Udhëzimi i Ri për Menaxhimin e Fondëve në shkolla, Çifliku: Këshilla pa sqarime të nevojshme
Fiqiri Çifliku shpreh shqetësimin e tij mbi udhëzimin e ri për menaxhimin e buxhetit në arsim. Ai thekson se udhëzimi, edhe pse i rëndësishëm, nuk ofron udhëzime të qarta për drejtuesit e shkollave në lidhje me administrimin e fondeve dhe procedurat e nevojshme, duke lënë hapësira për konfuzion dhe pasiguri.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Meqë Portali Shkollor, e keni ndarë shkrimin tim të para disa muajve, për rastësi qenka i të njëjtës kohë me miratimin e këtij udhëzimi edhe pse u publikua tani vonë. Sigurisht që e kam një koment për udhëzimin e përbashkët Nr. 11, datë 27.5.2024.
Qëllimi i tij është përcaktimi i rregullave, procedurave dhe afateve që duhet të ndiqen në procesin e zbatimit të buxhetit, në kuadër të përmirësimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe të rritjes së transparencës së përdorimit të fondeve publike.
Në fjalor fjala “udhëzim” shpjegohet si; porosi, këshillë që i jepet dikujt për t'i treguar se si duhet ta kryejë një punë, si duhet të veproj; sqarime, rregulla e porosi që jepen nga një organ epror a nga një drejtues për të shpjeguar një ligj, një urdhëresë, një vendim etj. dhe për të treguar si duhet të veprohet për zbatimin e tyre; shkresa që përmban këto rregulla e porosi.
Por sa ky udhëzim u vjen në ndihmë drejtuesve të shkollave dhe stafit të tyre për të mbledhur, përdorur fonde dhe mjete të tjera në funksion të përmirësimit të cilësisë në shërbimin arsimor?
Udhëzimi përcakton se institucionet arsimore publike parauniversitare përfitojnë fonde publike, grante të brendshme dhe grante të huaja, mbështetje materiale nga dhurues ose sponsorizues, në pajtueshmëri me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë udhëzim.
Por në asnjë rresht nuk del qartë se si do të veprojnë drejtuesit dhe nuk sqaron asgjë se si do të veprojnë për planifikimin e nevojave dhe mënyrën se si do t’i përfitojnë.
Fondet e arkëtuara do të përdoren në funksion të veprimtarisë arsimore dhe rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim, në përputhje me planin vjetor të miratuar për institucionin arsimor. Procedurat do të realizohen sipas përcaktimeve në këtë udhëzim, si dhe standardeve të përcaktuara në udhëzimin nr. 9, datë 20.3.2018, të ministrit përgjegjës për financat “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, të ndryshuar.
Por a mundet një drejtues shkolle të futet kaq thellë për të zbatuar edhe udhëzimet e ministrisë së financave sepse në këtë tonin nuk ka asnjë udhëzim si do të përdoren fondet.
Udhëzimi përcakton se shkolla kryen procedurat për planifikimin, miratimin dhe administrimin e fondeve buxhetore, fondeve grant, donacioneve financiare, si dhe të ardhurave të krijuara nga shërbimet me të tretë.
Por në fakt nuk udhëzon asgjë se si do të bëhet kjo punë në shkolla.
Udhëzimin ngarkon drejtorin e institucionit arsimor si personi i autorizuar për administrimin dhe përdorimin e fondeve.
Por në asnjë rast nuk udhëzon se si do e bëjnë këtë...
Udhëzimi detyron drejtuesit, në fund të vitit ushtrimor, të hartojë pasqyrat financiare vjetore të institucionit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe rregullat e miratuara nga ministri përgjegjës për financat.
Por në asnjë rast nuk udhëzon se si do e bëjnë këtë...
Thua vallë drejtuesit e shkollave janë ekonomistë apo janë mësues me profesion?!?! Të bësh këtë do të thotë që të gjithë të mos kthehen fare nga ana e mbledhjes dhe përdorimit të fondeve. Ç'po u duhet të ngatërrohen më këtë punë.
Do jetë momenti të themi ishim mirë kur ishim keq.
E kemi bërë si model: “kërkojmë t’i vendosim vetulla, por i nxjerrim sytë”…
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Materiale ndihmëse për Mësuesin Koordinator të Sigurimit të Cilësisë nga Dr. Eljana Brahja
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku