BOTIM I RI

Një gjuhë, një komb - promovohet paketa fituese “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1” për fëmijët shqiptarë në Diasporë

Botimi “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1” u kushtohet të gjithë fëmijëve shqiptarë në Diasporë; kjo paketë që përmban një libër bazë dhe materiale të tjera plotësuese, ka dalë fituese në konkursin me program të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Prezantimi i paketës u bë nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Botimi“Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1” u kushtohet të gjithë fëmijëve shqiptarë në Diasporë; kjo paketë që përmban një libër bazë dhe materiale të tjera plotësuese, ka dalë fituese në konkursin me program të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Prezantimi i kësaj pakete është bërë nga Qendra e Botimeve për Diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të Republikës së Kosovës.

 

Nga takimi për promovimin e paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1” 


Në takim ishin të pranishme Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Znj. Arbërie Nagavci, përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe realizuesit e paketës nga të dyja shtëpitë botuese, Albas dhe Dukagjini.   

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi, në fjalën e saj u shpreh se mësimi i gjuhës shqipe është një nga faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. “Diaspora shqiptare është një pasuri e madhe për të gjithë ne, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar, prandaj është në interesin tonë të përbashkët që ta mbështesim gjithnjë e më shumë mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në diasporë, por sidomos te fëmijët e tyre. Që në datën 29 shtator ne e miratuam tekstin e përbashkët dhe sot kemi Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1, që përveçse do t’u shërbejë të gjithë fëmijëve dhe mësuesve shqiptarë në diasporë, por është dhe një akt i rëndësishëm që tregon se së bashku mund të bëjmë punë shumë të mira".  Ministrja Kushi vijoi fjalën e saj me rezultatet e punës së bërë deri tani nga puna dhe bashkëpunimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj u shpreh se është e vetëdijshme që ka akoma punë për të bërë, por puna e arritur deri tani është tregues i një bashkëpunimi të mirë. Ky hap i parë do të ketë dobinë e vet për përafrimin e fëmijëve në Diasporë me gjuhën shqipe. Znj. Nagavci vijoi se është e rëndësishme njohja e gjuhës së vendit pritës dhe po aq e rëndësishme njohja e gjuhës amë. “Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një obligim të jashtëzakonshëm që të punojnë më shumë për të krijuar mundësitë më të mira për fëmijët shqiptarë në Diasporë për të rritur interesimin për gjuhën shqipe”. Ministrja e MASHTI-t u shpreh e bindur se ky produkt është rezultat i punës së përbashkët dhe tregues që se “do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e mundësive sa më të mira për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë”.


Kryetarja e Komisionit të Përbashkët, Znj. Anila Ferizaj, në fjalën e saj falënderoi dhe shprehu mirënjohje për Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës për mbështetjen që prej vitit 2015, si dhe për Ministrin e Shtetit për Diasporën. Në vijim ajo shprehu mirënjohje të veçantë edhe për të gjithë mësuesit shqiptarë në Diasporë, të cilët me misionin e tyre fisnik, me sakrificat dhe përkushtimin ruajnë dhe promovojnë gjuhën shqipe; për prindërit që janë të ndërgjegjësuar për t’i dërguar fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe për fëmijët që ndjekin kurset e mësimit të gjuhës shqipe me dëshirën për të njohur gjuhën dhe kulturën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.


Në fjalën e saj drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Znj. Mimoza Hysa, u shpreh se ky takim shenjon një arritje të rëndësishme në procesin e njësimit të politikave të të dyja vendeve në fushën e mësimdhënies në Diasporë. “Tashmë, në shkollat shqipe jashtë vendit, Shqipëria dhe Kosova do të kenë të njëjtën qasje ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, duke vërtetuar se diaspora dhe gjuha shqipe na bëjnë bashkë duke shkrirë të gjitha dallimet gjeografike, historike, politike e kulturore”, është shprehur Znj. Hysa. Gjithashtu, ajo vlerësoi punën e rëndësishme që është bërë nga kjo qendër përgjatë këtyre viteve.

Botuesja dhe Presidentja e Shtëpisë Botuese Albas, Znj. Rita Petro në fjalës e saj dhe në prezantimin e paketës: “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1”, tha: “Që ditën e themelimit të shtëpisë botuese ne si ALBAS në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kemi pasur si politikë, fshirjen e kufijve përmes librit shqip. Gjatë shumë viteve në Diasporë janë përdorur tekste të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Ndaj e pritëm me shumë kënaqësi ftesën për konkurrim me një program të përbashkët që unifikon mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë. Gjatë hartimit të tekstit, përmes tregimeve, dialogëve dhe personazheve, kemi përfshirë personazhe fëmijë, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Një sfidë tjetër ishte realizimi i strukturës së librit, i cili duhej të merrte parasysh dhe përbërjen heterogjene, ku disa fëmijë shqiptarë nuk dinë fare shqip, që shpresoj shumë të jenë më të paktë, disa dinë mesatarisht dhe pjesa tjetër mund të dinë më mirë. Pra, si fillim ky nivel i parë u organizua midis një libri gjuhe dhe kulture shqiptare klasik dhe një metode të gjuhëve të huaja. Doja të theksoja se në libër janë të integruara të gjitha kompetencat, ajo e të folurit e të dëgjuarit, e të lexuarit, e të shkruarit, të cilat janë të demonstruara edhe në librin digjital të paketës”.



Edhe drejtori i shtëpisë botuese Dukagjini, Z. Blerim Muhaxhiri, shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin, si dhe për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët në Diasporë, si një mision që edhe ata si botues e kishin në qendër të vëmendjes. Redaktori shkencor i Paketës, Z. Naim Berisha, vlerësoi mënyrën e realizmit të temës së identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës shqipe te fëmijët e diasporës.  


Drejtoresha e Qendrës së Trajnimeve, Znj. Edlira Gugu, shprehu gatishmërinë e kësaj qendre për t’i mbështetur mësuesit e diasporës me trajnime, si një proces mjaft i rëndësishëm për realizimin sa më të mirë të këtij botimi me program të përbashkët.


Ndërkaq përveç paraqitjes së librave fizikë, që përmban paketa, nga redaktorja përgjegjëse e tekstit,  Ervisa Paloka, u demonstruan modele të përdorimit të librit digjital, si: audio, video, teste për fëmijët, si dhe modele të mësimit përmes videove nga mësuesja e talentuar Nexhmije Allkja.



Në fund u shprehën përgëzimet e të pranishmëve për këtë prezantim mbresëlënës.

 


Informacion për botimin “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1”  




Botimin “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1” vjen si paketë, që përmban:

Tekstin e nxënësit, të ndarë në tri shkallë (klasa 1, 2, 3), Fletoren e punës, Fjalorin me ilustrime, një Antologji me vjersha dhe Udhëzuesin për mësues dhe prindër.


Teksti është në formën e librit të shtypur dhe në formën digjitale. E gjithë paketa është hartuar duke respektuar "Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë e në Mërgatë".


Ky botim është realizuar nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ALBAS  dhe DUKAGJINI. Autore të tij janë: Rita Petro, Saranda Pozhegu, Natasha Pepivani, Linda Mëniku, Adelinë Selmani, Dhurata Nixha. Libri i mësuesit, realizuar nga dy mësueset me përvojë: Ilda Alushaj dhe Venera Caka, do të jetë një ndihmë e vlefshme për mësuesit e diasporës, të cilët do të gjejnë aty modele për të gjitha temat e trajtuara në librin e nxënësit.

Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,009 Lexime
3 vjet më parë