Reflektim

Testimi i mësuesve: Vetëm 2 nga 60 kandidatë kalues në arsimin parashkollor! Çfarë po ndodh me kualifikimin?

Në testimin e fundit të QSHA për mësuesit e arsimit parashkollor, kaluan vetëm 1-2 nga 60 pjesëmarrës. Fiqiri Çifliku thekson se ky rezultat ngre pikëpyetje mbi cilësinë e përgatitjes së mësuesve, metodat e testimit dhe për këtë nevojitet një analizë nga institucionet përgjegjëse.

Nga Fiqiri Çifliku 


Në rrjet po qarkullon një informacion se në testin e zhvilluar nga QSHA, me mësues të arsimit parashkollor, nga 60 pjesëmarrës kanë kaluar vetëm 1 ose 2 kandidatë. 

Nuk e di sa i vërtetë është ky lajm, por nëse është kështu, kërkon një analizë të shpejtë dhe të thellë nga institucionet që përgjigjen për kualifikimin e mësuesve. Sipas udhëzimit të ri të kualifikimit në procesin e testimit për marrjen e kategorisë III, (Mësues i kualifikuar), marrin pjesë të gjithë kandidatët që kanë 3 vjet pune.


Këtu pikërisht nuk më shkon ky rezultat, pasi kjo kategori mësuesish kanë kaluar disa filtra deri në këtë ditë. Janë diplomuar para 4-5 vite më parë, kanë marrë licencë 3-4 vite më parë, janë testuar për tiu punësuar me testim nga Portali “Mësues për Shqipërinë” rreth 3 vite më parë. Pra kanë kaluar kaq shumë filtra dhe përsëri rezultojnë mbetës. Kjo është shumë shqetësuese dhe instancat duhet t’i marrin menjëherë në analizë duke përfshirë edhe universitetet meqë i kanë nxjerrë këta student apo i kanë kualifikuar gjatë vitit të kaluar, me aksion të përqendruar. Kandidatët mund të dalin dobët në teste për shkak të një sërë faktorësh, që mund të jenë akademikë, emocionalë, ose praktikë, si përgatitjeje e ulët për shkak të mungesës së kohës së studimit ose përqendrimit të pamjaftueshëm. Faktorë emocionalë dhe psikologjikë si besimi i ulët në vetvete, ankthi gjatë testeve, presioni i brendshëm, presioni nga familja, drejtuesit ose kolegët rrit mundësinë e kandidatëve të performojnë më keq se sa janë në gjendje. Pagjumësia, kequshqyerja apo probleme shëndetësore mund të zvogëlojë përqendrimin dhe aftësinë për të menduar qartë gjatë testit dhe mund të ndikojnë në rezultatin e kandidatit. Por nuk mendoj se këto janë arsyet kryesore. Sigurisht që kanë ndikim dhe mund të referohen për trajtim edhe gjatë seancave të zhvillimit profesional.


Shkaqet kryesore duhen kërkuar tek vështirësitë në të kuptuarit të materialit. Mund të ketë pasur në teste koncepte të paqarta që nuk janë kuptuar plotësisht ose konceptet dhe temat që testohen, mund të kenë qenë të një shkalle të lartë vështirësie. Mungesa e materialeve, librave, shënimeve, ose burimeve të tjera të nevojshme për studim, mund të bëjnë që kandidatët të mos jenë përgatitur mirë. Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pyetje të 20 viteve më parë që në shumë raste nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e sotëm. Një element tjetër shumë i rëndësishëm për t’u trajtuar janë edhe metodat e testimit. Nëse formati i testit (p.sh., pyetje me zgjedhje të shumëfishta, ese, raste studimore etj.) nuk përputhet me stilin e të nxënit apo me praktikat e mëparshme të testimit të tyre, kandidati mund të ketë vështirësi. Gjithashtu nëse pyetjet e testit janë të paqarta ose të ndërlikuara, kandidati mund të kenë vështirësi për të kuptuar atë që kërkohet.


Metodat e testimit kanë një ndikim të madh në rezultat, dhe është e rëndësishme që hartuesit e pyetjeve të jenë të vetëdijshëm për këtë. Duke diversifikuar metodat e testimit, duke ofruar kohën duhur, si dhe duke krijuar një mjedis mbështetës, mund të reduktohen problemet që lidhen me metodat e testimit.


Nëse ky rezultat që ka qarkulluar nuk është i vërtetë realisht kjo analizë mund të mos ishte bërë fare, por gjithsesi vlen për t’u diskutuar në rrjetet profesionale apo akademike. 



Më pëlqen të citoj Karl Jung, kur thotë se: “Nuk mund të ndryshosh asgjë, pa e pranuar problemin në radhë të parë”




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,687 Lexime
1 javë më parë