
Mësuesit denoncojnë procesin e kualifikimit: SBASH kërkon ndërhyrje urgjente nga MAS
Rreth 300 mësues pjesëmarrës në procesin e kualifikimit 2025 denoncojnë problemet e testimit të informatizuar pranë QSHA-së. SBASH kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Arsimit, duke e konsideruar testin të padrejtë, me pyetje të vështira dhe prag të lartë kalueshmërie.
Një grup mësuesish të arsimit parashkollor, fillor, të lëndëve gjuhë frënge, italisht, turqisht, gjermanisht greqisht, sociologji, qytetari, filizofi etj, të mbështetur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Shqipërisë (SBASH), i janë drejtuar me një letër të hapur Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, ku shprehin shqetësimin e tyre për procesin e testimit të informatizuar të kualifikimit për vitin 2025.
Sipas SBASH, ky proces ka krijuar një situatë alarmante, ku një numër i madh mësuesish kanë rezultuar mbetës, duke vënë në dyshim efikasitetin dhe qëllimin e testit. Sindikata ka mbledhur mbi 300 ankesa nga mësuesit, të cilët kanë ngritur shqetësime mbi hartimin e pyetjeve, kohën e papërshtatshme të testimit, dhe kriteret e kalueshmërisë.
Problemet kryesore të testimit, sipas SBASH:
- Pyetjet e hartuara në mënyrë të gabuar, duke kërkuar më shumë të mësuar përmendësh sesa mendim kritik, në kundërshtim me synimet e testimit ndërkombëtar si PISA.
- Koha e pamjaftueshme për të analizuar dhe zgjidhur pyetje të gjata dhe të ndërlikuara, disa prej të cilave kërkonin mjete ndihmëse.
- Niveli i lartë i pragut të kalimit (60%), i cili është konsideruar si i padrejtë, duke pasur parasysh se në vitet e mëparshme ka qenë mbi 40%.
- Pyetje jashtë programit orientues, të formuluara keq dhe me alternativa të ngjashme, që krijojnë konfuzion.
- Mungesa e një standardi të unifikuar për të gjithë mësuesit, duke shkaktuar pabarazi në vlerësim.
Mësuesit shprehin zhgënjimin e tyre se ndërkohë që janë testuar një herë përmes Portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe kanë marrë licencën me nota të larta, tani rezultojnë të paaftë për të kaluar testin e kualifikimit.
“A jemi ne dështakë? Ne që kemi marrë licencën me nota të mira, kemi kaluar me sukses konkurset, tani konsiderohemi të paaftë? Si mund t'u shpjegojmë nxënësve tanë që edhe ne kemi ngelur?” – shprehen mësuesit në letrën e tyre drejtuar ministres.
Kërkesat e SBASH për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit:
- Rishikim të menjëhershëm të procesit të testimit dhe vendosje e një standardi të barabartë për të gjithë mësuesit.
- Përfshirje të sindikatës në hartimin e politikave arsimore, për të siguruar një proces të drejtë dhe të përshtatshëm për kualifikimin e mësuesve.
- Ndryshim të metodës së vlerësimit, duke u fokusuar më shumë në aftësitë praktike të mësuesve, si menaxhimi i klasës, metodologjia e mësimdhënies dhe njohja e rregulloreve shkollore, në vend të pyetjeve me alternativa që nuk reflektojnë realitetin e punës së tyre.
- Respektim dhe trajtim i denjë për mësuesit, si në mënyrën e testimit ashtu edhe në komunikimin gjatë procesit të provimeve.
“Mos na e vrisni pasionin për mësimdhënien” - Mësuesit theksojnë se ky testim jo vetëm që nuk reflekton realitetin arsimor, por edhe demoralizon ata që mbajnë mbi supe edukimin e brezave të rinj. Ata kërkojnë që shteti t’i mbështesë përmes trajnimeve cilësore dhe jo përmes testimeve që mund të zëvendësohen lehtësisht nga Inteligjenca Artificiale ose Google.
SBASH i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të reflektuar dhe për të rishikuar këtë proces, në mënyrë që dinjiteti i mësuesve të mbrohet dhe cilësia e arsimit në Shqipëri të përmirësohet.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fiqiri Çifliku: Politika e fjalëve të rreme, mësuesi i Hekalit dhe e ardhmja e shoqërisë
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet