Trajnimi në Preshevë

Trajnimi me mësimdhënësit e Luginës së Preshevës

Qendra e Trajnimeve ALBAS zhvilloi një takim me mësuesit e Luginës së Preshevës për modulin: Realizimi i kompetencave kyç përmes situatës së të nxënit. Trajnimi u mbajt nga mësimdhënëset me përvojë Ilda Alushaj dhe Entela Seiti që ndanë me ta njohuritë e tyre mbi kurrikulat dhe kompetencat arsimore.

Qendra e Trajnimeve ALBAS zhvilloi një takim me mësuesit e Luginës së Preshevës për modulin: Realizimi i kompetencave kyç përmes situatës së të nxënit.


Trajnimi u mbajt nga mësimdhënëset me përvojë Ilda Alushaj dhe Entela Seiti që ndanë njohuritë e tyre me mësuesit e Preshevës mbi kurrikulat dhe kompetencat arsimore, gjithashtu edhe Arnold Përlala i cili prezantoi për mësimdhënësit informacionet e nevojshme se si mund të punohet me librin digjital. 


Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Kryetari i këtij Këshilli, Z. Nevzad Lutfiu, falënderoi për pjesëmarrjen arsimtarët e pranishëm dhe trajnuesit. Po ashtu falënderoi Qendrën e Trajnimeve dhe Shtëpinë Botuese ALBAS për bashkorganizmin, duke kujtuar dhe kontributin ndër vite, duke iu gjendur më pranë nxënësve dhe mësuesve, përmes teksteve cilësore shkollore.

“Unë besoj se takime të tilla, do të ndihmojë edhe në ngritjen e cilësisë në arsim në Luginë të Preshevës. Faleminderit që e mbani gjallë arsimin shqiptar në Preshevë, me të gjitha sfidat që ju ballafaqoheni…” u shpreh kryetari i KKSH gjatë fjalimit.

“Jam falenderuese për një prani dhe interes kaq të madh ndaj jush sot. Është për tu vlerësuar angazhimi juaj për të biseduar mbi sfidat e arsimit dhe shkruar çdo informacion të mundshëm. Me lejoni t’ju përgëzoj dhe t’iu them se ju jeni mësimdhënës shumë frymëzues”,u shpreh trajnuesja Ilda Alushaj.

“Ju jeni ata që mbani gjallë arsimin, që mbani gjallë frymën kombëtare, dhe ne mësuesit e gjuhës shqipe kemi misionin më fisnik, ne kultivojmë vlerat, ato njerëzoret dhe ato kombëtaret…” u shpreh trajnuesja Entela Seiti.

Mësuesit e Luginës së Preshevës u treguan shumë bashkëpunues gjatë trajnimit, duke ndarë përvojat e tyre me trajnueset dhe duke diskutuar për punën e tyre dhe vështirësitë e mësimdhënies.

Në fund të takimit, Kryetari dhuroi për Qendrën e Trajnimeve ALBAS mirënjohjen me motivimin: “Për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë trajnimit të mësimdhënësve në Luginën e Preshevës për arsimin fillor!”

Trajnimi pason vazhdën e trajnimeve të tjera të  zhvilluara më parë në Kosovë.

Xhoana Jaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

988 Lexime
1 vit më parë