ALBAS vjen me 40 tituj të rinj librash në Panairin e 24-t të Librit, Tirana 2021
Shtëpia Botuese Albas do të prezantojë rreth 40 tituj të rinj librash, për të rritur e për fëmijë në Panairin e Librit, Tirana 2021. Artikulli më poshtë ju njeh me botimet më të fundit, ndërsa për më tepër jeni të ftuar të na vizitoni në stendën ALBAS nga data 17‒21 nëntor në Pallatin e Kongreseve.
Si çdo vit, edhe këtë Panair, shtëpia botuese Albas vjen me tituj të rinj shumë të rëndësishëm, disa u shtohen kolanave ekzistuese, ndërsa tituj të tjerë janë botime të reja.
Kolanës Klasikë&Modernë i shtohen dy tituj të rinj: Komediania, nga romancieri polak Wladislaw Reymont, fitues i çmimit Nobel, që vjen në shqip nga Edlira Lloha; Rumi i ndaluar, nga Nevit O. Ergin dhe Will Johnson, të cilët përzgjodhën dhe përkthyen nga persishtja poezitë e ndaluara të Rumit, duke na dhënë përmbledhjen e parë me poezitë heretike dhe më të çlira të tij, të përkthyera për herë të parë në shqip nga Ukë Buçpapaj. Teposhte është titulli i vëllimeve me tregime nga nobelistja Herta Muller që iu bashkohet titujve të rinj të Albas-it, i përkthyer nga Ana Kove.
Sa i përket letërsisë botërore vijnë gjithashtu edhe përkthime të tjera të shumta ku përmendim fillimisht dy botime të rëndësishme që janë mirëpritur nga lexuesi, botuar pak muaj më parë Një histori e Zotit nga Karen Armstrong, përkthyer nga Gëzim Selaci dhe Fabrikimi i bindjes nga Edward Herman&Noam Chomsky i përkthyer nga Linda Mëniku.
Kësaj kolane i shtohen si botime të reja të Albas-i edhe titujt, si: Lepuri kthehet nga John Updike (i dyti nga katër romanet e John Updike, që përqendrohet te personazhi qendror, Herri “Lepur” Engstrëm); Shtatë të çmendurit nga Roberto Arlt është vlerësuar unanimisht prej kritikës si kryevepra e Roberto Arlt-it, një nga pararendësit e letërsisë moderne në Amerikën Latine. Në të, autori prek dhe shtjellon disa nga problemet e shtruara prej ekzistencializmit filozofik; Dita e shtatë nga Yu Hua, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Dita e shtatë është një nga romanet që i siguron Yu Huas një vend të veçantë në letërsinë kineze dhe atë botërore; Heshtja nga Don DeLillo, autori fitues i çmimit National Book Award, “një roman provokues, i shkëlqyer dhe i guximshëm”. Gjuha e Don DeLillos dhe verbimi që shkaktojnë fjalitë e tij, sjellin një lloj ngushëllimi në botën tonë çoroditëse.
Mes gjithë korit burrëror të autorëve të periudhës paraklasike dhe klasike, demoni i Sapfosë (ku “demon” do të thotë “hyjni”) është zëri unik femëror që vijon të përbëjë pikë referimi edhe për artet e sotme, duke u pasuruar vazhdimisht me tekste që rilexohen apo zbulohen mes gjetjeve të reja. Albas sjellë nga Sapfo Nga dëshira digjem...
Nga autori ekskluziv i Albas-it, Robin Sharma, vjen Shenjti, sërfisti dhe sipërmarrësja, përkthyer nga Gent Sinani. Stephen King na dhuron një nga veprat e tij më sfiduese, një zbulimi marramendës i kthinave më të errëta të psikës së paepur femërore, Loja e Geraldit.
