuesit dhe për fat të keq jo pak raste nga psikologët e shkollës, ekzistentë shpeshherë vetëm për të shirosur thëngjijtë e fjetur. Dhe si ishte të bëheshe burrë?  

-…...

U morëm gjatë me këta burra, të cilët nuk do të lodhem së përsërituri se nuk meritonin vëmendje. U morëm kaq gjatë, sa harruam atë që nuk ishte grup, por që ishte vërtetë burrë. Atë të cilin unë në klasat ku hyj e shoh shpesh, por që jo pak herë e gjej edhe si objekt të talljeve, apo shakave të pacipa të cilave në shqip u themi “bullying” njësoj si në anglisht. S`ka shqipja një fjalë gjegjëse të saj. E dini përse? Sepse nëse gjuha shqipe do ta kishte njohur si fenomen, me siguri do të kishte krijuar një fjalë për këtë dukuri, si për çdo proces tjetër, por ne e huazuam, siç huazuam dukurinë. 


Madje djalit vetë nuk i vumë as një emër tërheqës: djali shpëtimtar, apo djali i mençur, apo edhe djali i bukur (se në fakt ishte shumë i bukur), por edhe këtë herë na tradhëtoi mendjemadhësia dhe e lakuriqësuam gjuhësisht mendimin duke e quajtur thjeshtë “djali i pastrueses”, ndoshta edhe në memorie të një ideologjie që e kemi kapërcyer në kohë, por jo në mentalitet. 


Ndërsa media hedh kaq shumë dritë mbi krimin, mbi djemtë A, B, Y, Z e ku di unë, duke e dhënë vetëm me ngjyrat e errëta realitetin tonë, shkollën tonë, pse nuk pa një herë të vetme djalin e pastrueses? Pse nuk i tha prindërve: -Prisni, nuk është vetëm ky grup në shkollë. Ka edhe një tjetër burrëri mosha e tyre. 


Djali i pastrueses nuk është grup, por është në grup. Është në grup me ne, është në grup me moshën, me fëmijërinë, me qashtërsinë, me forcën, me kuptimin tjetër të fjalës “burrëri”.  Pse nuk e hodhëm një herë dritën e prozhektorit te ai? Pse nuk e pamë një herë, një herë të vetme dhe me përulje t`i thonim: -Faleminderit biri, ti je shpresa.  Sepse ai është shpresa. 


Unë e ndesh shpesh djalin e pastrueses. Është aty pranë meje çdo ditë, por edhe unë ashtu si mediat, ashtu si ne të gjithë harroj ta shoh, sepse për mua ashtu si për ju, “Ferri” është më tërheqës se “Parajsa”.  



(Natasha Poroçani; Portali Shkollor)

4,023 Lexime
5 vjet më parë