Teknologjia në mësimdhënie- workshopi i suksesshëm që mblodhi mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë nga e gjithë Shqipëria
“Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe letërsisë përmes teknologjisë për brezin 2.0”- ishte tema e workshopit të organizuar nga fakulteti Filologjik në bashkëpunim me QTP Albas dhe ASCAP. Pjesëmarrja e mësuesve të profilit gjuhë-letërsi dhe vet zhvillimi i këtij workshopi ishin një sukses i vërtetë.
“Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe letërsisë përmes teknologjisë për brezin 2.0”- ishte tema e workshopin të organizuar nga fakulteti Histori-Filologji në bashkëpunim me Qendrën e trajnimeve Albas dhe ASCAP. Zhvillimi i këtij workshopi ishin një sukses i vërtetë në fushën e arsimit që pas periudhës së pandemisë së kovidit, kjo jo vetëm për shkak të numrit të madh të pjesëmarrjes së mësuesve të profilit gjuhë-letërsi, por edhe interesit të tyre për risitë në mësimdhënie.
Ligjëruesit në këtë workshop ishin studiues, specialistë por edhe profesor shkencash, si Akad.Sabri Hamiti, Prof.dr Dhurata Shehri, Prof. as. dr Anila Çepani dhe specialistja Erida Koleci.
Drejtoresha e Qendrës së Trajnimeve dhe Projekteve Albas, Edlira Gugu, në fjalën e mirëseardhjes falënderoi të pranishmit në këtë workshop për pjesëmarrjen e tyre ndërsa theksoi nisjen e një cikli workshopesh.
“Falë këtij bashkëpunimi ne sot nisim një cikël workshopesh, pra një aktivitet që do të vazhdojë edhe më pas. Ju falënderojmë të gjithëve që iu përgjigjët thirrjes tonë dhe ky fakt do të thotë se nevoja për të qenë në koherencë me gjërat që ndryshojnë është kaq e madhe dhe tërësia e workshopeve që do të zhvillohet do të ketë këtë fokus. Pra qendra jonë jo vetëm trajnon dhe kualifikon mësues në module dhe kredite të akredituara nga Ministria e Arsimit, por zhvillon edhe workshope e trajnime të tjera që lidhen gjithashtu me zhvillimin më profesional”, tha Edlira Gugu, drejtoresha e QTPA.
Botuesja Rita Petro gjatë fjalës së saj falënderoi për praninë e tij të veçantë, profesor Sabri Hamitin: “Edhe unë jam e gëzuar për të gjithë këtë pjesëmarrje. Falënderoj jo vetëm mësuesit që jetojnë në Tiranë, por edhe ata mësuese që kanë ardhur nga rrethet. Kjo na bën që të jemi edhe më të përgjegjshëm. Një falënderim i veçantë për profesor Sabriun i cili ka ardhur nga Prishtina që të komunikojë direkt me ju”
Më pas aktiviteti vijoi me bashkëbisedimin që botuesja Petro zhvilloi me akademikun Sabri Hamiti, i cili u ndal në disa tema dhe problematika me të cilat ndeshen mësuesit në ditët e sotme.
Studiesi Sabri Hamiti tha: “Ka pasur probleme të mëdha, për shkak të ndërrimit të sistemeve, për shkak të mënyrës së vlerësimit dhe ndeshje të mëdha përmes sistemeve ata që bëjnë programe dhe ata që shkruajnë tekste. Edhe sot është kjo”.
Gjatë seminarit Anila Çepani u ndal te Mësimdhënia e gjuhës shqipe përmes përdorimit të teknologjisë për brezin 2.0. Përfaqësuesja e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Erida Koleci trajtoi Blended learning si një qasje e re në mësimdhënie. Ndërsa Dhurata Shehri trajtoi Mësimdhënien e letërsisë përmes përdorimit të teknologjisë për brezin 2.0.
Në fund të këtij takimi të rëndësishëm për risitë në mësimdhënie, Akad.Sabri Hamiti, dha disa përshtypje dhe mesazhe që për mësuesit dhe jo vetëm, duhen ngulitur mirë në mendje.
“Përtej një interesimi, në këtë workshop kishte edhe një pigment dashurie të njerëzve që me dëshirë bëjnë një punë të bukur dhe të vlefshme. Është nder të shpërndash dije. Vetëm dija e mund injorancën. Shoqëria me injorancë është shoqëri që nuk përparon. Pra mësuesit janë përtej asaj që duket çka japin në klasë, edhe më shumë se kaq”, tha profesori.
Por si u gjinden pas pjesëmarrjes së tyre në këtë workshop vet mësuesit?
Natasha Kalemi: “Workshopi i sotëm, ishte një nga veprimtaritë më të veçanta zhvilluar deri tani, jo vetëm për panelin e studiuesve që morën pjesë, por edhe për mënyrën e trajtimit të tematikave letrare e gjuhësore. Përtej kornizave të leksioneve klasike, studiuesi Sabri Hamiti, zhvilloi një bisedë të hapur me mësuesit, duke i orientuar drejt një mësimdhënieje analitike dhe kreative të letërsisë shqipe. Çështje që lidhen me terma, por edhe koncepte në studimin e letërsisë si: “Modernia dhe modernizmi, bashkëkohorja, censura dhe autocensura në letërsi”, ishin pjesë e prezantimit dhe diskutimit përgjatë këtij workshopi. Nga pjesa tjetër e panelit përftuam disa rrugë të shfrytëzimit të teknologjisë në përditshmëri, ku përveç marrjes së informacionit të zakonshëm, ta shfrytëzojmë atë edhe për mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe”.
Pranvera Leka: “Një gjë e veçantë në këtë workshop ishte prania e profesorit dhe akademikut Sabri Hamiti. Ishim shumë të interesuar jo vetëm për këtë por edhe për bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese Albas, sepse i përdorim tekstet e saj në punën tonë të përditshme dhe jemi mjaft të kënaqur me cilësinë e teksteve. Këto seminare janë të nevojshme për mësuesit e çdo niveli”.
Evans Drishti: "Pikësëpari mund të them me plot gojë se ishte një organizim tepër i arrirë, ku çdo pjesëmarrës padyshim e ndjeu veten të vlerësuar dhe të plotësuar në aspektin e realizimit të objektivave të vëna. Fakti që secili/la merrte një dosje të posaçme, ku jepeshin informacione tejet sistematike në lidhje me procesin e organizimit, pjesëmarrja e intelektualëve të letrave shqipe dhe jo vetëm që pasqyruan një spektër të gjerë informues në lidhje me temën e ditës, nxjerrja në pah e specifikave që ofron teknologjia jo vetëm për lehtësimin e të kuptuarit të lëmit shkencor, por edhe të relativitetit dhe larmishmërisë së mjeteve që në të shumtën e rasteve s’mund të disponohen në një proces arsimor janë tregues domethënës të seriozitetit dhe gjithpërfshirjes që synonte realizimi i një organizimi të tillë".
Dhurata Myrtollari: “Ishte shumë e këndshme që u gjenda në këtë workshop për mësimdhënies ë gjuhës shqipe dhe letërsisë përmes përdorimit të teknologjisë. Ishte fjala e profesorit të nderuar Sabri Hamiti shumë interesante: lidhja me letërsinë, zhvillimet e letërsisë në Shqipëri gjithashtu dhe problematikat që hasin mësuesit e gjuhë-letërsisë në njohjen që duhet të ketë brezi i ri me literaturën. Këto takime janë shumë të rëndësishme që mësuesit të ndajnë eksperiencat e tyre me njëri-tjetrin”.
Workshopi ishte pjesë e punës kualifikuese e Fakultetit Histori-Filologji dhe ASCAP për zhvillimin e vazhduar profesional të mësuesve në arsimin parauniversitar. Pjesëmarrësit, mësues të profilit të gjuhë- letërsi për ciklin AML dhe AMU, u pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.
Teknologjia në mësimdhënie
Teknologjia në mësimdhënie është kthyer në një sfidë të rëndësishme në ditët e sotme. Ajo krijon një qasje të re ndaj dijes, leximit, librit, si dhe zhvillon në një shkallë më të lartë mësimdhënien dhe raportin e saj me mësuesin. Përdorimi i softuerëve në procesin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe letërsisë lehtëson mësimin e studimin e gjuhës, përmirëson mjedisin dhe procesin e të nxënit, krijon një raport të ri komunikimi mes nxënësve dhe mësuesve, nxit bashkëpunimin mes tyre, rrit efektivitetin përmes teknikave të reja, krijon mundësi të ndërtimit të kurrikulës në një mënyrë të tillë, e cila është e dobishme për studentët, zhvillon aftësitë e tyre krijuese, mendimin kritik, të lexuarit, përdorimin e gjuhës dhe ofron zhvillim të qëndrueshëm të arsimit në përgjithësi dhe arsimit të lartë në veçanti. Kjo qasje e re ndaj informacionit, tekstit, gjuhës, letërsisë kërkon një qasje të re në trajtimin e kurrikulës së gjuhës dhe letërsisë në shkollë, me qëllim që njohuritë rreth tyre të mos vjetrohen, t’I përshtatet mendësisë së brezit të ri, mënyrës së të nxënit dhe funksionalizimit të tyre, dhe t’i shërbejnë njeriut të kohëve moderne.
Në videot më poshtë (nga youtube i Albas) mund të ndiqni pjesë nga ky workshop
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
QTPA zhvillon trajnime për provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”
Përfundon trajnimi me kredit “Mësimdhënia në kurrikulat e reja” në Kukës dhe Berat
Kalendari i Trajnimeve ALBAS për muajin Janar - Shkurt 2024