"Udha për te fari", një udhëtim i përmallshëm drejt kujtimeve
"Udha për te fari" mbahet si kryevepra e Woolf-it dhe një nga veprat më përfaqësuese të rrymës së «përroit psikik». Një kryevepër e tillë e shekullit të kaluar, vjen për herë të parë në shqip, nga shtëpia botuese "Albas".
Udha për te fari është një roman familjar. Jo vetëm ngaqë ka një familje për protagonist (familjen Ramzi), por edhe për ndjesinë e familjaritetit që të krijon kur e lexon, aq sa të duket sikur ajo banon në një ujdhesë, në një botë të rrëmujshme, në luftë, e rrethuar nga njerëz, por edhe nga vetmia e pjesëtarëve të saj… Romani është shkruar nga Virginia Ëoolf me një ndjeshmëri unike: dëshmi e një mungese që më shumë lidhet me mungesën e së ëmës, e cila ndërroi jetë kur Virginia ishte trembëdhjetëvjeçare.
Udha për te fari është një udhëtim në mendjen njerëzore, një udhëtim i përmallshëm te kujtimet (kur sytë e mendjes shohin matanë dritares së ardhshmërisë dhe ata druajnë të lënë të largohet atë që shohin), por plot shpresë, sepse edhe pse u nënshtrohen kohës që rrjedh, dhe vdekjes, jeta përjetësohet në një rreze drite, natyra jeton ashtu sikundër «ndiejmë» dhe shkon matanë largësive (hapësinore dhe të përkohshme). Edhe pse herë rrëfimtari i drejtohet drejtpërdrejt lexuesit dhe herë të tjera mban rol thjesht tregues (kuptohet që zonja Ramzi përfaqëson figurën e nënës së Ëoolf-it kurse Lili Briskou alter ego e vetë Ëoolf-it), drejtimi i vëmendjes së rrëfimit ndryshon.
Në pjesën e parë të librit mbizotëron pikëpamja e nënës e cila vazhdimisht del në pah, më pas vetmia e personazheve të ndryshme, largësitë që zonja Ramzi orvatet t’i zvogëlojë: hapësira bën fjalë për atë të brendshmen; edhe gjestet (thurja e trikos, ngjitja e figurave, hapja dhe leximi i librit…) tregojnë anën e tyre sentimentale.
Përkundrazi, në pjesën e fundit del në pah pikëpamja e Lilit: mbizotërojnë dyshimet, pyetjet pa përgjigje, ndërsa vetmia merr hov rishtas duke vazhduar një bashkim që në fund, siç duhet të ndodhë, përfundon në një bashkim më vetjak sesa të përbashkët. Mbase vegimin tonë mund të arrijmë ta gjejmë në ranishtë pikërisht tek tabloja, e këtë mund ta bëjmë edhe vetë, por ndoshta s’do të mundemi pa ato vijat e holla të dritës që janë marrëdhëniet me të tjerët (apo kujtimet e tyre).
Kapitulli qendror bën fjalë për urën që lidh «dritaren» me të shkuarën dhe të ardhmen, për mbërritjen te fari – pra, koha rrjedh. Duket si një rast i parregullt i romanit, në dukje i pandryshueshëm, thua sikur ndjekja e mendimeve, të mira dhe të këqija, të pikturonte një det me dallgë të përjetshme. Në të janë ditët, muajt dhe vitet që kalojnë, një «përmbledhje», e pasur me pauza dhe me vështrime të rregullsishme me tejqyrën e kujtimeve. Kjo pjesë fillon me një skenë: të ftuarit dhe fëmijët e zonjës Ramzi fikin dritat pasi hyjnë në shtëpi. Gjithçka është e ngatërruar, kurrgjë s’është e dallueshme për shkak të «dyndjes së territ» që kaplon dhomën. «Duhet të presim se çka do të zbulojë e ardhmja» (kjo është fraza e parë), por tani një gjë e tillë s’është e mundur – nuk parashikohet asgjë e mirë. Errësira dhe erërat marrin krahë dhe sikur mishërohen, e hyjnë duke mos lënë gjë pa prekur – përjashtim bëjnë vetëm njerëzit, që janë ende të gjallë. Nëse drita paraqet jetën, atëherë errësira nuk përfaqëson tjetër veçse vdekjen, asgjënë. Mirëpo këto erëra, hetuese dhe pështjelluese, mbase përmbajnë një fuqi që s’është vetëm e natyrës, por një fuqi që vjen nga lart.