Në botime në prozë, shtëpia botuese Albas vjen me disa botime të reja nga autorë shqiptarë. Publicisti, eseisti dhe studiuesi Ardian Vehbiu, i njohur nga lexuesi shqiptar edhe për botime të tjera, vjen në me botimin e tij më të ri në prozë Castigat.
Faqja e fundit nga Gazmend Kapllani, ku autori rrëfen edhe një herë gjurmën që regjimi ka lënë tek individi, i cili duhet të bëjë zgjedhjet dhe zgjidhjet e tij, tashmë në një kapitull të ri të jetës.
Dionis Prifti, fitues i fondit për autorët e rinj në QKLL, vjen me librin me tregime të shkurtra Bar Sahara, ku subjekti ndërtohet sipas impresionit të ndjesisë, pa i qëndruar besnik narrativës. Lexuesi do të udhëtojë në shkretëtirë, në savanë, në planetë të huaj, do të ngecë në një kuti të vogël kartoni, do të endet në një qytet gati në apokalips, do të përjetojë vite të tëra pritjeje në ca shkallë universiteti, do të përgjumet e do të zgjohet në një autostradë me peshq e gomerë.
Ballsor Hoxha vjen me romanin Tjetri/shqiptar, dromca postmoderniste e bio për të parë atë që jemi, një invencion për letërsine shqipe, ku "shpiket"/shkruhet për herë të parë me narratorin si nemezis, apo në gjuhë dhe mendim tejet vicioz.
Ndërsa për sa i përket poezisë vijnë dy autorë të rinj, Meti Disha me Të mjaftueshmëve me gjërat e vogla, poezi moderne me shumë brumë metaforash, krahasimesh, detajesh dhe gjetje ndjesish, të ndërthurura me simbole; dhe Adrian Zalla me Një histori ngritur mbi imazhe të prera, një vëllim me poezi që i drejtohet jetës dhe gjithçka ajo mban, një arratisje për të shpëtuar nga realiteti.
Nga letërsia për fëmijë mund të zgjidhni romanin I fundmi i Kastriotëve nga autori i mirënjohur shqiptar Bedri Dedja. Duke u mbështetur në fabulën dhe subjektin e veprës me të njëjtin titull, shkruar nga Andon Frashëri, ndërtoi mbi skeletin e saj një vepër të re, së cilës i dha formën e romanit për fëmijë, i cili hedh dritë mbi një ngjarje tragjike të historisë së Shqipërisë, e cila njihet shumë pak nga lexuesi shqiptar. Po nga autori Dedja vijnë romanet për fëmijë Si 4 çiliminj u bënë biznesmenë dhe Kacamicrri rreth globit.
Botimeve të reja të Abas-it për fëmijë i shtohet edhe Ruruja e vogël me zemër të madhe. Kjo përmbledhje përmban tregime humoristike dhe përralla shkencore të autores së shquar shqiptare të letërsisë për fëmijë, Adelina Mamaqi.
Në letërsinë për fëmijë veçojmë edhe librin Ja familja ime nga autorët italianë Evi Crotti dhe Alberto Magni. Ky është një libër për prindërit, si të zbulojmë ndjesitë dhe mendimet e fëmijëve tanë përmes vizatimeve të tyre – me parathënie të Denata Toçes.
Gjithashtu, Albas sjell edhe botimet të reja studimore.
Përmendim titujt:
Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe – Dhurata Shehri, Persida Asllani
Arti i poezisë – Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja etj.
Sakaq, për t’u njohur paraprakisht me të gjithë titujt e Albas mjafton të klikoni në www.albas.al
Ju mirëpresim në stendën ALBAS – drejtimi nga hyrja qendrore – drejt – rreshti 2, majtas, Tiranë, Pallati i Kongreseve; 17‒21 nëntor.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
Intervistë me shkrimtarin Virion Graçi për romanin “Shtatë dritaret”
“Znj. Osmond”, liria dhe psikologjia femërore në romanin e John Banville, përkthyer nga Granit Zela