Më pas pasqyrohen stinët që ia lënë vendin njëra-tjetrës, edhe ato të mishëruara (vjeshta janë pemët që rrëzëllejnë nën vezullimin e hënës; dimri ka duar të palodhura për të shpërndarë netët…) dhe shfaqet një mirësi hyjnore, që ul dhe ngre perden e jetës-shfaqje pa e vrarë shumë mendjen për vuajtjet njerëzore a për pyetjet e tyre. Dora mbrojtëse (e natyrës) tërhiqet mbrapsht, ashtu siç do të bëjë edhe ajo e zotit Ramzi, kur, në një mëngjes të errët, do të lypë më kot përqafimin e së shoqes: ajo ka vdekur, ndaj ai mbetet pa përqafimin. Pra, mbetet bosh. Zbrazëtia përbën tiparin themelor të vetë shtëpisë. Këtë e tregon akoma era dhe puhitë detare, që së bashku përshkruajnë shkretinë duke përkëdhelur sendet e nxira nga koha dhe jehojnë pyetjet e tyre: Mos jeni të detyruar të merrni fund gjë? Gjithçka është ende e palëvizshme, sikur banorët e shtëpisë të ndodheshin atje akoma, ose, më e pakta, sikur gjestet e tyre të ishin kristalizuar në atë ajër me lagështi.
Mirëpo hijet që luftojnë dhe mbizotërojnë dritën s’janë hije njerëzore, zogjsh dhe pemësh; e madje edhe ai petku i heshtjes, që është i pazhurmët dhe vlerësues ndaj së shkuarës, për një çast prishet kur një palë e shallit të zonjës Ramzi hapet paksa dhe valëvitet në erë: largësia, koha, vdekja – dalëngadalë ndryshojnë.
Në këtë pikë, me gjithë forcën e saj të madhe dhe fort të patakt, shfaqet kujdestarja e shtëpisë: zonja MëkNab (gris velin e heshtjes të cilin e shkel me këmbë). Ajo anohet si anije dhe me atë vështrimin e saj të shtrembër, prej vëngërosheje, mbrohet nga armiqësia e botës, ajo që, ndonëse e kërrusur nga lodhja, këndon ndërkohë që punon. Ajo s’di se ç’duhet të mendojë më parë, ndërsa të tjerët, të mistershmit, vegimtarët, shëtitnin nëpër ranishtë, duke trazuar ujin e një pellgu (përfytyrim që pasqyrohet më shumë se një herë), për të dalluar pasqyrimin e vegimit të ardhshëm, për të kuptuar se çka qe në të vërtetë: një pjesë mjaft e vockël e detit të paanë apo vetë deti. «Ajo do të vazhdonte të pinte dhe të llomotiste»: s’dinte nëse largësia nga ranishta qe e njëjtë me atë nga pellgu!
Më pas vazhdon vegimi antropomorf i stinëve. Tashti ka ardhur çasti i pranverës (shfaqja e virgjërisë në dëlirësinë e saj, moskokëçarëse dhe e shndritshme) dhe e verës, me spiunët e saj (era) që bredhin nëpër shtëpi. Koha e bukur që pasqyrohet te pasqyrimet tek uji, mendjet e njerëzve plot me re dhe hije, të trazuara por përplot me ëndrra, e kundrojnë jetën duke shpresuar për diçka më shumë, që tejkalon vetitë familjare, që është shpëtim i plotë. Mirëpo me gjithë vuajtjet që përmban, jeta njerëzore shkon përpara pavarësisht amullisë së krijuar nga i nxehti.
Një shi i vonuar pranveror, e më pas një zhurmë e mbytur e diçkaje që bie, paraqitin mungesa të tjera: atë të Prysë e të Endrju Ramzit. Tok me atë të nënës ato zënë pak rreshta; autorja mbështetet te faktet e para nga të tjerët, gjithçka mbyllet me kllapa katrore, një shkëputje që rrit tragjizmin por që, mbi të gjitha, pashmangshmërinë e ngjarjeve. Lufta shfaqet me vdekjen e djalit, e cila do të plotësojë tablonë, duke lënë kështu shenja në sipërfaqen e natyrës së detit: një anije e përhirtë dhe një njollë flakë e kuqe, që vijnë nga thellësia (vogëlsia e shpirtit njerëzor), që bie kryekëput në kundërshtim me bukurinë e botës, tek e cila pasqyrimi tashmë është bërë i vështirë në mos i pamundur. Pasqyra thyhet, siç thuhet, ngaqë ngadhënjen shpërbërja, jo bashkimi. Njeriu gjen strehë te poezia (Kamajkëlli, poeti, korr sukses të papritur).
Në roman, ka raste që mendimet përsëriten. Shenjë pozitive e romanit është se çdo kapitull mbyllet me shfaqjen e dashurisë, e cila nuk tregohet por perceptohet. Edhe elementet qiellore, si dielli dhe hëna, luajnë rol mjaft të rëndësishëm në roman. Edhe ato autorja i përdor për të shprehur dashurinë për njeriun.
Udha për te fari mbahet si kryevepra e Woolf-it dhe një nga veprat më përfaqësuese të rrymës së «përroit psikik». Një kryevepër e tillë e shekullit të kaluar, vjen për herë të parë në shqip.
Rreth autores
Virginia Woolf është padyshim një nga shkrimtaret më të mira të të gjitha kohërave. Librat dhe esetë e saj karakterizohen nga një stil i ndjeshëm, botë e brendshme dhe një shmangie nga përshkrimet lineare. Një talent i jashtëzakonshëm në fushën e saj, librat e Ëoolf duhet të lexohen nga të gjithë ata që duan të njohin më mirë letërsinë e shekullit të 20-të.
Virginia Woolf spikati për eksperimentin në disa forma të të shkruari, që ndryshuan rrjedhën e letrave moderniste dhe postmoderniste. E gjithë krijimtaria e saj është një hulumtim serioz mbi shkrimin dhe këndimin, romanin dhe artet, perceptimin dhe thelbin, luftën dhe paqen, shtresat shoqërore dhe politikën, privilegjet e diskriminimin dhe nevojën për reformimin e shoqërisë.
Disa nga veprat e saj më të mëdha:
Znj. Dalloway
Znj. Dalloway është libri që mund ta lexojnë të gjithë ato që takohen për herë të parë me Virginia Woolf. Klarisa Dalloway është një grua angleze e shoqërisë së lartë dhe Woolf tregon historinë e saj në Londrën e pasluftës së Parë Botërore. Woolf eksploron shoqërinë e asaj kohe dhe krijon një fotografi të jetës së protagonistes nëpërmjet mendimeve të saj, ndërkohë që Klarisa përgatitet për festën që do të organizojë atë pasdite. Ky libër është një shembull i përshkrimit të ndjenjave të brendshme të protagonistes nëpërmjet të cilave lexuesi depërton në mendjen dhe botën e saj, duke krijuar një marrëdhëdhënie të afërt me të.
Orlando
Cilësuar nga Jorge Luis Borges si një nga librat më të arrirë të Virgina Woolf dhe një nga më të mirët e kohëve moderne, Orlando është një libër magjepsës. Ai fillon me një protagonist mashkull, një poet aristokrat që frekuenton sallonet e familjes mbretërore. Romani eksploron çështjet gjinore dhe të identitetit, nëpërmjet karaktereve që udhëtojnë në kohë e takojnë personalitete të rëndësishëm të letërsisë në vite. Unik dhe i paparashikueshëm, Orlando është një roman që duhet të lexohet patjetër nga çdo dashurues i letërsisë.
Një dhomë më vete
Në këtë ese, Woolf hulumton mbi çështjet gjinore dhe shprehet se pa para dhe një dhomë më vete një grua nuk mund ta lërë krijimtarinë dhe imagjinatën e saj të lirë. Për ta ilustruar këtë ajo krijon një karakter imagjinar: motrën e Shekspirit. Ajo i jep asaj një talent po aq të madh sa Shekspiri, por historia e saj nuk është një histori suksesi, përkundrazi ajo kryen vetëvrasje, e lodhur nga pamundësia për të shprehur gjenialitetin e saj në një shoqëri të dominuar nga meshkuj. Një dhomë më vete është një lexim për të gjithë.
Natë e ditë
Natë e ditë është një histori delikate dashurie, një komedi shoqërore, që minon traditat duke ngritur pyetje mbi rolin e gruas dhe natyrën e vërtetë të jetës njerëzore. Një përzierje intriguese e shekullit të XIX-të dhe XX-të, e klasikes dhe e modernes, e ndikimit të së kaluarës dhe e risive të së ardhmes. Vetëm ajo mund ta përshkruajë atmosferën e mrekullueshme të shëtitjeve muzgore në Londër, vetëm ajo mund të përshkruajë me kaq pasion dhe vetëdije rëndësinë e punës për një grua, vetëm ajo mund të sjellë në jetë veçantitë e një familjeje që shenjtëron të kaluarën dhe vetëm ajo mund të krijojë prozë me copëza të një bukurie kaq të plotë, sa lexuesi mundet veç të ndalojë e t’i rilexojë ato sërish e sërish, duke i pirë fjalët me një etje që nuk mund të shuhet.
Dallgët
Ky libër përmban gjashtë monologë, nga gjashtë karakteret kryesore të librit, ku secilin prej tyre Woolf e gërmon në identitetin, individualitetin dhe shoqërinë e saj. Ekziston dhe një personazh i shtatë, Percival, që është gjithashtu i rëndësishëm por që nuk flet drejtëpërsëdrejti me lexuesin. Dallgët është cilësuar shpesh si kryevepra e Woolf-it për shkak të stilit unik të të shkruarit, për shembjen e barrierave gjinore dhe për gërshetimin e poezisë me prozën.
(Artemisa Bushi; Portali Shkollor)
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri